Jeta e një piramide

Iva Gjoni

Iva Gjoni

Tregim nga Iva Gjoni

Pëshpëritej se ishte e ngjashme me atë të Keopsit. Ndërtohej në qendër të qytetit. Piramidë e shekullit XX. Faraonët kujtonin se bota e vdekjes ishte një tjetër jetë dhe prandaj i mbushnin piramidat me ar e ushqime. Madje merrnin me vete dhe gratë, te cilat varroseshin ashtu të gjalla pranë kufomës së faraonit të mumjezuar.

Kur Piramida e Tiranës u përfundua ishte dimër. Një dimër i qullët, paksa i errët mbi asfaltin e zi, ku neonët verdhacukë anash rrugëve e ndriçonin zbehtë – hidhnin tufa drite të rregullta në njëshkolonë. Piramida e ndërtuar me mermer të bardhë, ku dominonin shirita xhamash si dritare, zbardhëllente anash bulevardit të vetëm të kryeqytetit. Ishte një vepër moderne, ndofta e vetmja (e para) në atë kohë. E lartë, e pjerrët në formë koni, e re qëndronte si kullë gjigande, mbartëse faraonësh; po kjo ishte një pjellë e vogël, fёmijë i adoptuar i piramidave faraonike. Të ishte ndërtuar edhe kjo me saktësi astrologjike? Ndofta maja e saj çukiste ndonjë yll, por fshehurazi. Si të gjitha piramidat, edhe kjo u ndërtua me punë skllevërish.

Symbol i përjetësisë ose i idesë së botës së përjetshme, qëndronte e papërfillshme dhe e ftohtë.

Diktatorët e mbretërit historikisht i kanë ngritur vetes përmendore dhe, të verbuar nga pushteti dhe kënaqësia që u sjell, kanë dashur të jetojnë përgjithmonë. Pamvarësisht që veprat e ndërtuara prej tyre në të ardhmen janë parë si monumente kulture, dëshmi të së shkuarës, madje kthehen në muzeume, kur ndërtohen janë më tepër simbole diktatoriale, piedestale që rrëfejnë me egoizëm dhe madhështi forcën e një tirani të plotfuqishëm. Por meqenëse kohën ata s’e urdhërojnë dot, krijojnë piramida. Fundja një perandor kinez ndërtoi dhe varrosi një ushtri të tërë prej balte! Ndërsa në Egjipt u krijuan labirinte brenda piramidave që të mos shqetësohej faraoni në jetën e përtejme. Grekët krijuan Hadin. Dhe historia kështu vazhdon.

Megjithëse diktatori ynë ishte tiran, ai më krijonte një ndjenjë respekti të frikshme. Unë e shikoja si të paarritshëm, të paprekshëm dhe të frikshëm dhe dёshiroja ta njihte ekzistencёn time. Por unё isha askushi, robot i sistemit, e pafuqishme dhe e padukshme.
Natën që piramida u hap për qytetarët, kisha shumë emocione. Hyrja ishte falas. Megjithëse nëpër shtëpitë tona atë dimër mungonte ngrohja, piramida ishte aq e ngrohtë dhe e rehatshme sa ia vlente të rrije me orë të tëra në barkun e saj. Pllakat prej mermeri ndriçonin nën rryma dritash të shumëllojshme dhe mjaft nga dekori ishte i panjohur më parë prej nesh. Për shembull, unë preka me kërshëri gjethet e një bime në një vazo që zbukuronte mjedisin pa mundur të besoja që ishte jo natyrale. Po, po! Lule artificiale.

Fotografi që nga fëmijëria e deri vonë të diktatorit shfaqeshin me një rregull admirues (s’e di nёse mund ta quaj ‘udhёheqёsin’ tonё. Ai qёndroi nё pushtet pёr shumё, shumё vjet. Ishte kjo dёshira e popullit? Mos ishte mbret ai? Mos e ktheu veten nё mbret?), kishte dhe filma të shkurtër që përsëriteshin dhe ku mund të shikoje diktatorin që buzëqeshte, shëtiste dhe fliste me bashkëshorten. (Në fakt, mua më mbeti mendja te ato lulet artificiale).

Sa me fat e konsideroja veten që jetoja në kryeqytet. Jo çdo qytetar kishte privilegjin të shihte piramidën, ndonëse nuk mund të shkoje shumë shpesh se mund të të pyesnin pse shkoje aq shpesh. A mund t’i thoja se më pëlqenin ato bimët e çuditshme? E pashë stilografin e diktatorit, fotografi (ndofta të rreme) nga lufta nacional-çlirimtare, kur ishte krijuar partia (ajo komuniste!), por bimët, ah bimët! Sa të vërteta dukeshin!

Në vitet ’90 piramida u sulmua nga banditë të vegjel të leckosur, disa dhe jevgj, që rrëshkisnin që nga maja e saj e deri poshtë, mbi muret e pjerrët. Të gjitha fotografitë e diktatorit u hoqën e u hodhën në ndonjë magazinë të vjetër së bashku me ato filmat nëpër ekrane televizive. Barku iu boshatis dhe në oborrin e saj, ku ishin vendosur lulishte dhe shkallë mermeri, u krijua një traditë popullore e rinisë së atëhershme. Gjimnaziste, vajza të sapo dala nga komunizmi, djem me xhinse të ngushta (nga ato ose të ardhura nga perëndimi, ose të blera nëpër tezgat ku shiteshin plaçka të përdorura) mbushnin shkallët e mermerta. Hiç. Ishte bërë pikë takimi. Aty pinin cigare, krijoheshin dashuri platonike, flirtime demokracie deri vonë në mesnatë. Piramida simbolizonte asgjënë, vetëm me një lloj vazhdimi jete që s’kishte lidhje me vdekjen më. Për lulet me erdhi keq. I shkatërruan dhe lulet kur dhunuan (me të drejtë) piramidën sepse e urrenin ngaqë mbartte kujtime të një diktatori. Tashmë edhe piramida në Tiranë ka mbetur një relike e faraonit që, si të tjerë, nuk triumfoi mbi kohën.

12 Janar 2013
New York