JEHONA E 110 VJETORIT TË PAVARËSISË TEK “BIJTË E SHQIPES” NË PHILADELPHIA

Nga Tajar Domi

Shpallja e pavarësisë është ngjarja më e rëndësishme e një vendi, e një kombi. Për ne shqiptarët, të ndarë, coptuar e pushtuar  ndër shekuj , 28 Nëntori 1912 ishte data e jehonës të madhe, e guximit dhe e shpresës së madhe. Sot pas 110 vitesh Shqiperia e shqiptarët janë në vendin e tyre, zot te tij , me nje emer e fuqi qe respektohet në botë . Kjo na e shton krenarinë dhe festimi i kësaj date në këtë përvjetor, nga shqiptarët jo vetëm në vendlindje por kudo në botë ku janë shpërndarë ata, duket që i jep forcë e zemër emrit e bashkimit të kombit. Kjo atmosferë natyrshëm erdhi edhe tek “Bijtë e Shqipes” e në të gjithë komunitetin tonë në Filadelfia. Tashmë eksperienca e kësaj shoqate gjatë këtyre 20 viteve është e madhe. Këshilli i saj drejtues, sic do vit, edhe kësaj radhe ka hartuar plan të vecantë masash për të realizuar me sukses festimin e ditës së shpalljes të Pavarësisë dhe ngritjen ceremoniale te Flamurit tonë kombëtar në sheshin qendror pranë Bashkisë  të Filadelfias.

            Mbrëmja e madhe festive:

Është një organizim I përvitshëm, cdo vit e më mirë, cdo vit e më shumë. Bashkatdhetarët e presin me padurim festimin e kësaj ngjarje. Të rinj e të moshuar, gra e nxënës shkollash, mbushen si kurrë më parë sallën e restaurantit ku zhvillohet kjo veprimtari, e cila ishte e mirëorganizuar dhe e zbukuruar me flamuj kuq e zi e portretin e të madhit Ismail Qemali. Organizatorë, me një shqetësim të brendshëm lëviznin për të sistemuar pjesëmarrësit, mësueset e shkollës shqipe me nxënësit e tyre, ndërsa gazetarja jonë Eva Dori, që po i jep edhe më shumë emër shoqatës “Bijtë e Shqipes” nëpërmjet pasqyrimit professional të gjithê jetës së saj, ishte në hapin e fundit të sfilatës të kostumeve të nxënësve të shkollës që aq bukur realizuan këtë spektakël. Nga Shqipëria erdhi stilistja Gerta Cami, një vajzë e apasionuar në punën e saj, për të kënaqur fëmijtë e të gjithë publikun me këto veshje të kohës ku nuk mungonin simbolet kombëtare, ngjyra e kuqe e shqiponja. Dhe sigurisht për gjithë këtë punë e pasion, Gerta do te kishte falenderimin dhe vlerêsimin e kryesisë të shoqatës me një Çertifikate Mirënjohje. Moderatorja e vogël, nxënësja e shkollës shqipe Amelia Alickaj e cila shkëlqeu me gjuhën e bukur letrare që fliste, pas sfilatës të veshjeve fton pjesëmarrësit të ngrihen në këmbë e së bashku të këndojmë hymnin tonë të Flamurit, më të bukurit në botë, thotë vogëlushja. Menjëherë pas saj ajo fton sekretarin e shoqatës “Bijtë e Shqipes” z. Ali Sopaj për të mbajtur fjalën e rastit në 110 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.  Midis të tjerave ai tha se më 28 Nëntor 1912 u sanksionua e drejta e pa mohueshme e kombit shqiptar për të qenë I bashkuar, i lirë e i pavarur në trojet e tij. Pas kësaj, muzika, vallja e kënga shqip u shpërndanë me shpejtësi duke i ftuar bashkatdhetarët që ti bashkohen atmosferës festive për të kënduar e vallëzuar së bashku. Këngëtarët Altin Malo, Alma Berisha e Alket Begaj, të shoqëruar nga orkestrantet Thoma Noli e Bujar Uka, i kënaqen pjesëmarrësit e shumtë e dashamirës të muzikës popullore, të lehtë e atdhetare, me zërin e tingujt e bukur të instrumenteve. Por, për shoqaten “Bijtë e Shqipes”, kjo festë e madhe shërben edhe për të njohur komunitetin me disa nga arritjet e përsonazhet që kanë kontribuar vecanërisht në bashkimin e rritjen e emrit të saj. Në këtë kuadër, kryetari Bujar Gjoka, prezantoi para publikut disa vleresimet që Keshilli drejtues I shoqatës ju ka akorduar disa zonjave e zotërinjve, duke i falenderuar edhe njëherë ata për këtë punë të madhe te tyre, kohën e harxhuar në shërbim të komunitetit e inteligjencën e shprehur nëpermjet këtij kontributi. Të tillë ishin Mimoza Zanaj e Maria de Gracia të vlerësuar “Nderi i Komunitetit”.

