KM Albin Kurti: Historia jonë përbëhet prej dëshmorëve të kombit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në 32 vjetorin e rënies së heronjve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, ka bërë homazhe te varrezat e tyre në lagjen Velania në Prishtinë.

Kurti tha se të dy heronjtë janë padyshim ndër përfaqësuesit më emblematik të popullit historik. Ai më tej shtoi se historinë e bënë dëshmorët, ndërsa ardhmëria varet prej besnikërisë.

“Në vjeshtën e vitit 1989, Fahri Gazliu dhe Afrim Zhitia kanë qenë veprimtarë ilegal, të cilët organizonin dhe merrnin pjesë në demonstrata e asaj kohe, që ishin të fuqishme dhe të shpeshta. Më 1 nëntor, një ditë para se të vriteshin, Afrim Zhitia mban fjalim në demonstratë, ndërkaq më 2 nëntor kur u ballafaquan më forcat e policisë, bien heroikisht, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Është interesante për historinë tonë sesi në vitet 80-ta, pas vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, Lëvizja e përjeton një hov te madh me organizimin brenda Kosovës. Ata kanë bërë shumë aksione në Kosovë, dhe është koha kur vepronte Çeta e Llapit, me ç’rast luftëtaret e asaj çete ishin Ali Ajeti e Hasan Ramadani, që i kishin armët që u kishte dhënë Afrim Zhitia”, tha Kurti.

“Padyshim ndër përfaqësuesit më emblematik të popullit historik janë këta dy heronjve. Historia jonë përbëhet prej dëshmorëve dhe ardhmëria varet prej besnikërisë”.

Fahriu dhe Afrimi u vranë më 2 nëntor 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi me forcat serbe.RTK