E di fare mirë ç’është euforia nacionaliste, patriotizmi mburravec e folklorik…

Pjesë nga intervista për revistën “Zëri” 1997 publikuar nga grupi në facebook “Kadare for “Nobel” Prize”
 
 
«Zëri»: Këmbëngulni fort në mbrojtje të dinjitetit të vlerave shqiptare, jeni shprehur shumë herë kundër racizmit antishqiptar e sidomos atij racizmi kulturor. Mendon se ky racizëm vazhdon?
 
KADARE: Mendoj se po. Kur themi racizëm nënkuptojmë një reaksion që vjen nga jashtë, nga një tjetër rracë.
 
Racizmi kundërshqiptar ka një karakteristikë të veçantë se ndihmohet pabesisht nga vetë shqiptarët.
 
Kam folur gjatë për këtë e nuk dua të zgjatem. Kur mbroj vlerat e kombit që i përkas kjo s’do të thotë se nuk ja njoh, madje nuk ja denoncoj veset.
 
Po të shkallmosh gjithçka duke nisur nga gjuha shqipe, ta përqeshësh atë që është ndër shtatë gjuhët themelore të Evropës, kjo është për të vënë vajin.
 
Dhe këtë e bëjnë intelektualët e shitur shqiptarë. E natyrisht me ta bashkohen ca horra të huaj, ata që si njeh kush në vendin e vet, e që vijnë të bëhen arbitra në kulturën shqipe.
 
Dua të më kuptoni drejt: unë e di fare mirë ç’është euforia nacionaliste, patriotizmi mburravec e folklorik, unë e di fare mirë se një popull është i qytetëruar kur kultura e tij godet dhe qorton mungesat dhe veset e tij.
 
Unë i njoh fare mirë mungesat e popullit që i përkas: kapardisjen e padurushme shqiptare, etjen për tu dukur, smirën, prirjen për përçarje e gjer tek ajo më e rënda e shfaqur kohët e fundit : prirjen për shkatërrim.
 
Por unë i njoh, gjithashtu, veset e popujve të tjerë, lemeritë që kanë kryer, krimet, vogëlsinë shpirtërore dhe cinizmin.
 
Është kjo që më bën të kem një vizion të qartë të përgjithshëm të kësaj çështjeje”…