Kampi i Tepelenës është një nga faqet e errëta të diktaturës

Më 23 gusht, Ditën Europiane të Viktimave të Totalitarizmit, ekipi i Autoritetit zhvilloi sot pelegrinazhin e përvitshëm në ish-kampin e internimit të Tepelenë, vend ndëshkimi gjatë regjimit komunist, 1949-1953.

Kampi me tela me gjemba i Tepelenës është një nga faqet e errëta të diktaturës, ku u mbajtën për disa vjet në kushte cnjerëzore me mijëra familjarë të kundërshtarëve të regjimit, gra, fëmijë e të moshura, të pafajshëm. Mes tyre edhe Lek Pervizi, sot në të nëntëdhjetat, që me vizatimet e tij akribike dëshmoi këtë kamp internimi, historitë e tij, madje edhe një hartë me vendvarrimet e atyre që mbetën në Tepelenë. Dëshmitë flasin për qindra jetë të humbura, që ende sot kërkohen nga familjarët.Sot, ish-kampi i internimit i Tepelenës pritet të kthehet në muze, i vizitueshëm nga shqiptarë e të huaj, duke dëshmuar diktaturën dhe gjurmën e saj në të sotmen. Njohja në terren e vendeve të rëndësishme të kujtesës përcakton edhe itinerare të vizitueshme nga të rinj e shkollarë, për njohjen me vendet e vuajtjes së dënimit dhe ndëshkimit në komunizëm.Pas vizitës përkujtimore në kamp, me të mbijetuar e trashëgimtarë të tyre, përfaqësues të shoqatave të të drejtave të njeriut, takimi vijon në pallatin e kulturës Tepelenë, me aktivitetin e radhës për të zhdukurit, që AIDSSH organizon në bashkëpunim me ICMP dhe pushtetin lokal në Tepelenë, në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzitore dhe pajtuese: adresimi i çështjes së personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste”, i mbështetur nga Bashkimi Europian.

 

One Response to “Kampi i Tepelenës është një nga faqet e errëta të diktaturës”

Read below or add a comment...

  1. sami repishti, ph .d. says:

    Viktimet e Kampit kriminel te Tepelenes pushofshin ne paqe!
    Bashke me mijera te tjere,edhe Nana, Motra dhe Vellau i im,sot te tre vdekun kaluen vite te gjata ne ate kamp fatkeq. Sot, une derdhi dy pika lote kultimor per jetet e tyne te shkaterrueme nga diktatura dhe vellaun e motren nji jete pa rini….! Zotii i shperblefte!