Këshilltarja e re shqiptare në Worcester, kujton me mall babain, në Ditën e Falenderimeve

25 nëntori 2021 është Dita e Falenderimeve në SHBA, por për Etel Haxhiajn, këshilltaren e sapozgjedhur bashkiake në Worcester, është edhe ditëlindja e babait të saj të ndjerë.

Ajo ka postuar me këtë rast në rrjetet sociale një video të babait të saj, Flamur Haxhiaj, duke kënduar këngën e famshme italiane “O Sole mio” (O dielli im). Ndonëse në moshë relativisht të vjetër, në këtë video nga viti 2012, ai lë mbresa me interpretimin e tij prej tenori klasik. Videoja e regjistruar gjatë një koncerti në Uster (Worcester) është postuar edhe në fund të këtij teksti. “Më merr malli shumë për zërin të bukur”, thotë për të e bija.

I përkushtuar ndaj muzikës e këngës që në moshë të re në qytetin e Vlorës, Flamur Haxhiaj nuk e humbi pasionin për artin edhe në mërgim.

Etel, e cila bëri bujë këtë muaj me fitoren e saj në zgjedhjet lokale ku kandidoi si një demokrate e krahut të majtë progresist, thotë se do ta nisë Ditën e Falenderimeve duke i shkruar një letër në ditar babait të saj, i cili u nda nga kjo jetë në vitin 2019.

Ruan në veçanti të shtrenjë porosinë më të madhe të tij: “Duaj më shumë. Bëje zemrën më të madhe dhe përcillja djemve të njëjtin mësim”.

“Po mundohem, baba”, ka shkruar ajo.

(Ruben Avxhiu)