Katër të arrestuar për keqpërdorime në Telekomin e Kosovës, dy prej tyre ish-drejtorë

Prishtinë, 30 mars 2021 – Katër persona u arrestuan të martën në Prishtinë për veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, përvetësim në detyrë, falsifikim i dokumenteve dhe mashtrim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës bënë të ditur se dy nga të arrestuarit kanë qenë zyrtarë të Telekomit të Kosovës, kurse dy të tjerët kanë qenë bashkëkryes të vepraver penale.

“Dy nga personat e arrestuar dyshohet se veprat i kanë kryer në cilësi të personave zyrtarë në Telekomin e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ata dyshohet se, gjatë zbatimit të kontratës së lidhur mes Telekomit të Kosovës dhe një operatorit ekonomik, me vlerë prej 327.514 eurosh, e kanë keqpërdorur atë kontratë për përfitime personale.

Dëmi që i është shkaktuar Telekomit të Kosovës kap shumën e 327,514 eurove, thuhet në njoftim.

“Dy të dyshuarit e tjerë, duke vepruar në bashkëkryerje, dyshohet se kanë përpiluar dhe vulosur dokumentacion e falsifikuar me përmbajtje të rreme, në emër të personave të tjerë”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të Policisë së Kosovës.

Mediet në Kosovë raportojnë se gjatë operacionit u arrestuan: ish-drejtori i Financave në Telekomin e Kosovës, Armend Osaj, ish-drejtori i Marketingut, Trim Musliu, vëllai i Trimit, Kreshnik Musliu dhe Denis Ceman.

Trim Musliu dhe Denis Ceman kanë qenë këshilltarë të dy ish-ministrave të Qeverisë së kaluar të Kosovës. Musliu ka qenë këshilltar i ish-ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, kurse Ceman ka qenë këshilltar i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Burime të Gazetës “Express“ kanë bërë të ditur dy ish-zyrtarët e lartë të Telekomit të Kosovës dyshohet se kanë marrë për vete telefona që ishin dedeikuar për klinetët besnikë të kompanisë, me vlerë prej rreth 400 mijë eurosh.

“Telekomi i ka blerë rreth 400 mijë euro telefona për klientët besnikë të saj, por ata nuk i kanë shperndarë. Dyshohet se i kanë marrë për vete”, ka thënë një burim i besueshëm i gazetës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka përshëndetur operacionin e policisë dhe prokrurorisë.

“Çfarëdo veprimi i policisë dhe prokurorisë me qëllim të zbardhjes së veprimeve të dyshimta korruptive në ndërmarrjet publike por jo vetëm, është i mirëseardhur. Secili dyshim për kontratë të dëmshme duhet të adresohet dhe përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo ka theksuar ka premtuar se Qeveria e Kosovës do të mbështesë fuqizimin e institucioneve të drejtësisë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Kosova duhet të ndërmarrë veprime konkrete e serioze në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Vetëm kështu zhvillohet e përparohet vendi. Ne do të jemi në mbështetje të kërkesave të institucioneve të drejtësisë në fuqizimin e kapaciteteve të tyre”, ka theksuar ajo.

(r.m.)

Comment

*