Kadilli: PD në prag të ndarjes. As Basha e as Berisha s’janë zgjidhje

Tiranë, 18 dhjetor 2021 – Ish-kandidati për kryetar të PD-së Fatbardh Kadilli mbajti pasditen e së shtunës fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike në Pallatin e Kongreseve.

Duke iu qëndruar deklaratave që bëri në Kuvendin e 11 Dhjetorit, Kadilli deklaroi se e vetmja mënyrë që PD të ecë përpara është që kryedemokrati Lulzim Basha të tërhiqet dhe që ish-kryeministri Sali Berisha të mos kandidojë në garën për kreun e ri të partisë. Sipas tij, e djathta ka nevojë për ndryshimin dhe për një lider të ri, por ky s’mund të jetë as Lulzim Basha dhe as Sali Berisha.

Fatbardh Kadilli deklaroi se demokratët prej muajsh “gëlltisin gënjeshtrën” se kriza në PD nisi më 9 shtator, kur në fakt, sipas tij, problemet e vërteta nisën më 26 prill kur Basha nuk dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve.

Keni disa muaj që gëlltisni gënjeshtrën që krijohet. Gënjeshtra e parë është se kriza nisi më 9 shtator… se u cënua Sali Berisha. I keni harruar betejat e tjera të rëndësishme në të cilat kriza ishte brenda…PD udhëhiqet nga një njeri që nuk e ka problem humbjen. Shkaku i krizës është mos ndryshimi.  Verbërinë dhe arrogancën tuaj për të mos ndryshuar e shfrytëzoi Berisha. E kam me ju Basha.”

Ish-kandidati për kryetar të PD, duke iu drejtua Bashës duke i thënë se falë “arrogancës së tij shumë demokratë janë sot të dëshpëruar dhe po arrijnë të shohin si opsion Berishën si zgjidhje për të ardhmen”.

PD nuk ka nevojë për t’u konservuar por për t’u modernizuar. Të përparojë sa më parë për t’u shndërruar në një parti evropiane. Nëse jeni pro-amerikanë, lejoni demokracinë, mendimin ndryshe, ndëshkoni udhëheqësit humbës duke i larguar, mos u mbyllni në seli. PD gjendet në prag të ndarjes përfundimtare në dy parti.”

Për Kadillin, PD-në nuk e sjell në pushtet as Basha dhe as Berisha, por një ekip i ri me ide të reja. Kujtojmë se në Kuvendin e 11 Dhjetorit, Fatbardh Kadilli i kërkoi ish-kryeministrit Berisha që të “hapë krahun e të largohet” pasi e djathta ka nevojë për një lider të ri.

(abcnews.al)