Kardinali Ernest Simoni, në krah të Papës, gjatë fjalimit të madh “Urbi et Orbi”

I mbijetuari i madh 94-vjeçar i persekutimit komunist u ftua këtë vit për të qendruar në ballkonin nga Ati i Shenjtë i drejtohet dhe i jep bekimin mbarë botës

Nga Ruben Avxhiu

Ishtë një surprizë e bukur për besimtarët katolikë shqiptarë por edhe për të gjithë bashkatdhetarët, shfaqja e Kardinal Ernest Simonit, 94-vjeçar në krah të Papa Françeskut, në ballkonin nga u mbajt fjalimi vjetor “Urbi et Orbi”.

Prania e tij ishte dëshmi e rrugës së gjatë të një jete të jashtëzakonshme të njeriut që dikur përjetoi ferrin në tokë, duke u trajtuar si armik i shoqërisë, ndërsa sot përjetoi një nderim që blatohet rrallë në botën katolike.

“Emocion i jashtëzakonshëm me marrë lajmin e shoqnimit të Atit  Shêjt në bekimin Urbi et Orbi, si kardinal daikon, lê ma me kremtue të dilen e Pashkëve në atë balkon, nga i cili, gjatë historisë së Kishës, shumë Papë i kanë drejtue lutje dhe bekime botës mbarë”, tha ai për Radio Vatikanin në shqip kur u pyet për ftesën e madhe që i ishte bërë.

Kardinal Simoni ka kaluar 28 vite burgimi dhe pune të detyruar, nga viti 1963 deri më 1991. Pas rënies së komunizmit, ai iu rikthye shërbimit fetar dhe pak kohë më parë u shpall Kardinal nga Papa, për të nderuar dëshminë e madh të besimit që kishte dhënë përballë sfidës më të rëndë të kohës së tij.

“Kur isha në burg e zbardhte agimi, nuk e dijshim a do ta shihshim ma diellin në perëndim mbas ditës të kalueme me tortura, ngacmime, dhunë dhe marrje në pyetje – ku na kërkohej të trathtojshim deri përmbajtjen e rrëfimeve”, tregon ai për Radio Vatikanin. “Gjatë ndalimit në kampet e punës, në minierat ku nxirrnim bakër dhe pirit, po të kishte ra një gur në tunele, të gjithë do të fluturojshim në Parriz, njeni-mbas-tjetrit, tue pasë parasysh kushtet e pasigurta në të cilat kemi punue, pa asnjë siguri apo mbrojtje”.

“Nuk e kisha mendue kurrë se do të merrja Mitrën e kardinalit, dhuratë e madhe e papritun, dhuratë, që nuk do ta heq kurrë ma. Nuk më mbetë tjetër, veçse me e falënderue me gjithë zemër Papën Françesku; të lutemi për Atin e Shenjtë, që Zoti t’i japë forcë dhe shëndet në shërbesën e tij universale, si pasardhës i Shën Pjetrit”, thotë ai.

Çfarë mesazhi i madh i ringjalljes dhe fitores së lirisë mbi shtypjen, të jetës mbi vdekjen, sesa ngjitja e këtij njeriu në llozhën e Bazilikatës së Shën Pjetrit, kur sytë e besimtarëve katolikë të gjithë botës janë drejtuar aty.

Gëzuar Pashkët, Kardinal Simoni! Faleminderit për shembullin e guximit dhe të mbijetesës!