Joseph: Kosova është shumë më demokratike se Serbia

Uashington, 8 nëntor 2021 – Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, ka thënë se nuk e di arsyen përse Kosova nuk është ftuar të marrë pjesë në Samitin për Demokracinë, të organizuar nga presidenti i Sheteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Joseph ka thënë se nuk e di nëse arsye për mungesën e ftesës është refuzimi i projektit për ndërtimin e infrastrukturës së gazit, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit Qeverisë së SHBA-së (MCC) apo mungesa e progresit në dialogun me Serbinë.

Por, ai ka theksuar se Kosova ka përmbushur standardin e kërkuar për demokraci,duke shtuar se Kosova është vend me orientim të fuqishëm drejt Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

Joseph ka thënë se Kosova është shumë më demokratike se Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat gjithashtu nuk janë ftuar në këtë samit.

“Kosova, në mënyrë ironike, është shtet aq i ri, por është edhe një nga demokracitë më të fuqishme në Ballkan, me sistem shumëpartiak, me media të lira, me një qeveri që lufton korrupsion dhe krimin e organizuar. Dhe këto veprime janë në kundërshtim me trendet në rajon. Në Serbi ka trend autokratik. Kosova nuk mund të krahasohet as me jofunksionalitetin në Bosnjë”, ka deklaruar Joseph për Radion Evropa e Lirë.

Samiti për demokracinë shihet si një prej përpjekjeve kryesore të presidentit amerikan, Joe Biden, për të kthyer SHBA-të në rolin e liderit global, për t’u përballur me Rusinë dhe me Kinën.

(r.m.)