Klinika “Zhan Mitrev” në Shkup hetohet lidhur me trajtimin e pacientëve me COVID-19

Shkup, 18 korrik 2022 – Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar të hënën për nisjen e hetimeve ndaj spitalit privat të kardiokirurgjisë “Zhan Mitrev” në Shkup, që dyshuar për trajtim joadekuat të pacientëve të sëmurë me COVID-19, me pasojë vdekjen.

“Çështja i është caktuar prokurorit publik kompetent, i cili do të ndërmarrë veprime për verifikimin e pretendimeve për vepër penale kundër shëndetit të njerëzve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.

Njoftimi i prokurorisë erdhi pas transmetimit të emisioni me titull “Gjaku i papastër”, të realizuar nga rrjeti “Laboratori për Gazetari Hulumtuese-IRL”.

Sipas raportit të këtij rrjeti hulumtues, të sëmurët me COVID-19 i janë nënshtruar filtrimit të gjakut gjatë trajtimit nga kjo sëmundje.

Sipas hulumtimit, trajtimi i tillë në këtë klinikë është bërë në mënyrë të jashtëligjshme, por edhe e ka infektuar shumicën e pacientëve me baktere vdekjeprurëse.

Sashka Cvetkovska, një nga gazetaret që e kanë hulumtuar rastin, ka thënë se “dyshimet bazohen në 24 tragjedi familjare”. Sipas saj, edhe më pare pa pasur denoncime në prokurori, por nuk janë ndërmarrë masa.

“Vetëm sot, prej mëngjesit, qytetarët na kanë dërguar foto të katër kallëzimeve penale, njëri prej tyre nga Kosova, tre nga këtu. Rastet që i kemi hulumtuar bazohen në 24 tragjedi familjare”, ka thënë Cvetkovska.

Në këtë klinikë, sipas hulumtimit, trajtimi klinik me metodën e hemofiltrimit është bërë pa licensën e Agjencisë shtetërore për Medikamente dhe Pajisje Mjekësore.

Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar kontrolle të jashtëzakonshme në këtë spital ndërsa pret përfundimin e hetimeve për masa të mëtejme. Qeveria i ka dhënë Ministrisë së Shëndetësisë dy ditë afat që të përgatisë raportin për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit.

“E kam mirëpritur veprimin e Prokurorisë. Ministria e Shëndetësisë do të jetë e gatshme për bashkëpunim. Çdo gjë do të jetë transparente. Presim të vijnë raportet nga institucionet relevante, për të parë nëse ka pasur parregullsi gjatë trajtimit të pacientëve”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Klinika “Zhan Mitrev”, e cila e ka cilësuar informacionin si “të fabrikuar”.

“Klinika ‘Zhan Mitrev’ është tronditur nga reagimet e opinionit”, thuhet në reagimin me shkrim të kësaj klinike.

“Informacion i fabrikuar për të krijuar një imazh të rremë”, shtohet në reagim.

Aty thuhet se kjo klinikë, e cila është hapur para 22 vjetësh, ofrohen shërbime të certifikuara të standardeve botërore dhe se këso shërbimesh u janë ofruar edhe pacientëve me COVID-19.

(Sipas REL)