Gjithashtu z. Gjoka prezantoi të ftuarin e nderit të festimit të 110 vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë në Filadelfia, z. Abdulla Domi, kryetar i Këshillit të Qarkut Kukës, i cili me këtë rast u vlerësua me certifikatën “Anëtar Nderi” i shoqatës “Bijtë e Shqipes” Filadelfia. Me cmimin “Mik i Shoqatës” “u vlerësua dhe Këshilli i Qarkut Kukës. Kujtojmë se Këshilli i Qarkut Kukës, para 4muajve vlerësoi këtë shoqatë me medaljen “Nderi i Qarkut Kukës”, për kontributin e dhënë në ruajtjen e promovimin e gjuhës, kulturës e traditave shqiptare, si dhe vlerave të komunitetit kuksian në Filadelfia. Së bashku me shoqatën u vlerësua në atë kohë, me këtë medalje edhe veprimtari e shkrimtari Hys Hasa, për kontributin e dhënë në ruajtjen e promovimin e vlerave të trashegimisë historike e kulturore të trevave të Kukësit e ato shqiptare në Diaspore.  Në fjalën e tij pêrshendetëse, z. Domi falenderoi shoqatën “Bijtë e Shqipes” për punën e madhe që bën me komunitetin shqiptar këtu, si dhe për ftesën për të qenë i pranishëm në festimin e 110 vjetorit të pavarësisë pranë shqiptarëve të Filadelfias. “Me këto vlerësimin për z. Hamdi Gjana me “Nderi i Qarkut Kukës”, si dhe me Çertifikatë Mirënjohje për katër përsonalitete të tjera kuksiane , zotërinjtë Ahmet Shabani , Tajar Domi , Enver Parllaku e Mexhit Koboci, ne ndjehemi më të vlerësuar si Qark, sepse i kemi shtuar historisë tone vlera të jashtëzakonshme që nuk i kemi pasur më parë të njohura. Prandaj urojmë që lartësimin e shqiptarizmës ta mbani gjithmonë kështu, nëpërmjet këtij bashkëpunimi të shkëlqyer që keni arritur të ndërtoni duke e forcuar atë dita-ditës. Unë ndjehem krenar këtu, për bashkë qytetarët e mi kuksian për ato vlera që përcjellin në komunitetin e mrekullueshëm shqiptar në Filadelfia, duke qenë aktiv e kontribues pranë shoqatës model në Diaspore “Bijtë e Shqipes”, – e mbyll fjalën e tij kryetari I Qarkut Kukës, z. Abdulla Domi. Duartrokitjet e shumta të pjesëmarrësve, ishin miratimi më i mirë këtyre vlerësimeve.

Në vazhdim kënga e vallja shqip, me motive që nga jugu në veri, i sjell përsëri dashamirësit e tyre në qendër të sallës. E kështu vazhduam deri ne përfundim të mbrëmjes.

Ceremonia e ngritjes të Flamurit në Filadelfia

Është një festë me vete e shoqëruar me një krenari të ligjeshme të shqiptarëve, kur ata ndodhen para flamurit të tyre kombëtar. Që nga viti 2012, pra gjatë 10 viteve flamuri ynê është ngritur në mënyrë ceremoniale dhe është valëvitur në sheshin qendror para Bashkisë të qytetit të Filadelfias. Edhe këtë vit, ditën e hënë dt. 28 Nëntor 2012, ky shesh u skuq nga flamujt shqiptar që pushtuan hapesirën e tij, duke u mbajtur e valëvitur lart në duart e pjesëmarrësve. Megjithëse ditë pune, bashkatdhetarët u gjenden në paraditen e kësaj dite së bashku, të rinj e të moshuar, burra e gra, të kapur dorë për dore në vallet dhe këngët e bukura që vecanërisht jashtë atdheut, të japin emocione të jashtëzakonshme. Këtë vit e gjithë veprimtaria e ngritjes së flamurit tonë kombëtar u moderua nga dy ish nxënëset të shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” Filadelfia zonjushat Sara Matraku e Silvana Cela. Sara ishte veshur me kostum kombetar sjellë enkas për këtë veprimtari nga znj. Eva Dori, kurse Silvana ishte veshur me një fustan të kuq madhështor ku shqiponja dy krenare ja shtonte hijeshinë. Ky fustan me ngyrat e flamurit tonë kombëtar dhe shqiponjën dy krenare dhe një tjetër i njejtë më të, ju dhuruan shoqatës me rastin e ditës së pavarsisë nga anëtaria e komunitetit tonë z. Sofika Dushi. 

Prezantueset Silvana Cela e Sara Matraku përmes këtij entusiazmi jo të zakonshëm, ftuan bashkatdhetarët të grumbullohen në qendër të sheshit. Pasi u ekzekutua Himri kombëtar American, prezantueset ftuan të gjithë të pranishmit për të kënduar së bashku hymnin tonë të flamurit, i cili filloi të ngrihej në krah të atij amerikan. I privilegjuari apo flamurtari i kesaj ceremonie të 110 vjetorit të ditës së flamurit, ishte z. Abdulla Domi, I cili mezi po mbante emocionet kur tha: “Nuk e kisha menduar kurrë që unë të isha në qytetin e Filadelfias në këtë përvjetor të pavarësisë të Shqipërisë e të ngrija flamurin tonë kombëtar. Ju falenderoj për nderin që me bëni dhe kjo ditë do të mbetet e pa harruar për mua ….”. Në këtë ceremoni kishin ardhë për të festuar së bashku, të ftuar nga ambasada e Kosovës, zv.ambasadori i saj z.  Bujar Maxhuni I cili përshëndeti me këtë rast, si dhe këshilltari z. Drilon Zogaj.

Në emër të komunitetit shqiptar dhe të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, për ditën e madhe të shpalljes të Pavarësisë, në këtë 110 vjetor foli kryetari i kësaj shoqate z. Bujar Goka, i cili midis të tjerave theksoi: Ngritja e flamurit shqiptar ketu në Bashkine Filadelfia, vendlindja e Pavarësisë Amerikane dhe Kushtetutës Amerikane, është një nder për Shqipërinë, shqiptarët dhe në veçanti për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan të Filadelfias.  Këtë vit, festa e 110 vjetorit të pavaresisë, përkon edhe me 78 vjetorin e çlirimit të atdheut nga pushtimi nazifashist. Edhe Shqiperia perkrah fuqive më të mëdha të kohës, SHBA, Anglisë, Francës e Rusisë u përfshi në këtë luftë shkatrrimtare për të cliruar vëndin e saj. Le te valvitet flamuri yne kombetar lart e me lart ne krah te flamurit Amrikan!

