KFOR-i shton patrullimet në veri të Kosovës

Prishtinë, 27 shtator 2021 – Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se e ka rritur numrin e patrullimeve në mbarë Kosovën, përfshirë pjesën veriore.

Në një deklaratë të KFOR-it këto cilësohen si patrullime rutinore, por është shumë e qartë se ato janë shtuar pë shkak të tensionimit të situatës në veri.

“KFOR-i po monitoron nga afër situatën në mbarë Kosovën dhe vazhdon të jetë i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – që buron nga Rezoluta 1244 e vitit 1999 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar – që të ofrojë ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinë në mbarë Kosovën, përfshirë në veri të Kosovë”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.

Mediet në Kosovë kanë pubikuar fotografi të pjesëtarëve të KFOR-it në rrugën kryesore në Jarinjjë dhe në rrugët alternative në zonën e kufirit me Serbinë.

Kryemininistri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se sot, më 27 shtator, ka pasur një takim me komandantin e KFOR-it, Gjeneral-majorin Franco Federici, ku është biseduar për situatën e përgjithshme në Kosovë, me theks në situatën e sigurisë në pjesën veriore të vendit.

Kurti nuk i ka pohuar as mohuar raportimet se KFOR-i po përgatitet të ndërhyjë në veri për zhbllokimin e venbdkalimeve kufitare.

“Sot kam pritur në takim komandantin e KFOR-it dhe bashkë me ministrin e brendshëm, Xhelal Sveçla, jemi në kontakt të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare në Kosovë. Unë nuk kam informacion të tillë për përgatitje të ndërhyrjes së KFOR-it në veri”, tha Kurti.

Rrugët afër vendkalimeve kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjak janë bllokuar nga grupe serbësh që kundërshtojnë aplikimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve. Ata kanë vendosur në rrugë kamionë e mjete të tjera të rënda si edhe zhavor.

Serbia ka reaguar ashpër pas vendosjes së reciprocitetit. Serbia i ka shtuar tupat ushtarake e policore në zonën kufitare dhe e ka ngritur nivelin e gatishmërisë. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, së bashku me kryeshefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq, i ka vizituar njësitë e ushtrisë dhe të zhandarmërisë serbe në këtë zonë. Ai e ka takuar edhe një grup serbësh që po protestojnë kundër reciprocitetit, në anën serbe të kufirit me Kosovën.

Ambasadori i Federatës Ruse në Beograd, Aleksandar Bocan – Harçenko, ka vizituar trupat e ushtrisë e të policisë serbe në zonën pranë kufirit me Kosovën, bashkë me ministrin Stefanoviq.

(r.m.)