Këshilli i Sigurisë së Kosovës koordinon veprimet në shërbim të paqes e sigurisë

Prishtinë, 26 shtator 2021 – Këshilli i Sigurisë së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të shtunën në mbrëmje, e ka analizuar situatën e sigurisë në Kosovë pas fillimit të zbatimit të vendimit për pajisjen me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë.

Në komunikatën e lëshuar pasmbledhjes, njoftohet se Këshilli ka diskutuar për koordinimin e veprimeve strategjike të institucioneve shtetërore të Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, si edhe të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend.

“Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Situata në pjesën veriore të Kosovës është tensionuar prej të hënës, më 20 shtator, kur Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë reciprocitetin me Serbinë për targat e automjeteve.

Grupe serbësh kanë vendosur barrikada në rrugë pranë vendkalimeve kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe në Bërnjakë duke kundërshtuar reciprocitetin. Qeveria e Kosovës kadërguar atje njësinë speciale të policisë për të parandaluar çfarëdo akti që mund të rrezikojë sigurinë e qytetarëve dhe sovranitetin e shtetit.

Në Zubin Potok dhe në Zveçan kanë ndodhur dy incidente të rënda. Zyrat e Qendrës së Regjistrimit Civil në Zubin Potok janë djegur, ndërsa në Qendrën e Regjistrimit Civil në Zveçan janë hedhur dy bomba dore, të cilat, për fat të mirë, nuk kanë shpërthyer.

(r.m.)

Comment

*