KESH: Rezerva energjetike në kaskadë 440 GWh, po e alternojmë prodhimin

Tiranë, 15 shtator 2022 – Korporata Elektronegjetike Energjetike shqiptare njoftoi këtë të enjte se rezerva energjetike në kaskadën e Drinit ka rënë me shpejtësi në 440 Gwh por situata pritet të ndryshojë disi në ditët në vijim me prtishëmrinë se mund të ketë reshje.

Pikërisht për këtë arsye KESH ka nisur të alternojë prodhimin dhe menaxhimin e kaskadës sipas këtyre pritshmërive duke ndalur prodhimin nga Fierza nga data 11 shtator dhe duke vijuar vetëm me Komanin dhe Vaun e Dejës. Prodhimi nga këto HEC-e sipas KESH do të krijojë hapësirën e nevojshme për prurjet që parashikohen nga reshjet në vijim.

“Muaji Shtator sipas parashikimeve pritet të jetë i freskët dhe i lagësht, ku priten evente me reshje shiu duke përmirësuar ndjeshëm situatën hidrike në kaskadë. Eventi me reshje shiu pritet në datat 16-17 Shtator.

Për këtë arsye KESH sh.a ka marrë masa që nga data 11 Shtator duke ndaluar plotësisht prodhimin nga HEC Fierza, me qëllim përpunimin e prurjet anësore të Koman dhe Vau Dejës, gjithashtu nivelet në Koman dhe në Vaun e Dejës po ulen gradualisht për krijimin e hapësirës së nevojshme në këto liqene për të rezervuar prurjet e mëdha të parashikuara në datat 16 -18 Shtator dhe datat 20 – 21 Shtator. Ndërsa liqeni i Fierzës si pasojë e masave të marra dhe prurjeve që priten do të rritet gradualisht duke përmirësuar kështu rezervën energjetike” njoftoi KESH.

Aktualisht niveli i Fierzës është 267.57 metra, Komani 168.52 metra dhe Vau i Dejes  73.15 m. Prurjet mbeten në nivele minimale për shkak të thatësirës.

KESH ka dhënë edhe shifra mbi kërkesën në vend për energji nga operatorët e tregut. Aktualisht Furnizuesi i Tregut të Lirë pjesë e OSHEE ka kërkuar për datën 15 shtator 14,800 MWh në ditë, depozitim me KEK nuk ka, kërkesa për mbulimin e humbjeve për OST është rreth 480 Mwh në ditë. Nga ky prodhimi në kaskadë është 6,900 MWh ndërsa importi 8,380 MWh në ditë;

“Reshjet e ditëve të fundit përmirësuan disi situatën hidrike në basenin e lumit Drin. Prej ditës së sotme deri në mëngjesin e datës 16 Shtator parashikohet situatë e qëndrueshme, nuk parashikohen reshje shiu.

Prej ditës së sotme deri në mëngjesin e datës 16 Shtator do të mbizotërojë mot i kthjellet, pa reshje shiu. Në mesditën e datës 16 Shtator pritet të fillojnë reshjet e shiut duke arritur vlerat maksimale në datën 17 Shtator, të shpërndara thuajse në të gjithë basenin e lumit Drin. Përqendrimi më i lartë i reshjeve pritet të jetë në basenin e Koman-Vau i Dejës (Alpet e Shqipërisë dhe zona e nën-Shkodrës). Temperaturat do të variojnë në vlerat 17/30 oC deri më datë 16, nga data 17 Shtator e në vijim pritet rënie e ndjeshme e temperaturave në të gjithë vendin, me 3-7 oC.

**Si rezultat i reshjeve të rëna gjatë ditëve të fundit, prurjet kanë pësuar rritje të lehtë krahasuar me vlerat e ditëve të para të muajit Shtator, duke përmirësuar disi situatën hidrike në kaskadën e lumit Drin.

Deri në orët e mbrëmjes së datës 16 Shtator prurjet pritet të qëndrojnë në vlera thuajse konstante. Në mbrëmje të datës 16 Shtator pritet rritja e prurjeve duke arritur vlerat maksimale në datën 17 shtator deri në mesditën e datës 18 Shtator. Prurje më të mëdha parashikohet të vijnë në datat 17-20 Shtator” thuhet në njoftimin e KESH.

Korporata ka nënvizuar se në vazhdim rezerva energjetike do të rritet si pasojë e ndalimit të prodhimit nga HEC Fierza dhe reshjeve që priten në fundjavë. Kërkesa FTL do të mbulohet nga prurjet natyrore të HEC Koman dhe HEC Vau Dejës. Importi i kryer për periudhën 12-18 Shtator (prej 8,380 MËh në ditë) dhe depozitim nga KEK (sipas profilit të tepricave të tyre dhe mundesive të absorbimit nga ana KESH).

(Monitor)