 Pas tij fjalën e mori zonja Sheila Hess, përfaqësuesja e bashkisë të qytetit të Filadelfias (City Representative) e cila vlerësoi rritjen e komunitetit shqiptar këtu, vecanërisht arritjet në arsim e bisnes të tij dhe uroj këtë ditë të shenjtë të Flamurit. Ajo I dorëzoi kryetarit të shoqatës z. Gjoka, Proklamaten me të cilën kryebashkiaku I këtij qyteti z. James F Kenney nderonte komunitetin shqiptar dhe të gjithë kombin për 28 Nëntorin, ditën e shpalljes të pavarësisë në këtë 110 vjetor të saj. Prej 10 vitesh kjo Proklamate hartohet dhe dorëzohet në ditën e ceremonisë të ngritjes të Flamurit, dhe aty shkurt shënohet historia e shtetit shqiptar, luftërat e popullit shqiptar për liri e vatan, gjeografia dhe arritjet e ndryshimet nga njëri vit në tjetrin. Nga Zyra për Çështjet e Imigrantëve ne Bashkinë Filadelfia përshendeti drejtori I saj z. Alain Joinville. Ndërsa në emër të Këshillit të Konsujve të Nderit në shtetin e Pennsylvanisë, përshendeti  presidenti I këtij këshilli z.Peter Longstreth.

Prej disa vitesh, këtë veprimtari festive të shqiptarëve në Filadelfia, e pasqyrojnë edhe mediat e shkruara e visive këtu, vecanërisht kanali televiziv ABC -6, ku punon edhe gazetarja shqiptare Katie Katro, e cila ka dëshiruar gjithmonë dhe e ka realizuar e pasqyruar për publikun, kronikën përkatëse. Prandaj këshilli drejtues I shoqatës “Bijtë e Shqipes” pati kënaqesinë ta nderonte znj. Katro me nje Çertifikate Mirënjohje, të cilën ja dorezoi z. Bujar Gjoka, duke e uruar për suksese të metejshme në punën e saj. Kënga e vallja shqip vazhduan edhe për shume kohë. Ndërsa z. Enver Parllaku, si gjithmonë i fton te gjithë pjesëmarrësit, pranë lokalit “La Fontana Della Citta” që menaxhohet nga djali I tij z. Arian Parllaku, për kafe së bashku me rastin e kësaj date të madhe, 28 Nentorit. Është një ftesë e përvitshme, por asnjëherë nuk është ndaluar vetëm me kafe e një gote raki. Edhe këtë ditë, rreth 40 bashkatdhetar që iu pergjigjen ftesës të professor Enverit, qëndruan për rreth tre orë dhe shijuan drekën e muhabetin plot humor e dashuri që u be aty. Enveri (apo Xhaxhi sic e thërrasin stafi I lokalit) është një burrë plot bujari që I pëlqen bashkimi e kënaqet me arritjet e shqiptarëve, e fale këtyre cilësive të tij në ishim aty atë ditë duke shijuar gjithcka. Faleminderit Enver Parllaku.

Java e Flamurit në Filadelfia dhe pritja e kryetarit te Qarkut Kukes z. Abdulla Domi.

Ishte një dëshire e shprehur para pesë vitesh në këshillin drejtues të shoqatës, që ditët rreth asaj të 28 Nëntorit, të ishin me më shume aktivitet e gjallëri në komunitet. Dhe ashtu u bë, duke marrë emrin “Java e Flamurit”. Java e Flamurit, nënkupton vizita të ndërsjella në familjet e bashkatdhetarëve, biseda, kafe apo dreka e darka, për ta bërë festën e Flamurit jo vetëm publike e ceremoniale, por për ta afruar pranë familjeve tona, në vatrat tona. Dhe që nga viti 2017 kur filluan vizitat e para dhe Flamuri përcillej nëpër shtëpitë shqiptare, kjo nismë vazhdon të mbahet gjallë, duke shpresuar që më shumë do të bëhen pjesë e këtij festimi familjar e shoqëror, në të ardhmen. Me këto hyrje e dalje në familjet e shokëve, miqve apo edhe të rrethit tonë familjar, njohja bëhet më e gjerë deri tek fëmijtë të cilët do të jetojnë me kujtimet e këtyre vizitave e bisedave, duke e forcuar dashurinë për atdheun e flamurin. Ndërsa në brezin e prindërve, një ditë e tillë do të jetë shumë ndryshe nga monotonia e të tjerave, punë-gjumë-punë, duke sjellë më shumë kënaqësi, dashuri, clodhje e atdhetari.

