Javën e fundit, në Shqipëri trefishohen rastet me Covid-19

Tiranë, 10 janar 2022 – Në Shqipëri, java e fundit shënoi rritjen më të madhe të rasteve të reja me Covid që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit 2020. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se në total, nga 4 janari deri sot, janë rregjistruar 9267 të infektuar, gati trefishi i rasteve të javës pararendëse. Mesatarja ditore e të infektuarve rishtazi, rezulton të jetë prej më shumë se 1300 rastesh, ose 4 herë më shumë se mesatarja ditore në muajin dhjetor.

Gjatë javës së fundit edhe testimet shënuan gjithashtu një rekord me një total prej gati 45 mijë tamponësh. Megjithatë, pozitiviteti (raporti mes rasteve të reja dhe testimeve) u ngjit dukshshëm, duke kapur nivelet e 20.6 përqind, nga 12.5 që ishin një javë më pare, dëshmi e një përkeqësimi të fortë të gjendjes. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

E hëna ishte dita me më pak raste, kur dhe testimet po ashtu u ulën. Sipas ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit janë kryer 4996 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID19, 793 qytetarë, në 41 nga 61 bashkitë e të gjithë vendit: 493 në Tiranë, 37 në Gjirokastër, 36 në Durrës, 31 në Vlorë, 18 në Sarandë, 16 në Lushnje, 14 në Krujë, nga 11 qytetarë në Gramsh, Kavajë, 10 në Kuçovë, 9 në Kurbin, nga 8 qytetarë në Kamëz, Dibër, 7 në Mallakastër, nga 6 qytetarë në Skrapar, Devoll, Delvinë, nga 5 qytetarë në Shkodër, Lezhë, Himarë, Këlcyrë, nga 4 qytetarë në Prrenjas, Peqin, Tepelenë, Përmet, nga 3 qytetarë në Patos, Divjakë, Pogradec, nga 2 qytetar në Berat, Korçë, Selenicë, Fier, Vorë, Shijak, Has, Kukës, dhe nga 1 qytetar në Tropojë, Mirditë, Rrogozhinë, Kolonjë, Poliçan.

Situata në spitale pati një përkeqësim të lehtë dhe deri sot pasdite të shtruar ishin 129 pacientë nga të cilët 15 në gjendje të rënduar. Ndërkohë që në total, gjatë 7 ditëve të fundit, pati 19 viktima, ose dy humbje jete më pak se një javë më parë.

Që nga fillimi i pandemisë, në Shqipëri janë rregjistruar mbi 3200 të vdekur, dhe mbi 220 mijë raste, nga të cilat, mbi 150 mijë, gjatë vitit të shkuar.

(Armand Mero, Zëri i Amerikës)

Comment

*