Katër gra dhe nëntë fëmijë shqiptarë u riatdhesuan nga kampet në Siri dhe Irak

Tiranë, 28 maj 2022 – Falë bashkëpunimit policor mes Shqipërisë dhe Kosovës, 13 persona, 4 gra dhe 9 fëmijë shqiptarë, që jetonin në kampet siriane të luftës, u riatdhesuan nga ish zonat e konfliktit në Siri dhe Irak.

Autoritetet bënë të ditur se për këtë operacion riatdhesimi të shtetasve shqiptarë, ekspertët nga Shqipëria dhe Kosova u mbështetën nga partnerët amerikanë nëpërmjet bashkërendimit me selitë e tyre diplomatike në Prishtinë dhe Tiranë.

Ky është operacioni i katërt i riatdhesimit të shtetasve shqiptarë nga kampet e luftës në Siri.

Nëntë fëmijët e moshave 6 deri 16 vjeç, si dhe 4 gratë nga Shqipëria u dërguan fillimisht në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës. Më pas ata u përcollën për në Shqipëri.

“Ky është operacioni i katërt që zhvillojmë. Gjithsej bëhen 43 gra dhe fëmijë që tashmë do të jenë në gjirin e familjeve të tyre. Felënderoj këtu partnerët tanë strategjikë që na mundësuan këtë operacion, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilët organizuam në mënyrë perfekte çdo detaj të këtij operacioni”, tha ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Këta 13 të riatdhesuar gjatë këtij operacioni do të riintegrohen përmes një “Qendër Pritëse” të krijuar nga autoritetet shqiptare.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se në mesin e të kthyerve janë edhe dy shtetas të Kosovës. Ai theksoi po ashtu vazhdimin e punës për riatdhesime të tjera, si dhe për rehabilitimin e të kthyerve dhe integrimin e tyre në shoqëri.

“Jemi të lumtur që jemi shtet lider global në luftën kundër terrorizmit duke zbatuar kështu me përgjegjësi të lartë obligimet tona si shtet anëtar i Koalicionit Global kundër ISIS. Si institucione do të jemi në gjendje gatishmërie në çdo kohë dhe do të angazhohemi maksimalisht për mirëqenien e qytetarëve tanë, por gjithmonë duke pasur parasysh që çdo veprim kundër ligjeve të Republikës së Kosovës dënohet sipas masave që përcaktohen nga ligjet. Ekipet tona tashmë kanë shumë punë, që këta bashkëkombas tanë të kthyer të rehabilitohen. Ata që janë të ndikuar të deradikalizohen në mënyrë që të bëhen pjesë e shoqërisë sonë e posaçërisht fëmijët, të cilët në asnjë rast nuk janë fajtorë për situatën në të cilën ndodhen. Jemi të bindur se institucionet tona do të bëjnë maksimumin që rehabilitimi i tyre të jetë sa më i shpejtë. Me këtë t’i afrohemi fundit të një episodi vërtet të dhimbshëm të shoqërive tona”, tha ministri Sveçla.

Dy ministrat shprehën vendosmërinë e tyre për të vazhduar operacionet e riatdhësimit të grave dhe fëmijëve nga kampet e Sirisë, falë bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me partnerët libanezë dhe bashkëpunëtorë të tjerë në rajon.

This image has an empty alt attribute; its file name is Bledi-Cuci_Xhelal-Svecla.jpg

Ky është grupi i katërt i shqiptarëve që nxirren nga kampi i “Al Hol”-it, duke e çuar në 38 numrin e shqiptarëve të riatdhesuar, ndërsa mendohet se ka ende të tjerë që ndodhen atje.

5 gra dhe 14 fëmijë u nxorrën nga kampi më 31 korrik të vitit të shkuar, falë ndërhyrjes së autoriteteve libaneze.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)