Jim Xhema paralajmëron themelimin e një fondi për ngritje profesionale të të rinjëve shqiptarë

Prishtinë, 15 shkurt 2023 – Jim Xhema, një autoritet i gjithëpranuar dhe shumë i respektuar në komunitetin shqiptar në Amerikë, një nga kontribuesit më të mëdhenj të lëvizjes për lirinë e pavarësinë e Kosovës dhe për zhvillim e prosperitet në hapësirën gjeografike shqiptare, ishte sot mysafir në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT), në Lipjan, në periferi të Prishtinës.

Në konferencën me temën “Kosova and New Urbanism: Resilience, Innovation, Technology, Sustainability and Investments” (Kosova dhe Urbanizmi i Ri: Qëndrueshmëria, Inovacioni, Teknologjia, Qëndrueshmëria dhe Investimet), e cila u organizua nga UBT, në bashkëpunim me Federatën Panshqiptare në Amerikë “Vatra” dhe Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare, z. Xhema përcolli një mesazh të fuqishëm për të rinjtë.

Ai tha se edukimi është esencial për zhvillimin e çdo vendi dhe theksoi se vetëm me arsim cilësor mund të sigurohet e ardhme më e mirë për shtetin dhe për kombin.

Zoti Xhema paralajmëroi se ai, bashkë me miqt e tij shqiptarë në Amerikë, do të themelojë një fondacion që do të ndihmojë arsimin dhe ngritjen profesionale të brezit të ri të Kosovës.

“Është imperativ që ju t’i merrni studimet shumë seriozisht. Pa ju dhe gjeneratën që tani rritet në Kosovë ne do të jemi në situatë të vështirë t’i zëvendësojmë gjeneratat e vjetra. Unë personalisht do të qëndroj i kyçur këtu, me ju, dhe do të siguroj fonde, personalisht dhe bashkë me miqt e mi, në mënyrë që t’i arrijmë qëllimet së bashku. Ne kemi arritur shumë, por udhëtimi juaj është i gjatë”, theksoi z. Xhema.

Ai iu drejtua me një mesazh të fuqishëm të rinjëve.

“Ju jeni shpresa dhe e ardhmja jonë”, theksoi ai.

Z. Xhema përcolli edhe mesazhe të forta bashkimi e bashkëpunimi për shqiptarët.

“Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjitha territoret ku jetojnë shqiptarët! Zoti e bekoftë Amerikën!”, uroi ai në pëfundim të fjalës së tij.

Fjala e z. Xhema u përshëndet disa herë me duartokitje të të pranishmëve.

This image has an empty alt attribute; its file name is Jim-Xhema-1.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të konferencës, e vlerësoi lart kontributin e diasporës, sidomos të diasporës shqiptare në Amerikë, për lirinë e pavarësinë e Kosovës, si edhe për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. Ai e veçoi sidomos kontributin e veprimtarit Jim Xhema, duke theksuar se Kosova i ka shumë borxh atij.

“Ka punuar tejet shumë, por për të është folur tejet pak. Prandaj, i kemi shumë borxh”, theksoi ai.

Kurti, në fjalën e tij, lidhur me temën e konferencës, tha se urbanizmi i ri, me primesat për të ndërtuar qytete më funksionale dhe me më shumë vlera estetike, e ka në qendër njeriun dhe natyrën.

“Urbanizmi i ri me primesat e tij për të ndërtuar qytete më funksionale dhe me më shumë vlera estetike, është ndër përpjekjet bashkëkohore për të ndërtuar qytete që kanë në qendër të vëmendjes njeriun dhe natyrën. Kështu bashkë e jo në kurriz të njëra tjetrës”, theksoi ai.

This image has an empty alt attribute; its file name is Albin-Kurti-ne-UBT.jpg

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ndër të tjera, tha se diaspora shqiptare në Amerikë nuk është vetëm kontribuuese financiare, por është model i urbanizmit modern, me zbatimin e praktikave më të reja dhe të standardeve më të larta në fushën e ndërtimit dhe urbanizmit.

“Këto praktika të mira duam t’i diskutojmë sot, në këtë konferencë. Diaspora nuk është vetëm kontribuues financiar, por model i urbanizmit modern. Sot kemi kompani shumë të njohura, të cilat kanë një lidership të fortë. Jim Xhema, përveç motivit patriotik, ka edhe një rol modern të ndërmarrësit”, tha Hajrizi.

This image has an empty alt attribute; its file name is Edmond-Hajrizi.jpg

Në konferencë morën pjesë edhe Elmi Berisha, President i Federatës Panshqiptare “Vatra”, Nazar Mehmeti, President i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Diasporë, Christopher Hyland, themelues i “Christopher Hyland Inc.” dhe drejtor i “Hylandtown”, Thomas Dillinger, President i AESOP, Mark Barrett nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ),  Përparim Rama, Kryetar i Komunës së Prishtinës dhe ekspertë të ndërtimtarisë, arkitekturës, ambientit dhe fushave të tjera të afërta me këto. 

Një prej objekteve të Kampusit Inovativ të UBT-së në Lipjan u emërua “Jim Xhema Building”, në shenjë mirënjohje dhe respekti për kontributin e jashtëzakonshëm të z. Xhema në vendosjen e urave të miqësisë mes Kosovës dhe Shtetetve e Bashkuara të Amerikës.

Një delegacion i komunitetit shqiptaro-amerikan, me veprimtarë e aktivistë të mëdhenj dhe afaristë shumë të suksesshëm në Amerikë, po e viziton Kosovën në 15 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

This image has an empty alt attribute; its file name is Christopher-Hyland-1.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Perparim-Rama-ne-UBT.jpgThis image has an empty alt attribute; its file name is Elmi-Berisha.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Konferenca-per-urbanizmin-UBT.jpg

(r.m.)

One Response to “Jim Xhema paralajmëron themelimin e një fondi për ngritje profesionale të të rinjëve shqiptarë”

Read below or add a comment...

  1. sami repishti, phd. says:

    Bravo Jim Xhema. Qofte gjest i juej nexitje per shume shqiptare me ndihmue arsimin akademik e teknik te Kosoves suej dhe timen. Fara qe keni mbjelle sot do te jap frytet e saja me sukses neser..