Ju që shkatërruat PD-në!

Mimoza Dajci

Mimoza Dajci

Kur kemi dy minuta kohë shpesh na bie të mendojmë se nga vimë e ku shkojmë? Vendin se ku kemi lindur e rritur e dimë, por se ku jemi akoma nuk e dimë. Na detyruat të “braktisim” e të “harojmë” atdheun. Kush? Vrasjet papunësia, varfëria, pasiguria e jetës. Nuk janë të pakta vrasjet që ndodhën në Shqipëri edhe në periudhën e tranzicionit, qofshin kohë fushate apo jo. Pas 23 vitesh, pas përmbysjes së rregjimit diktatorial në Shqipëri u gëzuam të gjithë që e hodhëm poshtë qelbësirën – Nexhmijen, përmbysëm bustin e diktatorit Hoxha. Vendi pas asaj periudhe duhej patjetër të udhëhiqej nga ata që vuajtën, nga ato personalitete që u burgosën politikisht e fëmijët e tyre. Po kush ti linte të ishin në drejtimin e vendit, kush i la ata të ngrinin zërin?
Kush e ngrinte zërin nëpër takimet e ndryshme politike të PD të nesërmen do të hidhej baltë mbi ata, do të shikoheshin si armiq e me urrejtje nga udhëqësit e saj, ose do të fshiheshin nga lista e kësaj partie.
Kam qenë antare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, gjithmonë flisja e vija në dukje ato të meta e gabime që nuk më dukeshin në rregull, shikoja e kritikoja për ato raste që duheshin riparuar në kohë. Flisja për të drejtat e mohuara të gruas ish të burgosur e të persekutuar politike, por të nesërmen isha e përjashtuar edhe nga Lidhja e gruas. Kush më largoi, Berisha? Jo, larot e servilët e PD, frikacakët, sahan lëpirësit e sahan lëpirëset, ish bashkëpunëtorët e punëtoret e sigurimit të shtetit, që nuk lanë vend pa shëtitur në kohën e komunizmit. Emrat nuk kam nevojë tja u shkruaj këtu se janë shumë, pastaj çkuptim do të kishte, ju i dini vetë se kush jeni e kush janë.
Mos fol nëpër kongrese e takime të PD më tha një herë Miranda ish pedagoge e Institutit të lartë Bujqësor, sepse nuk bën dot karierë në politikë. Nuk isha për karierë në PD, e ndjeja se sa kishte vuajtur populli ynë nën atë shtypje të madhe 50 vjeçare, e dija se çfarë ishte uria, burgu politik apo pushkatimi pa gjygj nga pjestar të familjes, e dija se çfarë ishte lufta e klasave, diskriminimi për mos dhënie të lartë studimi, punësimi, sport e art. Etj, etj. Vërtetë nuk kam qenë e internuar, por kam jetuar si “delja e zezë mes të bardhëve”.
Pas viteve 90, kam bashkëpunuar nga afër me shtresën ish të persekutuar politike, kam parë nga afër burgjet politike, kampet e internimit, kam marë pjesë në rivarrimin e eshtrave të të pushkatuarve politik me apo pa gjygje. E pa haruar do më mbetet në kujtesë rivarrimi i djemve të familjes Mena, të cilët komunizmi i goditi pa mëshirë në palcë si familje. I kam dëgjuar e parë nga afër hallet e vuajtet e kësaj shtrese, kam shkruajtur në Shqipëri dhe në SHBA për ato gra ish të burgosura politike, dhe ish të burgosur politik. E si mos të ndjeja dhimbje për këtë shtresë e persekucionin e saj të rëndë që kishte përjetuar padrejtësisht në jetë. Prandaj edhe e ngrija zërin në forumet e PD, po kush më dëgjonte!!! ???
PD u kthye në parti të punës. Edhe në PD sunduan ish të privilegjuarit e rregjimit komunist, ish dosjexhinjtë e sigurimit të shtetit, dhe kur flisje për diçka të padrejtë të shikonin shtrembër, e bënin çmos, për të gjetur anën për të flakur nga PD. Nuk ishte vetëm Sali Berisha që i ka të gjitha fajet në PD. Të parët i kanë ata që ishin poshtë tij, pasi varej se si i a servirnin problemin, dmth si i interesonte atyre, dmth të jagove, që prej tyre u dogj sot PD. Ata që i lëpiheshin për një post e një kolltuk në parlament. Të gjithë duhen të largohen, se të gjithë na turpëruan. Por më parë të kërkojnë të falur, e të japin llogari për atë “masakër” që i bënë PD duke larguar njerëzit më të mirë të saj, qofshin ish të persekuatuar politik apo njerëz me figur të pastër. Ndërkohë që populli liridashës e paqedashës i kishte sytë e shpresën vetëm tek Partia Demokratike.
