Këshilltari i DASH: Përparimi në dialogun me Serbinë, çelës për të ardhmen evropiane të Kosovës

Uashington, 30 prill 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të premten në Uashington me këshilltarin Special në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Z. Chollet, në një postim në Twitter, ka vënë theksin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilin e ka cilësuar si “çelës për të ardhmen evropiane të Kosovës”. Ai ka thënë se gjatë takimit me Kurtin ka ritheksuar përkushtimin e vendosur të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Më vjen mirë qe e takova dje kryeministrin e Kosovës Kurti për të diskutuar prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë përparimin në Dialogun Kosovë-Serbi, çelësi për të ardhmen evropiane të Kosovës. E falënderova atë për pritjen e afganëve dhe ritheksova përkushtimin e vendosur të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka shkruar Chollet.

Ndërkaq Kurti, po nëpërmjet një postimi në Twitter, ka thënë se pret vazhdimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së “për vlerat dhe prioritetet e përbashkëta”.

“I nderuar nga ftesa e Derek Chollet në Departamentin e Shtetit për takimin tonë të parë personal. Presim vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh me SHBA-të për vlerat dhe prioritetet e përbashkëta”, ka shkruar Kurti.

Këshilltari Special në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, kishte folur dy herë me kryeministrin Kurti, lidhur me çështjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. Ai pati sugjeruar që kosova të lejonte organizimin e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.

“… theksova rëndësinë e sigurimit të votuesve me të drejtë vote në Kosovë që të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme kombëtare serbe të 3 prillit”, kishte shkruar Chollet në Twitter.

(r.m.)