Këshilli i Sigurimit: Shqipëria dhe 5 vende anëtare kërkojnë mbledhje për Ukrainën

Gjashtë vende perëndimore të mërkurën bënë thirrje për një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën përpara një votimi të pritshëm të premten mbi një rezolutë humanitare ruse, e cila nuk përmend përgjegjësinë e saj për luftën kundër fqinjit të saj më të vogël.

“Rusia po kryen krime lufte dhe po vë në shënjestër civilët. Lufta e paligjshme e Rusisë ndaj Ukrainës është një kërcënim për të gjithë ne”, shkroi në Twitter përfaqësuesi i Britanisë në OKB, një nga gjashtë vendet që kërkuan takimin.

Në mesazhin e postuar në Twitter thuhet se takimin po e kërkojnë edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Irlanda, Norvegjia dhe Shqipëria. Të gjashtë vendet janë anëtarë të Këshillit të Sigurimit.

Ato kërkuan që takimi të mbahet pasditen e së enjtes. Koha e takimit nuk është caktuar ende zyrtarisht.

Rusia qarkulloi të martën propozimin për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit që kërkon mbrojtje për civilët “në situata kur ata janë të cënuar” në Ukrainë dhe kalim të sigurt për ndihmat humanitare dhe njerëzit që kërkojnë të largohen nga vendi, por aty nuk përmendet asnjëherë lufta. Projekt-rezoluta nënvizon nevojën që “palët e interesuara” të bien dakord për pauzat humanitare për të evakuuar me shpejtësi “të gjithë civilët”, por asnjëherë nuk i identifikon palët ndërluftuese. (AP)