Prandaj vazhduam edhe këtë vit, me grupe shokësh, vizitat të cilat na lanë një shije e dashuri të madhe në odat e bashkatdhetarëve ku u pi kafja, u ulëm për dreka apo darka së bashku. Kur vijnë miqtë, gëzojnë edhe trarët e shtëpisë -, thuhej më parë në anët tona (në jug e veri). Disi ndryshe është në ditët e sotme, por në këto vizitat tona që realizuam na u duk se pamë gëzimin e përbashkët të të gjithë familjeve. Kjo na stimulon për ta vazhduar e për ta kthyer në traditë këtë.

Java e Flamurit e këtij viti ishte 110 vjetori i shpalljes së Pavarêsisë të Shqipërisë. Por, sic cituam më sipër ne kishim të ftuar nga vendlindja kryetarin e këshillit të Qarkut Kukës, zotin Abdulla Domi, i cili gjatë gjithë kohës u bë njeriu më i respektuar në pritjet që ne bashkombasit e tij, organizuam për Flamurin por edhe për të. Sigurisht kryetari i shoqates “Bijtë e Shqipes” z. Bujar Gjoka, së bashku me të gjithë antarët e këshillit drejtues, bënë punën e duhur të programuar më parë. E respektuam mikun tonë sic duhet, por Ai e meritonte cdo respekt e përkujdesje tonën. Z. Abdulla Domi mori pjesë në shumë takime me komunitetin dhe u bë pjesë e vizitave në Javën e Flamurit, sic e shënuam më sipër. Kudo u prit dhe u përcoll me dashuri të madhe e respekt, pasi e vlerësuan si burrë të zgjuar, bujar e fisnik, dashamirês e vlerësues i gjithckaje pozitive në jetët tona. Nuk ishin vetëm kuksianët që e pritën, por shumë të tjerë nga të gjitha trojet shqiptare. “Ishte një mik i mirë, që ja vlente të ulesh me të “- thonin njerëzit që e njohën. Së bashku me Bujarin, e shoqëruam ditën e parë për një vizitë në Nju Jork, ku ishte planifikuar edhe nje takim tek shoqata VATRA. “Kam edhe një Çertifikate Mirënjohje“për Vatrën, na thotë Abdullai rrugës, për tua dorëzuar në këtë 110 vjetor të krijimit,  për kontributin e madh atdhetar që ajo ka dhënë për kombin”. E falenderuam edhe ne sigurisht, dhe pas vizitës në qendrën e qytetit, udhëtuam për te Vatra. U mirëpritem nga editori i ri i Diellit z. Sokol Paja. E falenderoi z. Abdulla për Mirënjohjen dhe na njohu me ambjentet e Vatrës, fotot me personazhet që kanë orientuar e drejtuar atë ndër vite, si dhe mjaft dëshmi të mbështetjes së madhe që SHBA i ka dhënë vazhdimisht kombit tonë. E falenderuam z. Paja duke i uruar sukses të mëtejshem atij dhe Vatrës.

Ne kthim për në Filadelfia, kishim planifikuar të ndalonim tek miqtë tanë, vëllezerit Jashar e Hekuran Daku që zotërojnê restaurant “IL Fiore” në Nju Xhersi, një emër i njohur për kontributet për komunitetin aty e për shoqatën “Bijtë e Shqipes”. Si gjithmonë të qeshur e të respektueshëm. Ishte prezantim i bukur për Abdullain qe e kishte ditën e parë në Amerike, dhe ashtu eci mbarë kudo. Jemi në Javën e Flamurit, i themi Jasharit. Shumë mirë e keni menduar. Kemi nevojë të jemi bashkë, të paktën në ditë festash. Kanë nevojë femijët tanë, edhe më shumê. I falenderuam këta djem punëtor për pritjen sic ata dinë ta bëjnë, të shijosh gatimin special të këtij restauranti por mysafirët duhet të marrin edhe me vete, vazhdon Jashari.

