Kina mohon hakerimin e platformës së Mikrosoftit për postën elektronike

Pekin, 21 korrik 2021 – Pekini ka mohuar akuzat se është prapa një sulmi masiv kibernetik kundër Microsoft Exchange – një platformë e njohur e-maili që përdoret gjerësiht nga kompanitë në të gjithë botën. Në fillim të kësaj jave, aleanca e NATO-s, Bashkimi Evropian, Australia, Britania, Kanadaja, Japonia dhe Zelanda e Re u bashkuan me Shtetet e Bashkuara duke ngritur akuza ndaj aktorëve të sponsorizuar nga shteti kinez për “veprimtari të dëmshme kibernetike”. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë Patsy Widakuswara njofton.

Sulmi kibernetik global ndaj programit të postës elektronike Microsoft Exchange u zbulua për herë të parë në janar dhe filloi të godasë dhjetëra-mijëra llogari në të gjithë botën në fund të shkurtit. Në fillim të kësaj jave, administrata Biden akuzoi Kinën për sulmet kibernetike.

Pekini tha se akuzat janë të fabrikuara.

“Kina edhe një herë u kërkon fuqimisht Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre të ndalojnë vjedhjet dhe sulmet kibernetike që kanë si objektiv Kinën, të ndalojnë të ndotin Kinën për çështjet e sigurisë kibernetike”, tha Zhao Lijian, zëdhënës i ministrisë së Jashtme kineze.

Të hënën, Presidenti amerikan Joe Biden akuzoi qeverinë kineze për mbrojtjen e hakerëve.

“Qeveria kineze, ashtu si edhe ajo ruse, nuk po i bënë vetë këto sulme, por po mbron ata që i bëjnë, dhe ndoshta po i mbështet ata për t’i kryer këto sulme”, tha presidenti Biden.

NATO-ja, Bashkimi Evropian, Australia, Britania, Kanadaja, Japonia dhe Zelanda e Re janë bashkuar me administratën Biden në akuzimin e Pekinit për sponsorizimin e aktivitetit kibernetik me qëllim keqdashës.

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar katër shtetas kinezë në lidhje me një fushatë spiunazhi të udhëhequr nga shteti që ka si objektiv Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

“Në akuzë pretendohet se tre nga katër të pandehurit ishin oficerë të zbulimit të Ministrisë së Sigurimit të Shtetit të Kinës (MSS). Ata i kryen sulmet e pretenduara kibernetike përmes kompanive të tjera në mënyrë që të fshehin rolin e qeverisë në skemën e paligjshme”, thotë Randy Grossman, prokuror për qarkun e Kalifornisë Jugore.

Por administrata e Presidentit Biden nuk e ka penalizuar Pekinin me sanksione ose dëbime diplomatike, siç bëri në përgjigje të sulmeve kibernetike ruse gjatë muajve të fundit.

“Ata janë të shqetësuar për hakmarrjen e mundshme të Kinës, ndoshta kundër kompanive amerikane që bëjnë biznes brenda Kinës. Dhe mendoj se ka ndoshta vështirësi për të bërë që një numër i aleatëve – ndoshta shtetet më të vogla evropiane me marrëdhënie të ngushta ekonomike me Kinën – të zbatojnë sanksione të zgjeruara ndaj Kinës”, thotë Adam Segal me Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

Shtëpia e Bardhë tha se hetimi mbi sulmet kibernetike po vazhdon dhe nuk po përjashton masa ndëshkuese në të ardhmen.

“Ky nuk është përfundimi i përpjekjeve tona për aktivitetet kibernetike të Kinës apo Rusinë”, tha zëdhënësja e shtypit Jen Psaki.

Kina thotë se kundërshton të gjitha format e krimit kibernetik dhe pretendon se shumica e sulmeve kibernetike vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Analistët thonë se vendet duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Rusinë përfshihen rregullisht në spiunazh kibernetik dhe nuk ka gjasa të ndalen.

“Kam më shumë shpresë se mund të ketë një lloj marrëveshjeje mbi sulmet që shkaktojnë ndërprerje të shërbimeve, që shkatërrojnë të dhënat apo sistemet. Sulmi ndaj gazsjellësit Colonial, ishte më i rëndi – pasi u la jashtë rrjetit për disa ditë – është një lloj sulmi që të bën të mendosh se duhen përcaktuar disa norma të përbashkëta me Kinën, Rusinë dhe të tjerët”, thotë Adam Segal.

Në vitin 2015, presidenti i atëhershëm Barack Obama dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping ranë dakord që të dyja vendet do të zbusin sulmet kibernetike dhe do të hetojnë krimet kibernetike me origjinë brenda kufijve të tyre.

Por, kjo përballje e fundit kibernetike ka të ngjarë të thellojë tensionet në marrëdhëniet SHBA-Kinë.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*