Kina i dërgon Serbisë sistem të sofistikuar kundërajror

Beograd,10 prill 2022 – Serbia, një aleate e Rusisë, mori këtë fundjave një sistem të sofistikuar kundërajror kinez në një operacion gjysmë të fshehtë, mes shqetësimeve perëndimore se një grumbullim i armëve në Ballkan në kohën e luftës në Ukrainë, mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon.

Mediat dhe ekspertët ushtarakë thanë të dielën se gjashtë avionë transportues të Forcave Ajrore Kineze Y-20, u ulën në aeroportin civil të Beogradit herët të shtunën, dhe sipas raportimeve, mbanin sisteme raketash tokë-ajër HQ-22 për ushtrinë serbe.

Avionët kinezë të mallrave me shenja ushtarake u fotografuan në aeroportin Nikola Tesla të Beogradit. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së agjencisë së lajmeve Associated Press për koment.

Ekspertët thonë se transportimi i armëve mbi territorin e të paktën dy vendeve anëtare të NATO-s, Turqisë dhe Bullgarisë, është një demonstrim i shtrirjes globale në rritje të Kinës.

Analisti ushtarak serb, Aleksandar Radiç, tha se “kinezët kryen një demonstrim froce”.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, pothuajse konfirmoi pranimin e sistemit me rreze të mesme veprimi për të cilin qe rënë dakord në 2019, duke thënë të shtunën se ai do të paraqesë “krenarinë më të re” të ushtrisë serbe të martën ose të mërkurën.

Ai ishte ankuar më herët se vendet anëtare të NATO-s, pjesë e së cilës janë shumica e vendeve fqinje të Serbisë, po refuzojnë të lejojnë fluturimet e dorëzimit të sistemit mbi territoret e tyre, mes tensioneve për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Edhe pse Serbia ka votuar në favor të rezolutave të OKB-së që dënojnë sulmet e përgjakshme ruse në Ukrainë, ajo ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës ose të kritikojë drejtpërdrejt mizoritë e dukshme të kryera nga trupat ruse atje.

Në vitin 2020, zyrtarët amerikanë paralajmëruan Beogradin kundër blerjes së sistemeve kundërajrore HQ-22, versioni i eksportit i të cilëve njihet si FK-3. Ata thanë se nëse Serbia me të vërtetë dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe aleancat tjera perëndimore, duhet të harmonizojë pajisjet e saj ushtarake me standardet perëndimore.

Sistemi i raketave kineze është krahasuar gjerësisht me sistemet e raketave amerikane Patriot dhe ato ruse S-300, megjithëse ka një rreze më të shkurtër veprimi sesa sistemet S-300 më të përparuara. Serbia do të jetë përdoruesja e parë e raketave kineze në Evropë.

Serbia ishte në luftë me fqinjët e saj në vitet e 90-ta. Vendi, i cili po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në BE, tashmë ka pajisur forcat e tij të armatosura me armë ruse dhe kineze, duke përfshirë avionë, tanke dhe pajisje të tjera.

Në vitin 2020, Serbia mori dronët Chengdu Pterodactyl-1, të njohur në Kinë si Wing Loong. Dronët luftarakë janë në gjendje të godasin objektivat me bomba dhe raketa dhe mund të përdoren për detyra zbulimi.

Në Perëndim ka shqetësim se armatosja e Serbisë nga Rusia dhe Kina mund të inkurajojë vendin ballkanik drejt një lufte tjetër, veçanërisht kundër ish-krahinës së saj të Kosovës, që shpalli pavarësinë në vitin 2008. Serbia, Rusia dhe Kina nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, e cila është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve perëndimore.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*