Joseph: Marrëveshja Kosovë – Serbi s’mund të arrihet pa zhbërjen e levave të Serbisë mbi Kosovën

Uashington, 5 shkurt 2022 – Edward P. Joseph, profesor në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, ka thënë se vizita e përbashkët e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë dhe Beograd ishte një përpjekje e qartë për të nxitur rinisjen e dialogut.

 “Vizita e përbashkët qartësisht është një përpjekje për të rinisur dialogun që ka ngecur pas një pauze të gjatë dhe një sërë ngjarjesh të diskutueshme që ndodhën në vjeshtë. Ne nuk duhet të harrojmë mosmarrëveshjen për targat e makinave në shtator, që nxiti dislokimin e avionëve luftarakë serbë dhe automjeteve të blinduara – së bashku me një vizitë pranë kufirit të ambasadorit rus ose zhurmën që u shkaktua në Serbi pas dislokimit të koordinuar të policisë në veri, për të arrestuar anëtarët e një rrjeti të krimit të organizuar. Ne po ashtu nuk duhet të harrojmë se dialogu ka ngecur përpara se të zgjidhej Qeveria Kurti vitin e kaluar. Bisedimet dështuan gjatë Qeverisë së mëparshme të Hotit, jo shumë kohë pasi Marrëveshja e Uashingtonit u nënshkrua në shtator të vitit 2020. Pra, vizita e Lajçakut dhe Escobarit është një përpjekje e natyrshme për të rinisur procesin, që me sa duket është ndërtuar rreth avancimit të diskutimit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka thënë Joseph, në njëintervistë për Radion Evropa e Lirë.

Joseph ka thënë nuk është e pritshme  që një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Kosovës e Serbisë mund të arrihet shpejt. Ai ka thënë se Serbia nuk është e gatshme për këtë marrëveshje.

“Në dhjetor, ministri i Jashtëm serb, Selakoviq, deklaroi sërish se ‘Kosova është sfida kryesore politike dhe ushtarake për Serbinë’. A tingëllon ky si një qëndrim i një qeverie që është e gatshme të negociojë një zgjidhje? Por, kjo shkon përtej deklaratave. Shikoni veprimet që ndërmerr Beogradi që ta mbajë Kosovën të izoluar ndërkombëtarisht, duke vrapuar nga Irani në Surinam, në Greqi dhe deri në Afrikë…. dhe në organizata e forume ndërkombëtare, siç është INTERPOL-i. I bën të gjitha këto për ta mbajtur Kosovën të izoluar dhe të dobët. Për mua ky nuk është një sinjal i një qeverie që po kërkon të negociojë një zgjidhje”, ka thënë Joseph.

Ai ka theksuar se për mosarritjen e marrëveshjes penalizohet vetëm Kosova.

“Vetëm Kosova penalizohet nga mospasja e një zgjidhjeje dhe jo Serbia”, është shprehur Joseph.

Ai ka thënë se një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë mund të arrihet me zhbërjen e “levave të Serbisë” mbi Kosovën.

“BE-ja dhe SHBA-ja janë plotësisht të afta që të ndërmjetësojnë një zgjidhje dinjitoze dhe të qëndrueshme sapo njëra palë, Serbia, të mos i ketë në dorë të gjitha levat e ndikimit. Në këtë kontekst do të evoluojnë edhe qëndrimet brenda Serbisë për Kosovën. Pa levat e ndikimit mbi Kosovën, regjimi do të bëjë një llogaritje të re strategjike dhe në fund do të duhet të përballet me pyetjen nëse Serbia është në një linjë me SHBA-në dhe BE-në si një demokraci, në paqe me fqinjët e saj, apo është në linjë me armiqtë e Perëndimit dhe me forcat anti-demokratike. Më lejoni të shtoj se një pushtim i mundshëm rus i Ukrainës do të ekspozojë edhe më qartë se ku qëndron aktualisht regjimi i Vuçiqit”, ka theksuar Edward Joseph, në intervistën për Radion Evropa e Lirë.

(r.m.)