Kisha Katolike në SHBA drejt një dokumenti që kritikon Presidentin e dytë katolik në histori

Nga Ruben Avxhiu

Në mbarë historinë e Shteteve të Bashkuara vetëm dy katolikë janë zgjedhur ndonjëherë në postin e Presidentit: John F Kennedy dhe Joe Biden.

Ky rikthim në krye të Shtëpisë së Bardhë i një katoliku duhej të ishte një moment krenarie për komunitetin shumë-milionësh katolik në SHBA, ku bëjnë pjesë edhe dhjetra mijëra shqiptarë.

Mirëpo, katolicizmi i Presidentit Biden ka qenë më shumë një temë debatesh sesa feste në radhët e katolikëve amerikanë.

Sot, një vendim i Ipeshkëve Katolikë në SHBA po dëshmon publikisht pakënaqësinë e Kishës me Presidentin e fesë së tyre.

Me një votë 168 pro dhe 55 kundër Konferenca e Ipeshkëve Katolikëve vendosi hartimin e një “dokumenti edukues”, si e quajtën ata, që synon të fshikullojë politikanët katolikë përfshi edhe Presidentin Joe Biden që vazhdojnë të kryejnë ritin e marrjes së komunionit në kishë ndërkohë që mbështesin të drejtën e abortit.

Për Kishën Katolike aborti është thjesht vrasje e një njeriu. Nga ana tjetër, për mbështetësit e të drejtës për të zgjedhur, një grua gëzon të drejtën që të vendosë vetë nëse dëshiron apo nëse mundet që të bëhet nënë. Debati ka gati një shekull në SHBA si dhe në shumë vende të botës dhe është zhvilluar në fusha të politikës, jetës shoqërore, institucioneve ligjore e kulturore, të shëndetësisë e padyshim edhe në botën fetare.

Debate të ashpra janë zhvilluar edhe në Konferencën e Ipeshkëve të mbajtur në tri ditët e fundit, në të cilën, disa figura katolike kanë argumentuar se është e papranueshme që nga një anë politikanë si Joe Biden deklarohen në publik si katolikë, ndërsa në politikë fyejnë çdo ditë ndjeshmëritë katolike. Për shembull, Biden, sipas tyre, si president po zbaton programin më ekstrem në histori në favor të abortit.

Mirëpo, disa ipeshkvë kanë argumentuar se një qendrim kaq konkret thjesht do të politizojë kishën. Refuzimi i ritit të komunionit për politikanë si Biden do të politizonte ritin i cili ka karakter jopolitik, por thjesht fetar dhe jepet sipas rregullave të kishës. Atë e kanë marrë në shekuj mëkatarë e njerëz me vese apo të papërkryer, duke përdorur rrëfimin, pendimin, faljen, tolerancën, zemërdhënien dhe plot mekanizma të tjera që rregullojnë jetën e besimtarëve.

Votimi ka qenë me shumicë të qartë për të dhënë një sinjal të fortër, por Konferenca nuk është nxituar. Hapi tjetër është hartimi i një doktrine mbi kuptimin e komunionit në jetën e kishës dhe do të paraqitet për miratim në nëntor. Nuk do të ketë emra të përveçëm. Pra nuk do të thuhet fjala “Biden”. Kisha po debaton në parim.

Sa katolik është vërtet Joe Biden? Historia e tij është e lidhur me kishën ashtu si për shumë familje emigrantësh irlandezë. Edhe sot, ai shkon rregullisht në kishë. Për abortin, ai thotë se personalisht është kundër tij, por si president, ai respekton vullnetin e shumicës së amerikanëve dhe vendimet e Gjykatës Supreme.

Mirëpo, kritikët e tij në Kishën Katolike thonë se Biden ka nënshkruar personalisht vendime ekzekutive që zgjerojnë praktikën e abortit. Ato janë vendime të tija personale dhe fyejnë ndjeshmëritë e katolikëve në SHBA.

Edhe nëse vërtet në nëntor vendoset që politikanët e majtë pro-abortit nuk e meritojnë marrjen e komunionit, në praktikë kjo do t’u lihet kishave dhe priftërinjve lokalë që ta vendosin se si do ta zbatojnë. Kardinali Wilton Gregory, kryeipeshkvi i kryeqytetit amerikan, tha se Biden ishte i mirëpritur për ta marrë komunionin në çdo kishë të juridiksionit të tij në Washington DC.

Komunioni është rituali i shenjtë i ngrënjes së bukës dhe pirjes së verës që simbolizon trupin e thyer të Jezu Krishtit dhe gjakun e tij të derdhur për të falur mëkatet e të krishterëve në këtë botë. Në jetën e përditshme në shumë kisha prej vitesh është thjesht një rutinë, në të cilën pjesëmarrja është më shumë në ndërgjegjen e besimtarit sesa në patrullimin e priftit dhe kishës.

Katolikët kanë qenë prej dekadash votues të rregullt të Partisë Demokrate në SHBA. Por në vitet e fundit, në shekullin e ri ka një zhvendosje të dukshme nga Partia Republikane. Megjithatë, në zgjedhjet e fundit presidenciale elektorati katolik është ndarë gati në gjysëm. Kjo dukuri pasqyrohet edhe në komunitetin katolik shqiptaro-amerikan.