Kadri Veseli lirohet për vizitë tri-ditëshe në Kosovë, për arsye familjare

Prishtinë, 2 maj 2021 – Ish Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është liruar nga Gjykata Speciale për një vizitë tri-ditëshe në Kosovë. Ai është lejuar që të vijë në Kosovë, për të vizituar babain e tij, i cili është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, ka treguar se vizita është lejuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, për arsye humanitare. 

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë, për të takuar familjen e ngushtë, ka shpjeguar ajo.

Griep ka treguar se gjatë qëndrimit në Kosovë, Veseli do të tajtohet si i paraburgosur. Ai do të shoqërohet nga zyrtarët e Gjykatës Speciale, me asistimin e pjesëtarëve të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

“I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po i mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftimin e zëdhënëses së Gjykatës Speciale.

Zëdhënësja e EULEX-it, Donika Berisha, ka konfirmuar se zyrtarët e EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës afrojnë asistencë për zyrtarët e Gjykatës Speciale.

“Ne [EULEX] dhe Policia e Kosovës jemi në asistencë të Gjykatës Speciale”, është shprehur Berisha për KlanKosova.tv.

Televizioni Klan Kosova raportoi se zoti Veseli sot e ka vizituar babain e tij, i cili është I shtruar në Spitalin “Dr Sami Haxhibeqiri”,në Mitrovicë. Pjesëtarë të personelit të spitalit kanë thënë se forca të shumta të sigurisë kanë qenë të pranishme  në ambientet e spitalit, gjatë vizitës së z.Veseli.

Klan Kosova mëson se babai i Veselit kishte pësuar një sulm në tru dhe tani është duke u trajtuar në repartin e neurologjisë.

Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të gjithë ish-drejtues të lartë të Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës, akuzohen për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit të kryeranë periudhën  1998-1999. Gjykatësi i procedurës paraprake i ka refuzuar kërkesat e mbrojtësve të tyre për lirim të përkohshëm nga praraburgimi. Kjo kërkesë është refuzuar edhe nga Dhoma e Apelit e Gjykatës Speciale.

(r.m.)

Comment

*