Kamala Harris, presidente për disa orë

Nga Ruben Avxhiu

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kenë më në fund një grua në detyrën e presidentit, ndonëse vetëm për më pak se një ditë.

Presidenti Joe Biden nënshkroi një dokument formal që ia kalon pushtetin zv-Presidentes Harris, gjatë kohës që do të jetë nën anestezi, gjatë kontrollit të rregullt të kolonoskopisë.

Biden do të ndodhet për një pjesë të ditës së premte, në Qendrën Mjekësore “Walter Reed”, ku zakonisht shtrohen presidentët për kontrollin e përvitshëm fizik, i pari që kryen si president.

Kolonskopia është e domosdoshme pas moshës 50 vjeç në SHBA dhe të paktën dy presidentë të tjerë e kanë kryer këtë kontroll në mijëvjeçarin e ri, George W Bush dhe Donald Trump. Biden, i cili mbush 78 vjeç në 20 nëntor, është më i vjetër jo vetëm se ata por edhe se çdo president tjetër në historinë e Amerikës.

Për kuriozitet, George W Bush nënshkroi një dokument të ngjashëm duke lënë zëvendësin e tij Dick Cheney në pushtet gjatë anestezisë, kurse Donald Trump, të paktën sipas një libri nga Stephanie Grisham,ish-zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, refuzoi të nënshkruante dokumentin që do t’ia linte pushtetin në duart e Mike Pence.

Kalimi i pushtetit është vetëm një akt protokollar rutinë, më shumë si masë për çdo rast ekstrem. Grisham shkruan se Trump fshehu lajmin se po bënte testin e kolonoskopisë edhe sepse nuk donte që ta tallnin humoristët e emisioneve të natës së televizionit amerikan.

Trump ka hedhur poshtë anekdotat e treguar në libër duke thënë se Grisham nuk ishte e zonja në punën e saj dhe se ka mbetur e zemëruar dhe e hidhëruar nga ndarja me bashkëshortin, një tjetër zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Një rast më ekstrem i kalimit të pushtetit te zëvendës-presidenti në kohën moderne ka qenë kur Ronald Reagan u plagos në një sulm me armë në 1981 dhe përpara operacionit urgjent kaloi pushtetin në duart e zëvendësit të tij George HW Bush.

Rasti i Kamala Harrisit është i veçantë pikërisht sepse SHBA nuk ka pasur kurrë një grua presidente. Nga ana tjetër fakti që gjatë këtyre orëve do të punojë nga zyra e saj pa kaluar në Zyrën Ovale ku rri zakonisht presidenti, është tregues që bëhet fjalë vetëm për një proces formal që nuk ndryshon ndonjë gjë thelbësore në punën e përditshme të Shtëpisë së Bardhë.