KM Rama falenderon NATO-n për ngritjen e shtabit pararojë në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria nuk është thjesht anëtare e NATO-s, por vend me Shtabin bazë të Komandës Operacionale Speciale amerikane në Europë

Knid Ndrenika

Shqipëria përgëzoi vendosjen në territorin e saj të Shtabit Pararojë të Komandës së Operacioneve Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropën.

Kryeministri Edi Rama e quajti “superlajm” njoftimin e NATO-s për vendosjen në Shqipëri të Shtabit Pararojë të Komandës amerikane të Operacioneve Speciale për Evropën.

Është hera e parë që Shtetet e Bashkuara vendosin një seli të këtij lloji në Shqipëri.

NATO njoftoi se vendosja e Shtabit Pararojë të Komandës amerikane të Operacioneve Speciale në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik.

Zoti Rama komentoi motivacionin e NATO-s për vendndodhjen në Shqiëpri e Shtabit Pararojë të Komandës amerikane:

“Kemi marrë një lajm fantastik, për të cilin kemi disa kohë që punojmë. Shprehje e një besueshmërie shumë të lartë, e një bashkëpunimi shumë të afërt. Edhe, për ata që na qahen, “ku i kemi armët, ku i kemi helikopterët, ku i kemi aeroplanët, ku i kemi pushkët, ku i kemi nagantët, ku i kemi koburet”. Jemi një vend me Shtabin bazë të Komandës së Forcave Operacionale Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë”.

Ambasadorja amerikane Juri Kim tha se viti i ri 2022 filloi me lajm të shkëlqyer në marrëdhëniet e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Reagim i Kryeministrit Edi Rama lidhur me ngritjen e shtabit pararojë në Shqipëri të Komandës Amerikane të Operacioneve Speciale për Europën:

Nga Gjermania, doli deklarata e Komandës së Forcave Operacionale Speciale të Shteteve të Bashkuara, e cila operon për Europën dhe ka vendosur të ngrejë në Shqipëri një shtab të bazës së Forcave Operacionale Speciale.

“Vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë”, – sipas deklaratës, – “një ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik.

Shqipëria mbete një aleat i fort në NATO, i Shteteve të Bashkuara dhe ato gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, gjë që e bën vendosjen e një shtabi pararojë në këtë vend aleat, një vendim të natyrshëm.

Gjithashtu kjo vendndodhje redukton në një masë të madhe kohën e udhëtimit dhe fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon. Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen  e qeverisë shqiptare”, por nuk është kjo pjesa më e rëndësishme.

Pjesa më e rëndësishme është që sot kemi marrë një lajm fantastik për të cilin për hir të vërtetës kemi disa kohë që punojmë. Është shprehje e një besueshmërie shumë të lartë.

Shprehje e një bashkëpunimi shumë të afërt e me këtë rast dua ta falënderoj publikisht, diçka që nuk e kam fort me qejf, të them të drejtën, kur e bëj por kur duhet bërë duhet bërë, sepse ambasadorët bëjnë detyrën e tyre dhe kjo mania e falenderimit të ambasadorëve është diçka nga e cila ne duhet të ndahemi, por realisht ambasadorja Yuri Kim duhet falënderuar për lehtësimin e jashtëzakonshëm që i ka bërë këtij ndërveprimi duke na mundësuar që të jemi në një komunikim të nivelit më të lartë prej një kohe tani relativisht të qëndrueshme dhe pse jo edhe të gjatë.

Shumë faleminderit! Për kaq ishte kjo por doja t’jua thoja direkt këtu nga zyra sepse po e prisnim me padurim daljen e këtij lajmi kaq të mirë, edhe për ata që na qahen, “ku i kemi armët, ku i kemi helikopterët, ku i kemi pushkët, ku i kemi koburet”. Ne jemi jo vetëm një anëtar në NATO, por jemi tanimë një vend me shtabin bazë të Komandës së Forcave Operacionale Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë.