Kënga më e famshme në stadiumet e botës u kompozua nga një shqiptar i Amerikës

Tifozët kuqezi duhet ta ringjallin kujtimin e tij duke e përqafuar këtë këngë në repertorin e tyre

Ruben Avxhiu

Sot, kur Shqipëria luan ndeshjen e saj të tretë për Euro2016, ia vlen të kujtojmë se këngën më të famshme të kënduar në stadiumet e gjithë botës e ka shkruar një shqiptaro-amerikan, Paul Leka.
E njohur si me titullin e thjeshtë “Na Na Na Na Hey Hey-ey Goodbye”, ajo ka një refren gjenial, shumë te lehtë për t’u mësuar dhe ideal për këndim në masë.
Ndoshta tifozët kuqezi të Kombëtarës Shqiptare duhet ta përvetësojnë e ta këndojnë, për të nderuar bashkëkombasin e tyre të famshëm.
Djali i mërgimtarëve nga Shqipëria, Theodor dhe Dhimitra Leka, Paul Leka, i lindur në Bridgeport, Connecticut, ishte një talent i jashtëzakonshëm muzikor.
Këngë të tij si “Green Tambourine” dhe “Na Na Hey Hey Kiss Him Goodbye” kanë rekorde marramendëse në treg.
Kjo e fundit u kthye në një obsesion manik në pallatet e sporteve dhe stadiumet e Amerikës dhe pastaj në gjithë botën.
Thuhet se për të gjetur tingullin e duhur për këtë këngë Paul Leka provoi t’i binte tastave të pianos me çekiç.
Një perfeksionist i vërtetë, Paul Leka nuk pëlqente të këndonte në skenë, por të kompozonte, orkestronte dhe të prodhonte muzikë. Është ajo çfarë bëri në vitet 60 që ndryshuan Amerikën dhe botën.
Paul Leka vazhdoi deri në fund të jetës punën me muzikën, në studion e tij të njohur si “Connecticut Recording”, me seli në qytetin e lindjes.
Ndërroi jetë në 12 tetor 2011.

Këngën e tij të dashur me refrenin e famshëm “Na Na Hey Hey Kiss Him Goodbye, mund ta dëgjoni këtu: