Këshilltari i Departamentit të Shtetit arrin në Bosnjë e Hercegovinë

Sarajevë, 15 nëntor 2021 – Këshilltari i Departamentit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara, Derek Chollet, ka arritur më 15 nëntor për vizitë në Bosnje dhe Hercegovinë si pjesë e angazhimit amerikan për të riafirmuar mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi.

SHBA-ja po u bën thirrje krerëve të këtij vendi që të përfshihen në dialog konstruktiv për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike.

Chollet do të qëndrojë në Bosnje dhe Hercegovinë deri më 17 nëntor.

Ai do të zhvillojë bisedime me anëtarët e Presidencës trepalëshe të këtij vendi, me Përfaqësuesin e Lartë Ndërkombëtar, Christian Schmidt, si dhe me zyrtarë tjerë të Bosnjës.

Në fund të prillit, Chollet u bëri thirrje politikanëve në Bosnje dhe Hercegovinë që të diskutojnë për përparimin dhe reformat kryesore, në vend të retorikës nxitëse dhe kërkesave ekskluzive, pati njoftuar në atë kohë Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë.

Gjatë qëndrimit të tij në Sarajevë, Chollet pritet t’iu ritheksojë zyrtarëve se institucionet funksionale, demokratike në të gjitha nivelet e qeverisjes janë çelësi për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët, si në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, ashtu edhe në Republikën Sërpska (RS), si dhe në rrethin e Bërçkos.

Vizita e Chollet pason atë të Zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në fillim të muajit nëntor.

Ai u tha qytetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës se vendi i tij nuk do të mbështesë kurrë aktivitete të njëanshme që do të rrezikonin Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

Anëtari i Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik ka kërcënuar me largim të Republikës Sërpska nga institucionet kombëtare, siç është autoriteti i taksave, agjencia për ilaçe dhe nga ushtria.

Sipas Kushtetutës së Bosnje dhe Hercegovinës (BiH), entitetet e Republikës Sërpska dhe Federata e Bosnje dhe Hercegovinës nuk mund t’i kthejnë në mënyrë të pavarur kompetencat që i janë transferuar shtetit në periudhën e mëparshme.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.

(REL)

Comment

*