John Bolton dhe shqetësimi i shqiptarëve

Shtatë arsye se pse asgjë themelore nuk do të ndryshojë për Kosovën dhe shqiptarët

Nga Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Shumë shqiptarë e kanë pritur me një lloj shqetësimi emërimin nga presidenti Donald Trump, të ambasadorit John Bolton, në postin kyç të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare.

Arsyeja kryesore është se Bolton është një nga diplomatët e rrallë amerikanë që është shprehur kundër pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Argumentet e Boltonit ndryshuan disa herë, por për ta përmbledhur ai paraqiste pavarësinë e Kosovës si diçka që ishte në kundërshtim me interesat amerikane, si shkelje e ligjit ndërkombëtar, provokim i panevojshëm i Rusisë dhe një pikënisje për shpërthim të radikalizmit islamik në Evropë.

Shqiptarët nuk janë të vetmit që e shohin me dyshim emërimin e tij. Shumë nga kritikët e tij e akuzojnë si luftënxitës, si dikë që preferon përdorimin e forcës aty ku diplomacia mund të kishte mjaftuar. Në veçanti, disa janë të shqetësuar se Bolton është sjellë në kabinet nga presidenti Trump për të grisur Marrëveshjen gjashtëpalëshe me Iranin. Në bazë ta saj, Irani ka ndaluar prodhimin e armës bërthamore në shkëmbim të heqjes së bllokadës tregtare.

Trump, Bolton dhe një numër i madh politikanësh amerikanë janë të mendimit se Irani është duke e ndërtuar armën bërthamore gjithsesi. Sipas kritikëve të tyre, ata në fakt, thjesht duan luftën e radhës në Lindjen e Mesme. Ironia është se Trump u bë president pas një fushate ku u tall dhe kritikoi ashpërsisht angazhimet ushtarake amerikane në Irak dhe Afganistan. Po ai ka ndryshuar tashmë shumë nga qëndrimet e fushatës.

Për Korenë e Veriut, ai ka këshilluar një goditje paraprake që sipas tij do ta shpartallonte regjimin dhe do t’ia sabotonte aftësinë për të luftuar seriozisht. Deklarata si këto vetëm sa ia kanë rritur imazhin e dikujt që mund të veprojë në mënyrë të papërgjegjshme në krye të sigurisë kombëtare amerikane. Koreja e Veriut është peshë e lehtë për t’u ndeshur me Amerikën, mirëpo, pesimistët imagjinojnë skenarin ku një predhë e vetme me përmbajtje bërthamore arrin t’u shpëtojë raketave amerikane, duke vrarë nga dhjetëra mijëra deri në një milion vetë, në Korenë e Jugut, Japoni apo edhe në bregu perëndimor amerikan. Fitorja amerikane mund të humbasë shkëlqimin nëse vjen me një çmim të tillë.

Punët e botës po ua lëmë për momentin të tjerëve. Po sa duhet të shqetësohen shqiptarët në Ballkan për këtë emërim të John Bolton?

Paniku do të ishte pa vend. Madje edhe shqetësimi disi arkaik. Të mos harrojmë se kur John Bolton u deklarua me forcë kundër pavarësimit të Kosovës, ai nuk ishte më një diplomat në detyrë, por një komentues në media, e një studiues në institucionet e mendimit politik amerikan. Zyrtarët kur nuk janë më në detyrë shprehin mendime që shkaktojnë debate, por në detyrë ripërqafojnë vendimet dhe synimet e përcaktuara të shtetit amerikan.

E dyta, të mos harrojmë se Ambasadori Bolton ishte në atë kohë i inatosur me Presidentin George W. Bush dhe sidomos Sekretaren e Shtetit Condoleezza Rice. Ai ishte emëruar fillimisht Ambasador në detyrë i SHBA-së në OKB. Përballë pakënaqësisë në Senatin Amerikan dhe mes aleatëve të Amerikës për pikëpamjet e tij, administrata vendosi që ta zëvendësojë. Bolton nuk ua fali asnjëherë këtë ndryshim. Nuk është çudi pra, që nëse Bush dhe Rice do të dilnin kundër pavarësisë së Kosovës, Bolton të deklarohej si flamurtar i saj.

E treta, Bolton ashtu si është normale në SHBA ishte kundër njohjes së pavarësisë sa kohë që nuk ishte bërë akoma fakt i kryer. Ai vijoi të shprehej kundër saj edhe në javët e para, po qysh atëherë i është shmangur me kujdes temës. Mund të provokohet nga serbët dhe rusët që ta përsërisë dhe mbrojë qëndrimin e tij, po kurrsesi të diskutojë atë që është tashmë një e vërtetë e pakthyeshme. Pavarësia e Kosovës nuk e destabilizoi Ballkanin, përkundrazi rajoni ka mbetur në paqe e bashkëpunimi mes vendeve fqinje, madje edhe mes Prishtinës dhe Beogradit, ka ardhur duke u përmirësuar e forcuar.

E katërta, edhe sikur Bolton të kishte mbetur armik i pavarësisë së Kosovës (e pamundur duke pasur parasysh heshtjen e tij 10-vjeçare, po për hir të argumentit), ai nuk do të kishte kohë që të merrej me të. Ai po hyn në kabinetin Trump për t’u angazhuar në fazën e dytë të presidencës, ku të gjithë kohën do t’ia hajë përplasja me Kinën pas fillimit të luftës tregtare, takimi i Presidentit Trump me diktatorin koreanoverior, dhe mbi të gjitha hartimi i një politike të re izoluese dhe luftuese ndaj Iranit dhe regjimit të Ajatollahëve.

