Kisha Katolike e Shqipërisë: Le të mësojmë nga Benedikti i 16

Dorëheqja nga froni i Papa Benediktit të 16-të Jozef Racinger në Vatikan nuk po kalon pa vëmendjen e besimtarëve katolikë në Shqipëri.
Imzot Anxhelo Masafra, Ipeshkvi Metropolitan i Dioqezës Shkodër Kult u tha besimtarëve në një meshë se dorëheqja e Papa Benediktit të 16-të është motivuar nga mbështetja e ndërgjegjes së tij përpara Zotit. Imzot Masafra, theksoi gjithashtu se besimtarët panë një mësim të mirë nga Papa Benedikti i 16-të, që është fitorja e Zotit mbi gjithçka.
Po ashtu Imzot Masafra theksoi se Kisha Katolike e Shqipërisë qëndron pranë Papës Benedikti i 16-të në këto çaste të vështira: “Le të mësojmë nga ky Papë, pasi jemi të tunduar që për gjithçka të veprojmë shpejt dhe nganjëherë keq e në dëm të të tjerëve. Por, të tërhiqesh në lutje, do të thotë të dish se Zoti fiton mbi gjithçka gjithmonë! Duke u lutur për të dhe duke ia besuar jetën dhe shërbesën e Tij me mirënjohje Zotit”!
Imzot Anxhelo Masafra është gjithashtu Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, i zgjedhur rreth katër, pesë muaj më parë.
D. Ndrenika