Kështu Java e Flamurit vazhdoi me vizita të shumta. Erdhën shumë natyrshëm e me plot dashuri në dhjetra familje shqiptare, ku bisedat, humori e kujtimet e shumta nga vendlindja të “shkurtonin “kohën e qëndrimit. Në një pjesë prej tyre ne patëm kënaqësinë e këtij bashkimi. Disa të tjerë bashkatdhetar nuk arritën të presin vellezërit e tyre, pasi edhe java kaloi shpejt. E filluam tek bisnesmeni Mexhit Koboci në familje, por edhe e mbyllëm prej tij tek “La Fontana” restaurant ku mbi 30 persona kaluam disa orë shqip në cdo anë. Sigurisht professor Enver Parllakun, administrator i këtij lokali, asnjëherë nuk e gjen të lodhur për të ftuar bashkatdhetarët e tij. Kështu ishte edhe kjo javë për të, pasi në mënyrë të vecantë donte të respektonte me plot deshirë, kryetarin e Qarkut të tij, z.Abdulla, që sic thotë ai i prezantoi kuksianët ashtu sic janë e sic duhet. Por nuk mund të harrohen për ne të gjithë ftesat e shumë miqve që nuk arritëm të shkonim për një kafe. E rëndësishme është dëshira e mirë, ndërsa koha gjendet.

Mund te shkruash një libër të vecantë, e jo një shkrim gazetë, për të përmendur mikpritjen shqiptare në familjet ku u bëmë bashkërisht në këto ditë festë. Një vizitë ishte planifikuar dhe u bë tek familja e z. Imer Dedja. Ai vjen nga Dibra e madhe dhe është një biznesmen i sukseshëm dhe mbështetës i punës së shoqatës. Mikpritja dibrane, biseda, mencuria, urtësia dhe atdhedashuria ishin pjesë e sofrës bujare të kësaj familje të nderuar. Më pas vijuam vizitat tek kuksiani Albert Sula, ku babai i tij i nderuar Dalipi kishte hijeshuar dhomën për të pritur miqtë, gëzohesh kur shikon arritjet e kësaj familje në shkollim, bisnes e me shtëpi të bukur bajraktari sic i thonin më parë. Ndërsa shoku ynë Llazar Vero, ditën tjetër e ka shtruar drekën së bashku me zonjën, doktoreshën Tatjana e cila duke uruar mirëseardhjen thotë se e bëra për mikun nga Kukesi pasi dëgjova shumë mirë për të. Sigurisht që ndjehesh mirë kur të vleresojnë vecanërisht njerëz të tillë që papërtuar ti thonë pozitivet por edhe mangësitë hapur, përballë. Vëllai im Jakupi me zonjën Shqipe, ditën tjetër donin të provonin veten në shtëpinë e re, se a mund të presin miq apo jo. Prandaj nuk ua prishëm. U mblodhëm 10-12 veta për ti uruar edhe për festën e Flamurit, edhe për shtëpinë e re. Kaluam bukur, duke kujtuar edhe dhomat e miqve dikur ku çibukët e gjatë e duhani i dredhur i shoqëruar me kafe të herë pas hershëm, i jepte lezet muhabetit. Por sonte, Abdullai ishte në shtëpi të vet, tek fisi Domi. Shoku ynë nga Vlora,ish kryetar i shoqatës z.Petrit Zanaj , na thotë : “Kush të nderon, duhet nderuar”. Keshilli i Qarkut Kukës na ka nderuar shoqatën tonë duke e vlerësuar “Nderi i Qarkut”, dhe ne ju jemi mirënjohës. Prandaj kryetarin, z. Abdulla Domi dua ta nderoj me një darkë tek lokali shqiptar “Osterio Saporino” e vëllezërve Jaupaj. Ashtu u bë. Duke shijuar ushqimin mjaft te shijshëm që ishte përgatitur, biseda u bë më shumë në arritjet e shqiptarëve këto vitet e fundit në bisnes, kryesisht në restaurantet e sektorin e ndertimit, ndërsa shumë nga të rinjtë kanë avancuar me shkollimin dhe sot i shikon të jenë punësuar në arsim, mjekësi, inxhinieri, financë, avokati, gjyqtar etj. Komuniteti po rritet shpejt jo vetëm në numër, por edhe cilësi e forcë. Vizitat e takimet vijuan me familjen e z. Hys Hasa në restaurant “Eating Garden” me pronar z. Ahmet Zeka; Odën Dibrane të familjes së nderuar Collaku; me z. Hamdi Gjana si dhe komunitetin Kuksian në Filadelfia. 

