Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë uron nisjen e shkollës

Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë me rastin e nisjes së vitit shkollor 2021-2022 ka uruar mësuesit dhe nxënësit shqiptarë kudo që gjenden në botë. Në urimin e tyre nënvizojnë edhe një herë rëndësinë e mësimit të gjuhës së vendit të origjinës.

Të dashur nxënës,

Të nderuar kolegë, mësues të shkollave shqipe kudo në botë, nga Kanadaja e Sh.B.A., Britania e Madhe e Ukraina, Belgjika, Italia e Greqia, Suedia, Gjermania, Austria, Zvicra, Sllovenia, Kroacia, e deri në Turqi e Australi, në emër të Këshillit Koordinues të Arsimtarëve të Diasporës (KKAD), ju dëshirojmë një vit të mbarë shkollor. Në rend të parë ju dëshirojmë shëndet dhe sa më shumë nxënës në shkollat shqipe.

E kemi thënë dhe e themi vazhdimisht se gjuha mbron atdheun. Gjuha mbron identitetin kombëtar. Prandaj, mos të kursejmë asgjë për gjuhën e nënës – gjuhën shqipe. Të përkushtohemi familjarisht në ruajtjen dhe zhvillimin e saj, kudo ku jemi. Në këtë mënyrë nderojmë veten, prindërit dhe të parët tanë. Fëmijët shqiptarë dhe emrat e tyre të bukur nuk kanë kuptim pa gjuhën shqipe.

Prandaj, ju lutemi, të veprojmë bashkërisht në shërbim të gjuhës shqipe, gjuhës së shekujve.

Suksese kolegë, suksese nxënës të dashur. Na qoftë një vit i mbarë!

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës (KKAD)

Dr. Vaxhid Sejdiu – kryetar