KEDS paralajmëron reduktime të energjisë elektrike në Kosovë

Prishtinë, 22 dhjetor 2021 – Konsumatorët kosovarë pritet të përballen me reduktime të energjisë elektrike në 24 orët e ardhshme.

Sipas njoftimit të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), reduktimet pritet të zgjasin rreth dy orë, në kohë të ndryshme dhe do të prekin të gjithë konsumatorët, përveç atyre emergjentë.

Reduktimet janë udhëzuar nga Operatori i Sistemit dhe Tregut- KOSTT, për shkak të mbingarkesës të sistemit elektroenergjetik.

Sipas KEDS-it edhe për ditët në vijim në janë në pritje të instruksioneve nga KOSTT-i nëse do të vazhdohet me reduktime.

“[Në mënyrë] që kriza të ketë ndikim sa më të vogël, KEDS apelon për kursim maksimal të energjisë elektrike dhe përdorim të formave alternative të ngrohjes, aty ku ka mundësi”, thuhet në njoftimin e KEDS.

Kosova aktualisht është duke u përballur me një krizë energjetike pasi që prodhimi vendor nuk po arrin të mbulojë të gjithë nevojën për konsum. Kështu, KEDS është i detyruar të importojë energjinë elektrike nga vendet e tjera, në një kohë kur çmimi i rrymës në këto tregje është shumëfishuar.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë tani është duke e shqyrtuar kërkesën e KEDS për shtrenjtim të rrymës deri në 7 për qind.

Konsumatorët e Kosovës aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.

Ky çmim do të jetë deri më 1 prill të vitit 2022, nëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë nuk aprovon kërkesën e KEDS-it për rritje të çmimit të rrymës.

Evropa tash e sa javë është përfshirë nga kriza energjetike, për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe faktorëve të tjerë.

Kriza energjetike në Evropë ka ndikuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor si në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Të dy nga këto shtete kanë shpallur krizë energjetike.

(REL)

Comment

*