Jonathan Moore sërisht në Shqipëri për krizën e KQZ-së dhe tre ligjet

Drejtori për Europën Qendrore dhe jugore në Departamentin e Shtetit zhvillon takime në Tiranë

 

Nga Tirana, Aristir Lumezi

 

Kriza e KQZ-së sjell në Tiranë Drejtorin për Europën Qendrore dhe jugore në Departamentin e Shtetit Jonathan Moore. Kjo është vizita e dytë e tij brenda pak muajve në Shqipëri dhe kryefjala e shqetësimeve të tij ka qenë situata në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Vetëm një muaj para datës së votimit, KQZ ende mbetet e paplotësuar me tre anëtarët që i përkasin opozitës, ndërsa nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është thënë në mënyrë të përsëritur se nuk do të çojë anëtarë të rinj në KQZ ka u bërë riformatimi i plotë i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ngërçi në këtë institucion erdhi pas shkarkimit nga maxhoranca parlamentare e anëtarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në këtë komision, Ilirjan Muho, pas shkëputjes së kësaj partie nga koalicioni qeverisës dhe bashkimit me koalicionin opozitar tre muaj para zgjedhjeve parlamentare.

Shkarkimi i Muhos solli një reaksion zinxhir ku dy anëtarët e Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhanë dorëheqjen, veprim që u pasua dhe nga anëtari i propozuar nga PBDNJ, partia e minoritetit grek në Shqipëri, Jani Jani. Për maxhorancën mbetja e KQZ me katër anëtarë nuk përbën asnjë problem, pasi vendimet që do të kërkojnë një shumicë të cilësuar, 5 me 2, do t’i kalohen Kolegjit Zgjedhor. Por vështirësitë në këtë vendimmarrje janë vënë re dhe javën e ardhshme, kur komisioni nuk mund të merrte vendimin për miratimin e manualit për trajnimin e komisionerëve, vendim që kërkonte 5 vota në këtë komision.

Kryetarja e KQZ-së kërkoi që të lihej në fuqi dhe të përdorej një vendim i miratuar nga komisioni i kaluar, ligjshmëria mbi të cilin ai vepronte kishte ndryshuar me ligjin e ri zgjedhor.

Në vizitën e fundit të zhvilluar në Tiranë me politikanët shqiptarë, Jonathan Moore mori garanci prej tyre se do të njohin rezultatin e zgjedhjeve. Por mungesa e një vendimmarrje për të plotësuar vendet vakante në KQZ është një premisë që mund të çojë në mosnjohjen e rezultatit nga koalicioni humbës. në këtë situatë, zyrtari i lartë i departamentit të Shtetit, Moore, do të bëjë përpjekjen e fundit për të zgjidhur ngërçin e krijuar me komisionin qendror të zgjedhjeve.

Nga ana e tij, kryeministri Berisha nuk ka pranuar propozimin e opozitës për riformatim të këtij komisioni, por i ka kërkuar atyre të dërgojnë në KQZ anëtarët e rinj të këtij komisioni. Zgjidhjes së ngërçit të KQZ-së i ka shërbyer dhe një takim i ambasadorit amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama pak ditë më parë në selinë e PS-së.

“Ne vijojmë të bisedojmë me miqtë tanë të besuar dhe partnerët, duke tentuar për të kuptuar nëse ekziston mundësia që partitë të punojnë së bashku për të bërë të mundur konstituimin e plotë të KQZ-së në mënyrë që jetë plotësisht funksionale për t’i shërbyer nevojës së zgjedhjeve. Ne bisedojmë edhe me parti të tjera dhe do të vijojmë ta bëjmë këtë. Gjithmonë jam optimist për një zgjidhje, por gjithashtu jam realist. Ne dëgjojmë dhe lexojmë me shumë vëmendje deklaratat e Kryeministrit, zotit Rama dhe zotit Meta, por ata natyrisht s’janë ende afër një zgjidhjeje”, tha ambasadori Arvizu pas takimit me kryesocialistin Rama.

Pas këtij takimi, Arvizu ka pasur një drekë me kryeministrin Berisha. Asnjë rezultat deri më sot. Por kryeministri Berisha shtyu për të enjten mbledhjen e parlamentit në një seancë të jashtëzakonshme për votimin e tre ligjeve që BE kërkon për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë, ndërkohë që më parë kishte kërkuar mbledhjen e parlamentit ditën e hënë, 27 maj 2013. Duket se vizita e Jonathan Moore në Tiranë ka qenë shkaku i kësaj shtyrje. Takimet e tij me politikanët shqiptarë, pritet të përfshijnë në votimin parlamentar të tre ligjeve për integrimin e vendit, edhe plotësimin ose riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.