Kabineti i Kurtit vë në dyshim datën e përmendur për vazhdimin e dialogut me Serbinë

Prishtinë, 26 prill 2021 – Kabineti i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, vë në dyshim vazhdimin e dialogut më 11 maj, siç ka paralajmëruar të hënën Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se Kryeministri Kurti nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj. Madje, ai ka theksuar se kjo datë mund të jetë dakorduar me Beogradin, por jo edhe me Prishtinën.

“Datat, vendet dhe agjendat e takimeve kanë kuptim dhe zbatim kur merremi vesh, jo kur imponohen njëanshëm”, ka shkruar ai, në një postim në Facebook.

“Datat, vendet dhe agjendat e takimeve kanë kuptim dhe zbatim kur merremi vesh, jo kur imponohen njëanshëm”, ka theksuar ai

Kryeziu konfirmoi se të martën, më 27 prill kryeministri Kurti do të udhëtojë në Bruksel, për takime bilaterale me krerët e institucioneve të BE-së dhe me kreun e Qeverisë së Belgjikës.

Dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011, me bisedimet për çështje teknike, por në vitin 2012 ka evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i inkurajojnë të dyja palët që të vazhdojnë dialogun për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë thënë se do të mbështesin çfarëdo marrëveshjeje që dotë arrihet nga palët, kurse Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe administrate e tij kanë përsëritur në disa raste se marrëveshja Kosovë -Serbi duhet të bazohet në njohjen reciproke.

(r.m.)  

Comment

*