Jeffrey Hovenier betohet si ambasador i SHBA-së në Kosovë

Uashington, 30 dhjetor 2021 – Ambasada amerikane në Prishtinë, ka njoftuar se më herët gjatë kësaj jave, përkatësisht më 28 dhjetor, Jeffrey Hovenier është betuar si ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Ai e ka kryer betimin para nënsekretares amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland.

Hovenier është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Muajin tetor, në një seancë dëgjimore para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Hovenier ka thënë se, nëse konfirmohet në postin e ambasadorit, ai do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike.

Ai po ashtu ka thënë se do ta inkurajojë Kosovën për konstruktivitet dhe fleksibilitet në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Hovenier është nominuar për ambasador në Kosovë në muajin korrik, nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Për ta marrë detyrën ka qenë i nevojshëm konfirmimi i Senatit.

Hovenier do ta zëvendësojë në këtë pozitë ambasadorin e deritanishëm amerikan, Philip Kosnett, mandati i të cilit përfundon në fund të vitit.

Kosnett është larguar nga Kosova pak muaj më parë, ndërsa në detyrë ka mbetur zëvendësi i tij, Nick Giacobbe.

(REL)