Ditët po kalonin por vizita e planifikuar në Washington DC dhe në Ambasadën Shqiptare atje, duhej realizuar. U vendos për të shtunën 3 Dhjetor. Së bashku me z. Abdulla Domi, udhëtuan kryetari i shoqatës z. Bujar Gjoka, Tajar Domi dhe Hys Hasa. Eshtë privilegj për cdo njeri, të cilit i mundësohet një vizitë në krye- qendrën e SHBA-së por edhe të botës. Pra, edhe për mikun tonë, kjo ishte një gjë shumë e rëndësishme. Takimin e parë e realizuam tek Ambasada shqiptare, një godinë e bukur në teritorin e ambasadave, pronë e shtetit shqiptar ku flamuri i ngritur na fton të futemi brenda. Gjejmë një pritje të ngrohtë e vëllazërore nga Ambasadorja znj. Floreta Faber, tashmë e vlerësuar “Miku i Shoqates” tek Bijte e Shqipes, dhe ekipit të saj, Armandos e Florianit. Kafe e muhabet i këndshëm. Sigurisht interesi i bisedës ishte 28 Nentori dhe festimi i kësaj date të madhe, ndër shqiptarët e Amerikes. Interesit të znj. Faber për ketë festim në Filadelfia, ku ajo ishte e ftuar, ju dha informacion nga z. Bujar Gjoka. Unë, tha ajo, mora pjesë në festimin e ditës së Flamurit me shqiptarët e Nju Jorkut ku u kënaqem, meqenëse isha për herë të parë aty, ndërsa tek ju kam qenë disa herë. Znj. Ambasadore në bisedë të lirë, e informoi kryetarin e Qarkut Kukës, për ditën e hapjes së ambasadave për publikun në muajin qershor të cdo viti, ku interesi për të vizituar ambjentet tona është i madh, 3-4 mijë veta, duke mbajtur radhë të gjata jashtë. Ndërsa në qershor të 2017-ës na nderuan bashkatdhetarët tanë nga Filadelfia që morën pjesë së bashku me nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, të veshur me kostume kombëtare e të përgatitur me këngë e valle popullore. Ishte shumë mbresëlenëse, vazhdoi znj. Faber.  Pasi morëm disa foto si kujtim të kësaj vizite e i falenderuam diplomatët tanë për pritjen, do te vazhdonim me njohjen e qytetit, me foto të shumta afër Shtepisë së Bardhë, te Capitol Hill e në pjesë të tjera të tij Që një ditë e bukur për të gjithë ne, por për mua thotë z. Abdulla, ishte e vecantë.

Pas dy ditësh, ai do të kthehet në Atdhe. Prandaj së bashku me z.Bujar Gjoka, do të organizonim një kafe-koktej në ambjentet e Qendrës të Re të komunitetit, me rastin e këtij largimi. Morën pjesë anëtar të kryesisë, të shoqatës e nga komuniteti, të cilët e falënderuan me fjalë zemre z. Domi për pjesëmarrjen në këto ditë festë, e vlerësimet e bëra për shoqatën Bijte e Shqipes së bashku me disa anëtar e veprimtar kuksian të saj. Shpresojmë që ju të keni hapur rrugën edhe për qarqet e tjera në vendlindje, që të mos kursehen me vleresimet e merituara ndaj shoqatave e bashkë qytetarëve të tyre, sepse kështu krijojmë histori arkivore të përbashkët duke lumturuar të dya palët, ashtu sic ndodhi me Kukësin e Ju i nderuar z.kryetar Abdulla Domi.

Filadelfia, me 6 Dhjetor 2022