KLSH: AKU e dinte, por s’largoi nga tregu mijëra kg. ushqime të skaduara

Në tregjet shqiptare janë shitur ushqime jashtë standardit, për të cilat dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka pasur dijeni por nuk ka vepruar.

Skandali është zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili në raportin e fundit shprehet se inspektorët e AKU kanë zbuluar problemin, ky institucion nuk ka vepruar dhe mallrat ose nuk janë tërhequr fare nga tregu, ose nuk dihet se çfarë është bërë me to.

Auditimi i KLSH është kryer për periudhën 2018-2020.

Janë 27 mijë e 890 kilogram mish, i ndryshëm, 20,000 kg djath të denoncuar për praninë e vajit të palmës, për të cilin ka patur ankesë nga konsumatorë, por që pas konstatimit rezulton se nuk ka asnjë të dhënë se si është vepruar me to.

Po ashtu në dokument thuhet se 20,525 kg yndyrë vegjetale është shitur në treg si gjalp por që ishte lënë detyrë e tërheqjes nga tregu, por KLSH konstaton se nuk administrohet informacion se çfarë është bërë me këtë sasi.

Skandali vijon me 9,132 kg produkte të ndryshme dhe 4,242 litra vaj të cilat janë shitur, ndërkohë që analizat laboratorike të kryera më pas kanë treguar se produktet janë jashtë standardit, dhe asnjë nga to nuk u tërhoq nga tregu.

Në mënyrë të paprecedentë në 12 raste është konstatuar se produkti mish, i cili është konfiskuar gjatë inspektimit të subjekteve, të cilat kanë qenë në shkelje të ligjit, nga inspektorët është dërguar në ambjentet e subjekteve private në një kohë që këto subjekte janë vetë objekt inspektimi nga Drejtoria Rajonale Autoritetit Kombëtarë Ushqimorë Tiranë.

Një raport i tillë është edhe më alarmant kur bëhet fjalë se askush nuk reagon për ushqimet, madje AKU ka falur dhe gjobat që janë lënë në fuqi prej gjykatave.

OraNews

Comment

*