Këshilla si të paraqisni vetë formularët e emigracionit

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Në varësi të formularëve që do të paraqisni dhe arsyeve pse po i paraqisni, variojnë dhe tarifat e formularëve, fakti nëse kualifikoheni ose jo për t’i paguar këto tarifa, kërkesat që duhen përmbushur për t’u kualifikuar, dokumentat shoqëruese si dhe adresa ku duhen dërguar këto formularë. Këshillat në vijim do t’ju ndihmojnë të paraqisni siç duhet aplikimet, lutjet (peticionet) apo kërkesat për shqyrtim çështjesh, në mënyrë të tillë që të mund të pranohen pa problem nga Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS-i).

Mbushni formularin me kujdes dhe saktësi

Mos harroni të firmosni formularin! USCIS-i nuk i aprovon dhe i kthen formularët që nuk janë të firmosur. Përdorni versionin më të ri të formularit. USCIS-i preferon formularët që janë shkarkuar nga faqja e internetit https://www.uscis.gov/forms/forms, janë plotësuar në kompjuter dhe i janë dërguar pasi janë printuar. Mbushni të gjithë formularin. Nëse e mbushni formularin me dorë, përdorni bojë shkrimi të zezë. Sigurohuni që përmbajtja të jetë e shkruar pastër, të jetë e lexueshme dhe të mos dalë nga hapësira e parashikuar për të. Mos përdorni evidenciatorë, korrektorë të lëngshëm apo korrektorë shirit. Skanerat që përdor USCIS-i nuk arrijnë të lexojnë siç duhet informacionin që mezi duket, që është theksuar me evidenciator apo korrigjuar me korrektor të lëngshëm apo korrektor shirit. Nëse bëni ndonjë gabim, printoni një formular të ri dhe plotësojeni nga e para. Nëse po plotësoni disa formularë, shkruani emrin, datëlindjen dhe numrin A (nëse keni një të tillë), në të njëjtën mënyrë në secilin formular. Paguani vlerën e saktë të tarifës së formularit. USCIS-i i kthen formularët që shoqërohen me vlerën e gabuar apo jo të plotë të tarifës. Përdorni mjetin e vënë në dispozicion për këtë qëllim “Fee Calculator” të cilin do ta gjeni në faqen e internetit  https://www.uscis.gov/feecalculator për të llogaritur tarifën e saktë. Dërgoni fotokopje të formularëve, të bëra vetëm në një anë të faqes.

Përgatisni siç duhet pakon e aplikimit, peticionit apo kërkesës

USCIS-i rekomandon që dokumentat të paraqiten të renditur si më poshtë:

  1. Çeku ose mandat-pagesa ose formulari që lejon përdorimin e kartës së kreditit G-1450. Nëse do të paguani me çek apo mandat-pagese, shkruajeni në çek apo në mandat-pagesë emrin e formularit dhe numrin A nëse e keni një të tillë ose cilindo lloj elementi identifikues që vlen në rastin tuaj. Nëse do të paguani me kartë krediti, shihni faqen në internet “Pay with a Credit Card”.
  2. Formulari G-1145, Request for e-Notification (nëse vlen për rastin tuaj).
  3. Formularin G-28, Notice of Entry of Appearance as Attorney or Accredited Representative (nëse vlen për rastin tuaj).
  4. Formulari që po paraqisni.
  5. Dokumentat në mbështetje të formularit:
  6. Paraqisni ato dokumenta apo dëshmi që i gjeni të listuara në udhëzuesin e formularit.
  7. Dokumentat mbështetës duhet të jenë në anglisht ose të shoqëruara me përkthimin e plotë në anglisht.  
  8. Paraqisni fotokopje të dokumentave, përveçse kur USCIS-i kërkon dokumentat origjinale. Nëse paraqisni një dokument origjinal me formularin, ky dokument mund të mbahet për arkivim bashkë më dokumentat e tjerë dhe të mos t’ju kthehet mbrapsht automatikisht. 
  9. Nëse po paraqisni dhe dokumenta të bashkëngjitura, sigurohuni që secila syresh mban emrin tuaj dhe numrin A, nëse e keni një të tillë. Gjithashtu mund t’i vini numër faqeve dhe ta vini këtë numër bashkë me numrin gjithsej të faqeve të bashkëngjitura (për shembull, “faqja 1 nga 11”).
  10. Fotokopjet e dokkumentave shoqërues bëjini vetëm nga një anë.

Shënoni mbi zarf dhe në letrën shoqëruese se çfarë po paraqisni. Për shembull, Original Submission, Brief for an Appeal, ose Response to Request for Additional Information. Shënoni në zarf dhe në letrën shoqëruese numrin e formularit. Për shembull, I-129, I-130, I-690 ose I-698.

Gjatë përgatitjes së paketës që do të dorëzoni, kini parasysh:

  • Të mos përdorni dosje të zakonshme apo me spirale që nuk hapen lehtë.
  • Përdorni lidhëse metalike që arrijnë të mbajnë fort aplikime apo peticione voluminoze. USCIS-i preferon që dy vrimat për kalimin e lidhëseve metalike të bëhen në pjesën e sipërme të faqes, sepse kështu e ka më të lehtë për t’i futur në dosje. 
  • Është mirë të përdoren shënjues faqesh me ngjyrë të cilat ndihmojnë për të gjetur lehtësisht dokumentat e listuar që janë bashkëngjitur. Për lehtësi, shënjuesat ngjitini në fund të faqes dhe jo anash. 
  • Përdorni lidhëse metalike ose kapëse aktesh të mëdha. Mos përdorni kapëse teli nga ato për volum të madh faqesh, për heqjen e të cilave nevojitet heqëse teli.
  • Mos dërgoni dokumentat origjinalë, përveç rasteve kur ju është kërkuar të paraqisni origjinalet. 
  • Mos dërgoni dokumenta që e kalojnë masën, përveç rasteve kur diçka e tillë është e nevojshme.

Fotokopjet e dokumentave shoqërues të jenë bërë vetëm në një anë të faqes. Nëse po dërgoni në një zarf të vetëm më shumë se një çështje, ndajini çështjet nga njëra tjetra me lidhëse gome. Nëse po e riparaqisni paketën e aplikimit në përgjigje të një kërkese që ju është bërë për dokumenta shtesë (RFE), ju lutemi që kërkesën në fjalë ta vendosni sipër, pra të parën, mbi të gjithë dokumentat e tjerë të paketës. Ju lutemi gjithashtu të përdorni zarfin që është posaçërisht për këto lloj dërgesash me postë. Nëse po dërgoni dokumenta shtesë në mbështetje të një kërkese për apelim apo të një mocioni, sipër të gjithë dokumentave të paketës, vendosni letrën shoqëruese me shënimin “Brief for (Appeal/Motion)”.

Dërgojini formularët në adresën që gjendet në faqen përkatëse në internet të formularit. Dokumentat mund t’i dërgoni nëpërmjet USPS-it, FedExit, DHL-së, ose UPS-it. Nëse aplikimet, peticionet apo kërkesat i dërgoni me postë në vendin e gabuar, USCIS-i mund t’jua hedhë poshtë si të paraqitura gabim dhe t’jua kthejë mbrapsht që të mund t’i ri-dërgoni aty ku duhet. Formularët mund t’jua dërgojnë me postë, pasi të kontaktoni më parë qendrën e kontaktit (Contact Center) në numrin 800-375-5283 ose nëse shkarkoni apo printoni këta formularë nga faqet përkatëse të formularëve në internet.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]