Kamberi: Serbia duhet të flasë me ata që ua ka vrarë fëmijët

Beograd, 22 qershor 2021 – Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë një proces i “përballjes me të kaluarën”.

Kamberi tha se Serbia duhet të përballet me krimet që kanë kryer forcat ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998/1999.

Ai i bëri këto komente në një seancë të Parlamentit të Serbisë, ku presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, raportoi për dialogun me Kosovën.

“Njerëzit duhet ta dinë se Serbia sot duhet të flasë me ata që u ka vrarë fëmijët, e shumë prej tyre edhe familjet. Ju, president i Serbisë, në anën tjetër të tryezës së bisedimeve, ndoshta mund të keni Saranda Bogujevcin [v.j.nënkryetare e Kuvendit të Kosovës], familjen e së cilës e kanë vrarë ‘Shkorpionët’ serbë [v.j. formacion paraushtarak], tha Kamberi.

Sipas tij, “në emër të shtetit serb”, në Kosovë janë kryer “krime të rënda lufte”.

Kamberi, i cili përfaqëson pakicën kombëtare shqiptare në Serbi, shprehu bindjen se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë mund t’i japë fund “armiqësisë shekullore” midis serbëve dhe shqiptarëve.

“Mendoj se dialogu i Brukselit mbetet shtylla kryesore e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”, tha ai.

Kamberi shtoi se statusi i komunitetit shqiptar në Serbi është “i lidhur ngushtë” me statusin e serbëve në Kosovë dhe tha se Serbia “po punon sistematikisht në margjinalizimin e pakicave në territorin e saj”.

Duke iu përgjigjur deklaratave të Kamberit, Vuçiq tha se shqiptarët “gjithmonë trokasin në derë të hapur” tek ai.

Për krimet në Kosovë, Vuçiq tha se është krenar që “Serbia nuk i fsheh kriminelët me mbiemra serbë”, ndërsa për shqiptarët tha se po “viktimizohen”.

Ai tha se Serbia nuk dëshiron shtet njëetnik dhe se nuk dëshiron t’i persekutojë shqiptarët, por do që ata “të ndërtojnë të ardhmen së bashku”.

“Serbia nuk do të lodhet kurrë nga Kosova”, theksoi Vuçiq.

(REL)