Kancelari Scholz pret sot Kurtin dhe Vuçiqin

Berlin, 4 maj 2022 – Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të presë sot në takime të ndara në Berlin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Më pas, dy liderët pritet të takohen bashkë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimi i Scholzit me Kurtin do të pasohet me një konferencë të përbashkët për media, në orën 16:00. Pastaj, kancelari gjerman do të takohet me presidentin serb.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se takimet, mes tjerash, “do të shërbejnë për të mbështetur dialogun Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga BE-ja”.

https://twitter.com/GermanAmbKOS/status/1521476424477069313?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1521476426754629633%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es2_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.evropaelire.org%2Fa%2Ftakimi-ne-berlin-midis-kurtit-dhe-vuciqit-%2F31833723.html

Takimi i sotëm do të jetë i pari midis Kurtit dhe Vuçiqit që nga korriku i vitit të kaluar, kur palët janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në Bruksel ka pasur disa përpjekje për të aranzhuar një takim të ri midis tyre, por deri më tani pa sukses.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka deklaruar më herët se nuk do t’i ftojë liderët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, pa pasur tregues të qartë se në një takim të tillë do të arrihej përparim konkret.

Nga Qeveria gjermane kanë thënë së voni se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përparime në procesin e dialogut.

Vuçiq deklaroi më 3 maj se “ka trembë” para udhëtimit në Berlin.

Ai tha se “druan” nga bisedimet me Scholzin dhe se nuk pret që ato “të jenë të lehta”, por nuk dha më shumë detaje.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, fillimisht në qershor, dhe më pas në korrik të vitit 2021. Asnjëri takim nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Ngecjen në bisedime besohet se e kanë shkaktuar mospajtimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në vitin 2013, dy vendet kanë arritur marrëveshje për themelimin e këtij asociacioni, por zbatimi i saj në terren ka ngecur.

Kryeministri Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik. Serbia insiston në formimin e tij.

Bashkimi Evropian, disa herë, u ka bërë thirrje palëve që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura.

Dy vendet janë të angazhuara në dialog qysh në vitin 2011 dhe kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.

(REL)

Comment

*