E kam thënë edhe më parë nëpër shkrime të tjera, pse askush nga ata individë që u lakohet shpesh herë emri si ish bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit nuk jep përgjigje publike nëse ka qenë apo jo pjesë e atyre dyerve të ndyra. Pse heshtin, apo duan të fshihen e të përfitojnë akoma. Më fal Znj. Topalli ju humbët si parti në mënyrën më të ulët në Shkodër, gati për 30 vota u dogjët edhe vetë në lagjen ku u lindët e u rritët, dikush nëpër shkrime aludon me figurën tuaj se keni qenë bashkëpuntore e sigurimit me pseudonimin “dizinjatorja”. A është e vërtetë që keni qenë e tillë apo ja fut kot mileti. Po ose jo, si do që të jetë ju duhet te jepni një përgjegje.
Ju dhe larot tuaj detyruat që një pjesë të mirë të demokratëve të mernin rrugët e kurbetit, pasi nuk kishin punë, u kërcënohej jeta nga x apo y e këto janë fakte, janë të vërteta. Tregoni të vërtetën keni qenë apo nuk ke qenë bashkëpuntore e sigurimit, sepse për gruan ish të burgosur e të persekutuar politike nuk keni bërë asnjë gjë, të paktën deri në nëndor të vitit 2000, kur isha pjesë e Shoqatës së Gruas ish të Burgosur e të Persekutuar Politike. Pse nuk i afroje ato gra, mes tyre shumë intelektuale që u dergjën burgjeve padrejtësisht nga një spiunim i asaj spiune apo atij spiuni që sot janë akoma ndoshta deputet të parlamentit shqiptar.
Nuk e ka fajin vetëm Berisha për të gjitha, por edhe ju këshilltarët e tij që nuk ditët ta ndalonit e ta këshillonit nëse ai po gabonte. Seicili nga ju që qeverisi për 8 vjet vendin gaboi e bëri faje, nuk ka se si të shpjegohet ndryshe, përderisa ndodhi gjithë ajo shkërmoqje e PD në këtë mënyrë. Përgjegjësi e keqardhje ndjej edhe unë si ish antare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, e jo më një qytetar i thjeshtë që sakrifikonte nga jeta e tij për PD. Harxhonte shumë kohë nga koha e tij nëpër protestat e përditshme të PD, nëpër rrugët e Tiranës apo rrethe. Mitingje pa fund. Larg familjes, sepse do të shkonte tek PD në miting të PD, një investim i humbur për të gjithë ata simpatizantë e dashamirës të PD. E rezultati u pa në zgjedhjet e 23 qershorit, ju i zhgënjyet i përlotët, i mashtruat. Po, po ju, e të gjithë ata që mund të jenë me dosje në atë PD.
Dhe të larguarit nga PD nuk janë një e dy, por me qindra, të gjithë jashtë vendit apo në heshtjen e tyre. Kush i largoi, ata e dinë se nga vinë por i vjen keq pse shkuan aq larg, dhe e dinë pse shkuan. Edhe ai ose ajo që e detyroi apo i kanosi jetën e di shumë mirë sepse u larguan të gjithë ata ish themelues të PD apo edhe në vitet më pas. Shkaku është akoma aty brenda. PD ka akoma vend për pastrim.
Shumë të rinj e rrethun Berishën në ditën e largimit të tij nga funksionet e PD, afroini ata të rinj, jepini poste në PD, dorëzojani mandatet e stafetën atyre. Ata janë e ardhmja dhe fëmijët e ish të persekutuarve politikë, e jo ju që humbët zgjedhjet me turp. E për këtë nuk e ka fajin vetëm Berisha, siç vetë ai deklaroi pas humbjes, por edhe ju të gjithë si pjesë e asaj partie, qeverie e pjesë abuzive e saj. Nëse Berisha po gabonte, nëse ai po bënte një apo dy faje, po ju njëqind të tjerët ku ishit, pse e lejuat që ai të gabonte. Mirë ai gaboi apo bëri faj, por mos haroni se pasojat ranë në kurriz të popullit. Sigurisht unë nuk mohoj arritjet e sukseset e qeverisë Berisha, të cilat nuk janë të pakta, përkundrazi shumë të rëndësishme e me vlera të mëdha për kombin. Por dua të them se edhe ju jeni bashkëgabues e bashkëfajtor. Të gjithë duhet të kërkoni falje në popull e të tregoheni transparent se ku gabuat dhe pse. Megjithëse gabimeve e fajeve të PD i kishte dalë era me kohë, por reflektimi juaj duhet të bëhet o sot o kurrë.
Mos tju duket çudi por edhe mua më vjen keq për humbjen e PD, kam investuar kohën time për arritjet e sukseset e saj këtu e 23 vite të shkuara së bashku me tim atë e time bijë që kur ishte ende fëmijë. Po sa të tillë ka, që kanë sakrifikuar shumë për demokracinë në Shqipëri apo që kanë mbetur heronj të saj, kush e do tja lehtësojë dhimbjen atyre?
Fëmijët e vegjël në plazh zakonisht ndërtojnë gjithë pasion e dashuri një kala me rërë në breg të detit, por kur vjen vala e ia rëmben ata mërziten, qajnë. Shkatërrimi i asaj kalaje me rërë është një fenomen natyror i baticës e zbaticës së ujit, por në rastin konkret ky shkatërrim që i ndodhi PD është fatal e duhet të jepen shpjegimet e përgjegjësitë e veta.
27 qershor, 2013