Këshilli i Sigurisë flet për masa varësisht përshkallëzimit të gjendjes në Ukrainë

Presidenti Ilir Meta, i cili e mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare me temë zhvillimet më të fundit në kufirin Ukrainë-Rusi theksoi edhe ndjekjen me vëmendje maksimale të zhvillimeve në Ballkan

Knid Ndrenika

Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë diskutoi zhvillimet në kufirin e Ukrainës me pritjen e një agresioni pushtimi nga Rusia.

I thirrur nga presidenti Ilir Meta, Këshilli shqyrtoi pasojat e përshkallëzimit të mëtejshëm nga një agresion i mundshëm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës prej Federatës Ruse.

Presidenca njoftoi se zoti Meta theksoi veçanërisht domosdoshmërinë e evidentimit dhe mbajtjes së kontakteve me qytetarët shqiptarë me banim të përkohshëm në Ukrainë dhe mundësimin e evakuimit të tyre në rast nevoje.

Gjithashtu presidenti theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave në fushën e sigurisë e mbrojtjes, forcimin e kapaciteteve kundër sulmeve kibernetike, marrjen e masave për rritjen e sigurisë së infrastrukturës strategjike.

Në vëmendje ishte edhe garantimi i rezervave të shtetit për çdo rast, si dhe ndjekjen me vëmendje maksimale të zhvillimeve në Ballkan.

Këshilli i Sigurisë rikonfirmoi se Shqipëria edhe si vend anëtar i NATO-s dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është në krah të Ukrainës, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.

Këshilli mbështeti qëndrimin e Shqipërisë për të nxitur dialogun dhe rrugën paqësore për zgjidhjen e krizës ukrainase.