JEMI ENDE TË PAFORMUAR PLOTËSISHT SI KOMB E SI SHTET

Thanas L. Gjika

E falenderoj Z. Klodi Stralla, i cili në fb e tij kishte hedhur këtë mendim: “Një popull bëhet Komb kur ka aftësinë të mbrojë një interes kombëtar dhe krijon Shtet kur fiton aftësinë të mbrojë një interes publik”.

Mendova se ia vlen të hapet një diskutim lidhur me problemin në se ne shqiptarët dhe shteti ynë meritojmë të quhemi Komb dhe Shtet në kuptimin e plotë të fjalës, prandaj e shkrova këtë shkrim të shkurtër.

Një popull nuk mund të quhet Komb, por quhet Kombësi deri në atë kohë kur nuk mbron interesat e veta kombëtare. I tillë ka qenë populli ynë gjate Antikitet dhe Mesjetës, kur jetonte i ndarë në mbreteritë: Iliria, Epiri, Dardania, Maqedonia, dhe më pas kur jetonte nën sundimet e huaj romakë, bizantinë, sllavë, osmano-turk.

Kombësia shqiptare hodhi hapat e parë për kalimin në Komb gjatë viteve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kur atdhetarët tanë rilindës kërkuan zyrtarisht krijimin dhe njohjen e një Vilajeti të vetëm shqiptar autonom nën suazën e Perandorisë Osmane. U kërkua që në këtë vilajet-shtet autonom të mësohej gjuha shqipe nëpër shkolla dhe të përdorej gjuha shqipe si gjuhe zyrtare krahas osmanishtes, ky vilajet të qeverisej prej nëpunësve shqiptarë, të kishte një mbikqyrës të qeverisë qendrore të Stambollit, shërbimi ushtarak i djemve shqiptarë të kryhej brenda vilajetit, etj.

Rilinësit tanë synuan të krijonin një gjuhë të përbashkët kombëtare, botuan gazeta e revista në gjuhën shqipe, mblodhën e botuan krijimtarinë gojore të popullit (folklorin) dhe u përpoqën ta përpunonin atë, lëvruan me sukses letërsinë kombëtare, hartuan tekste shkollore në gjuhën shqipe, hapën shkolla në gjuhën shqipe të njohura nga qeveria e Stambollit, etj.

Procesi i formimit të Kombit shqiptar eci ngadal deri në vitin 1912 kur ende ishim nën sundimin osmano-turk. Mirëpo coptimi i popullit shqiptar në disa shtete dhe krijimi dhe njohja e shtetit të pavarur shqiptar, Shqipëria Londineze, ku u përfshi më pak se gjysmën e popullit tonë, si dhe trazirat e jashtme e të brendshme politike, varfërisë etj, nuk ndihmuan për ecjen përpara në forminin e Kombit shqiptar dhe as në krijimin e Shtetit shqiptar. Qeveritë shqiptare dhe atdhetarët shqiptarë deri në vitin 1920, të ndodhur nën presionet e një ricoptimi të trojeve shqiptare, e kishin të vështirë të punonin për krijimin e Shtetit Kombëtar Shqiptar dhe për mbrojtjen e të drejtave qytetare të mbarë popullit shqiptar kudo ku ai jetonte.

Mbas vitit 1920 e sidomos gjatë kohës së Mbretërisë deri më 6 prill 1937 u bënë hapa të ndjeshëm drejt ngjizjes së Kombit shqiptar dhe të Shtetit shqiptar. Nëpër shkolla nxënësit mësonin e këndonin:

Edhe Flamuri kuq-e-zi

Do të valojë përsëri

Në Kosovë dhe Çamëri

Plol me gaz, me gaz, dhe në liri!

Kjo këngë ushqente te bijtë e popullit shqiptar ndjenjën e të qenit të ndërgjegjshëm se populli ynë ishte i coptuar dhe nuk e kishte realizuar detyrën e tij kombëtare: krijimin e Shtetit-komb. Po ashtu qeveritarët e politikanët shqiptarë të kësaj kohe e ngritën zërin për të mbrojtur të drejtat qytetare të popullit shqiptar si brenda dhe jashtë territorit të shtetit amë. Kujtoj këtu se mjaf ligje që u formuluan në atë kohë kishin frymë europiane. Po ashtu kujtoj dhe notat e shumta të protestave kundër shtypjes e shpërnguljes së popullit shqiptar të Camërisë në Turqi me pretekstin se shqiptarët myslimanë ishin turq, etj.

Ardhja në pushtet e Partisë Komuniste Shqiptare, e komanduar prej Partisë Komuniste Jugosllave e më pas prej Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik e më pas prej Partisë Komuniste Kineze, e la në haresë nevojën e krijimit të Shtetit-komb shqiptar. Qeveritë shqiptare të kohës së diktaturës komuniste nuk interesoheshin për të mbrojtur të drejtat qytetare të popullit shqiptar jashtë territorit të Shqipërisë Londineze. Propaganda e kohës trumbetonte se problemet e popullit shqiptar që jetonte jashtë atdheut ishin probleme të shteteve ku ai jetonte dhe ne nuk duhej të përzjeheshim në punët e brendshme të atyre shteteve. Gjithashtu kjo propagandë na e mbushi mendjen e populli shqiptar ishte një Komb plotësisht i formuar dhe po lulëzonte si i tillë, etj.

Me pak fjalë gjatë kohës së diktaturës komuniste dhe kohës së sotme, që është si bisht i saj, populli shqiptar nuk e ka përfunduar formimin e tij si Komb, po ashtu dhe shteti shqiptar edhe pse ishte dhe është i pavarur, nuk i ka kryer e nuk i kryen detyrat e veta si Shtet i mirëformuar.

Përderi sa qeveria shqiptare nuk krijon ligje për mbrojtejen e të drejtave qytetare të popullit shqiptar kudo ku jeton, Shqipëria nuk është Shtet i mirëformuar. Po ashtu mund të them edhe për shtetin e Kosovës dhe atë të Maqedonisë së Veriut, ku populli shqiptar përbën shumicën. Ndërkohë edhe atdhetarët shqiptarë, qofshin studiues, gazetarë, opinionistë, etj përderi sa nuk punojnë për krijimin e Shtetit-komb Shqiptar, nuk ndihmojnë në realizimin e krijimit përfundimtar të Kombit Shqiptar.

Duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë se ne shqiptarët, ende nuk jemi Komb dhe Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut ende nuk janë Shtet në kuptimin e plotë të fjalës, prandaj duhet të punojmë të gjithë së bashku për realizimin e këtyre detyrave që na ka lënë e kaluara, për ndryshe do të mbetemi pa ndërgjegje historike, pra jashtë kohës historike…