Kjo e fundit, më shumë se puna e Kosovës do ta vendosë ambasadorin John Bolton, në radarin e shqiptarëve. Për ata që nuk e kanë vënë re, apo e kanë harruar, Bolton vizitoi Shqipërinë plot një vit më parë, me rastin e festës së Nevruzit, për të festuar së bashku me opozitën e regjimit të Ajatollahëve, që është strehuar në Shqipëri. Këto ditë vizitën e radhës e kreu një tjetër personalitet i afërt me presidentin Trump, Rudy Giuliani. Nëse Bolton do të hartojë një plan që përfshin nxitjen e rrëzimit të regjimit në Iran, muxhaedinët e strehuar në Shqipëri do të jenë pa dyshim pjesë e tij. Cilat mund të jenë pasojat për Shqipërinë është vështirë ta imagjinosh. Ndoshta nuk do të ketë asnjë pasojë, po Tirana ka më shumë arsye se Prishtina që të ndjekë pasojat e emërimit të tij.

E pesta, Bolton është shquar si një nga zërat më anti-Kremlin në SHBA. Edhe me një President që është simpatizues i Putinit, antipatia mbetet. Ajo madje mund të marrë përmasa të tjera sepse Rusia ka investuar shumë në Iran dhe nuk dëshiron një prishje të marrëveshjes, aq më pak një eliminim të kundërpeshës së Iranit ndaj Arabisë Saudite dhe influencave të tjera në rajon. Moska madje është përfshirë në farkëtimin e një trekëndëshi të paimagjinueshëm pak vite më parë: Rusi-Turqi-Iran. Të tre vendet mund të kishin hyrë në luftë me njëra-tjetrën për shkak të përplasjes së interesave në Siri, mirëpo druajtja nga kostoja e atij skenari dhe kundërshtimi i përbashkët ndaj një shteti të mundshëm kurd, i ka kthyer në aleatë. Jo pak kanë ndikuar grushti i dështuar apo i sajuar i shtetit në Turqi, prishja e marrëdhënieve mes sauditëve dhe turqve dhe sigurisht mos aprovimi mbarëperëndimor për çimentimin e Erdoganit si President i plotfuqishëm në vend, në kurriz të lirisë së medias, funksionimit të opozitës, gjyqeve të papolitizuara dhe të paqes me pakicën kurde.

Që të rikthehemi te çështja jonë, vështirë se Bolton do të pranojë diktatin rus në Ballkan, aq më tepër kur marrëdhëniet Moskë-Washington do të vijnë duke u keqësuar në mënyrë të pashmangshme pavarësisht nga ndjenjat dhe preferencat e presidentit Trump.

E gjashta, Bolton nuk do të jetë Sekretar Shteti, postin që ka ëndërruar, por Këshilltar për Sigurinë Kombëtare. Një arsye e thjeshtë është se ky post është i vetmi në kabinet që nuk kërkon miratimin nga Senati Amerikan. Nuk është sekret, se jo vetëm Demokratët, po as Republikanët në Senat nuk do të votonin për Boltonin. Nuk e deshën për Ambasador në 2005, nuk e duan në kabinetin presidencial as sot.

Ngjitja e tij, në kabinet do ndodhte herët a vonë. Shumë shqiptarë dhe jo vetëm ata kanë mbajtur frymë nga perspektiva e Boltonit në kabinet. Në vitin 2008, në 2012 dhe në 2016. Të gjithë kandidatët kryesorë republikanë për presidentë e kanë pasur në krye të listës për Sekretar Shteti. Madje edhe John McCain e Mitt Romney. Shumë shqiptarë në SHBA kanë pasur një arsye më shumë për të votuar për një president demokrat nga dyshimi që kanë pasur për ambasadorin Bolton. Tani ky “ankth” me apo pa bazë do të shuhet njëherë e përgjithmonë. Ndoshta është më mirë që ai vjen në pushtet tani, kur Kosova është punë e kryer, kur vëmendja ka shkuar tjetërkund dhe kur ai nuk është më aq influences sa në vitet e mëparshme.

E fundit, do të shohim se sa gjatë do të qëndrojë Bolton në Administratën Trump, ku zyrtarët më të lartë po qarkullojnë e zëvendësohen me një shpejtësi relativisht të madhe. Trump nuk është një president i zakonshëm dhe koha ka treguar shumë shpejt se është vështirë për figura me personalitet që të qëndrojnë nën hijen e tij. Përplasjet e mbrapaskenës duken të pashmangshme. Bolton është gjithashtu një personalitet i vështirë. Jo më kot, në vite, ka krijuar kundërshtarë e pakënaqësi të shumta. Ai mund të lulëzojë nën drejtimin e presidentit Trump, por është më shumë e mundshme që një konflikt të shpërthejë mes të dyve. Trump vjen nga një botë, ku është mësuar t’i qëndrojnë në këmbë, Bolton për një dekadë e gjysmë ka shijuar lirinë e të mos qenit në detyrë, ku ka thënë e ka bërë çfarë ka dashur. Mund të krijojnë një duet shumë të mirë, po edhe mund të përplasen në mënyrë të tmerrshme. Koha do ta tregojë.

Deri atëherë, shqiptarët mund ta ndjekin se çfarë do të bëjë njeriu të cilit i janë druajtur aq shumë. Është e natyrshme që do të kishim dashur dikë tjetër të emëruar për atë post. Po, sipas gjasave, vështirë se do të ndryshojë ndonjë gjë themelore, për ne e për Kosovën.