Katër shtetas të Kosovës janë evakuuar nga Afganistani

Prishtinë, 19 gusht 2021 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë ka njoftuar se katër shtetas të Kosovës, me të cilët ajo ka qenë në kontakt, janë evakuuar nga Afganistani.

“Që nga përshkallëzimi i situatës atje, MPJD-ja ka qenë e angazhuar për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës, me qëllim të largimit sa më të shpejtë nga Afganistani”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Përveç evakuimit të shtetasve kosovarë që gjenden në Afganistan, Kosova pritet të pranojë edhe një numër të afganëve që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët do të evakuohen nga Afganistani për shkaqe sigurie, derisa atyre t’u përgatiten vizat amerikane.

Institucionet e Kosovës thonë se janë duke bërë përgatitjet e duhura logjistike e teknike, por edhe ato të sigurisë dhe të mbështetjes sociale, për strehimin dhe mbrojtjen e qytetarëve nga Afganistani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë BBC-së më 18 gusht, se numri i përgjithshëm i afganëve që do të strehohen në Kosovë nuk dihet ended he se për këtë është duke u diskutuarme partnerët amerikanë.

Sipas saj, data e saktë e mbërritjes në Kosovë të grupit të parë të afganëve do të dihet brenda dy ose tri ditësh.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja në Afganistan, të cilët tash ndihen të pasigurt, pasi vendi është nën kontrollin e talibanëve.

(r.m.)