Kamberi: Shqiptarët shihen si të huaj në Serbi

Beograd, 24 dhjetor 2021 – Deputeti shqiptar i listës “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar” në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se shqiptarët janë të padëshirueshëm në Serbi, shihen si të huaj.

Kamberi ka thënë se Qeveria e Serbisë bën diferencimin e shqiptarëve sipas shtrirjes gjeografike të tyre.

“(Për Serbinë) shqiptarët në Shqipëri janë shqiptarë (albanci]) kurse shqiptarët në Kosovë janë ‘shiptari’.  Kjo është një përpjekje për të ndarë një komb me të njëjtën kulturë. Shqiptarët në Shqipëri, në Mal të Zi, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut janë pjesëtarë të të njëjtit komb”, ka theksduar ai në një intervistë për televizionin N1.

Kamberi ka thënë se nisma rajonale “Ballkani i hapur” nuk mund të ketë sukses derisa Serbia nuk krijon marrëdhënie të mira me Kosovën dhe me shqiptarët në Luginë të Preshevës.

“E ardhmja e popujve tanë është në bashkëpunim, por a është e mundur nëse Vuçiqi (Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq) e njeh vetëm gjysmën e kombit shqiptar, kurse gjysmën tjetër jo. Ne kërkuam që ‘Ballkani i Hapur’ të jetë jo vetëm një nismë për integrime ekonomike, por edhe një nismë që duhet të përfshijë të drejtat e njeriut. Është e pamundur të ndërtohen marrëdhënie të mira me Shqipërinë, derisa marrëdhëniet me Kosovën dhe Luginën e Preshevës janë të tilla çfarë janë”, ka thënë Kamberi në TV N1.

Ai ka thënë se edhe opozita në Serbi ka qëndrim mohues ndaj shqiptarëve, të  cilët, sipas tij, shihen si të huajnë Serbi. 

“Nuk kam pasur rast as të pi kafe me ndonjë lider opozitar (në Serbi)… Ndoshta ngaqë shqiptarët konsiderohen si të huaj në këtë vend, ata nuk guxojnë as të takohen me ne, sepse do të akuzohen se po bashkëpunojnë me shqiptarët vetëm për ta shkatërruar Serbinë”, është shprehur Kamberi.

“Pas këtij emisioni do të shihni reagimet e tabloidëve. Do të shkruajnë se si ‘televizioni i Gjilasit po e promovon heroin e ri’”, ka shtuar ai.

(r.m.)

Comment

*