Kandidati i pavarur hap fushatën në Vlorë

Arben Malaj: Mandati im do lehtësojë rotacionin e pushtetit

 

Aristir Lumezi

Kandidati i pavarur Arben Malaj çeli pasditen e sotme fushatën elektorale në pallatin e Kulturës “Labëria” në Vlorë. Malaj tregoi se pse kandidon i pavarur dhe si do ta përdorë mandatin e tij si deputet i ardhshëm në kuvendin e Shqipërisë.

“Mandati ynë do të jetë mandati i tetë i Opozitës në Vlorë, do të jetë një mandat që do të lehtësojë rotacionin, një mandat që kurrë nuk do të shitet për ndonjë karrige qeveritare, që kurrë nuk do të ushqejë apo mbështesë ngërçe ose kriza politike. Do të jetë një mandat kundër qeverisë Berisha, kundër krizës ekonomike që me rritjen e borxheve të rënda, që me rritjen e papunësisë dhe varfërisë kërcënon gjithnjë e më shumë të ardhmen tonë”, tha Malaj.

Gjatë fjalës së tij, Malaj tha duhet të mbarojë koha e kryetarëve të partive, të kryetarëve të Bashkive dhe Komunave që e mbajnë postin si një karrige të përjetshme.

“Ata që janë të suksesshëm të bëjnë karrierë. Ata që janë të dështuar të mos na ndotin qytetin tonë. Karriera ime politike nisi nga kjo sallë, disa e braktisën nga frika, por ne jemi akoma socialistë të Vlorës. Jo vetëm e krijuam PS-në në Vlorë, por konkurruam dhe në korrik të ‘92 bëmë që PS e Vlorës ta bënim zemrën socialiste. Ka ardhur koha të bëhet histori për ndershmëri dhe jo të hiqen djemtë e Vlorës nga listat. Të gjithë presim të krijojmë një model të ri”, tha Malaj.

Deputeti i pavarur theksoi se ai u largua nga partia se kundërshtoi kreun e partisë, teksa u shpreh i bindur se nëse nuk u mund nga kryeministri Berisha më parë, nuk do të mundet as nga kreu i PS-së Edi Rama, i cili kryeson listën e kandidatëve në qytetin e Vlorës.

“Vendimi im ishte i detyrueshëm se më përjashtuan për t’u përfaqësuar ju. Kjo garë mbetet obligimi im dhe një vendim i vështirë. Është e turpshme që të përjashtohemi kështu. E kisha vështirë të vendosja, por krenaria vlonjate më bëri të eci përpara. Sali Berisha punon njësoj si në 1997 dhe ne duhet ta mundim Berishën prandaj vendosa të kandidoj i pavarur. Jam i bindur se qyteti i pavarësisë do të ketë deputetin e pavarur.. Vendi ka nevojë për rotacion. Berisha ka dështuar, militantizmi ka mbërthyer këdo. Duhet rotacion dhe jam i bindur se puna është e gjatë dhe e vështirë. Koalicioni i 1 Prillit kam frikë se do na gërryejë dhe është risk, ndaj të luftojmë ndaj Berishës. Mua nuk me mposhti dot Berisha me 1500 vetë që më rrinin vërdallë dhe nuk do më mposhtë as Edi Rama”, nënvizoi Malaj.

Malaj i ka bërë thirrje kreut të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika që të shikojë punët e Bashkisë dhe jo të partisë.

Comment

*