KM Rama: Do të dëgjojmë argumentat e PD-së për vetingun e politikanëve

Kryeministri Edi Rama foli rreth orës 20 pas mbledhjes me kryetarët e degëve të P:artisë së tij Socialiste qeveritare.

Knid Ndrenika

Kryeministri Edi Rama deklaroi mbrëmjen e kësaj të mërkure se është i hapur të diskutojë me opozitën për propozimin e saj për vetingun e politikanëve.

Zoti Rama foli rreth orës 20 pas mbledhjes me kryetarët e degëve të P:artisë së tij Socialiste qeveritare.

Ai tha për propozimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për vetingun e politikanëve se “nëse ka argumente bindës, ne do bëjmë më të mirën”.

“Nuk kam shprehur opinion të drejtpërdrejtë, për të respektuar një parim, që e kemi vendosur vetë që në fillim, që ne jemi të hapur të diskutojmë çdo gjë”-tha kryeministri.

I pyetur se pasi PS dhe ai e rrëzuan propozimin e PD-së opozitare për veting politikanësh në 2008 dhe përse sot e pranon ta diskutojë, kryeministri tha se “do të ulemi me vullnet të mirë për çdo gjë që opozita do të diskutojë”

“Më 2018 ka pasur një propozim, që është konsideruar jo bindës. Nuk dimë gjë për propozimin e ri. Janë tre vite, në tre vite gjërat evoluojnë, argumentet po”-shtoi zoti Rama.

Megjithatë ai theksoi se ka “seriozitet mbi parimin se jemi gati të diskutojmë çdo gjë” dhe se “fillon nga këtu”, sepse “nëse që në fillim ne themi fjalën e fundit në dialog, atëherë s’ka tryezë”.

“Do të ulemi në tryezë, do të japim gjithë disponimin për të dëgjuar, do dëgjojmë, do themi ato që mendojmë, do marrim mendimet e ekspertëve tanë të fushës dhe do arrijmë në konkluzione në mënyrë sa më civile”-tha kryeministri.

Sipas tij, “cilësia e demokracisë, e bashkëjetesës, nuk varet nga sa shpesh biem dakord, por nga mënyra se si nuk biem dakord”.

“Mund të mos biesh dakord duke gjuajtur me gurë, por edhe duke argumentuar normalisht. Ne duam këtë të dytën”-shtoi ai.