Kapet sërish kokainë në Portin Detar të Durrësit


 
Policia saktësoi se arrestoi në flagrancë administratori i kompanisë ku do të mbërrinte kontenieri i ngarkuar me prodhime të detit pasi gjatë kontrollit zbuloi dhe sekuestroi rreth 7 kg drogë të dyshuar se është kokainë dhe vinte nga Ekuadori.
 
 
Knid Ndrenika

7 kilogramë kokainë është sekuestruar sot në Portin Detar të Durrësit gjatë kontrollit në vendkalim në kuadër të operacionit të koduar policor “Urbanor”.

Polica e Durrësit njoftoi pak pas orës 15 të kësaj të premteje se vazhdoi me sukses goditjet e njëpasnjëshme ndaj tentativës për trafikim të lëndëve narkotike në vendkalimin e kontrollit kufitar në portin detar.

Task Forca e përhershme e përbashkët e Policisë Kufitare të Portit të Durrësit, Policisë Kriminale të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit, zbuloi rastin e narkotrafikut.

Kjo është të paktën e pesta herë në më pak se dy muaj që në Portin e Durrësit zbulohet dhe sekuestrohet sasi kokaine përafërsisht e njejtë nga 5-15 kilogramë të ardhura nga Kolumbia dhe Ekuadori.

Policia saktësoi se arrestoi në flagrancë administratori i kompanisë ku do të mbërrinte kontenieri i ngarkuar me prodhime të detit pasi gjatë kontrollit zbuloi dhe sekuestroi rreth 7 kg drogë të dyshuar se është kokainë.

“Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale, kanë ushtruar kontroll të detajuar në një kontenier të ngarkuar me prodhime deti që ishte nisur nga Ekuadori për llogari të firmës “Fish Co Tirana”, me qendër në Tiranë”-njoftoi policia e Durrësit.

Efektivët policorë po kryenin kontroll të imtësishëm në kontenier kur në pjesën e kapakëve të ajrosjes gjetën pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë me peshë rreth 7 kg dhe një GPS, që u sekuestruan si prova materiale.

“Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin D. D., 35 vjeç, banues në Tiranë (administratori i firmës ku do mbërrinte kontenieri)”-tha policia.

Ndërkaq, Prokuroria e Durrësit në krye të grupit hetimor, vijon punën për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
 
 
 

Comment

*