KM Rama merr dozën e tretë antiCOVID, nxehet me gazetarin

Kryeministri Edi Rama u vaksinua sot për herë të tretë  me vaksinën anticovid, në qendrën e Vaksinimit në “Arenën Kombëtare”.

https://www.facebook.com/ediramaal/videos/583330532774185/

Zgjedhja e vaksinës u bë në mënyrë rastësore nga dy gazetarë të pranishëm për të ndjekur procesin dhe më pas një tjetër gazetare përcaktoi po në mënyrë të rastësishme njërën prej vaksinave.

Doza e tretë e vaksinës AntiCovid,  e cila duhet të ofrohet jo më parë se 6 muaj pas përfundimit të vaksinimit me dozën e dytë, është domosdoshmëri për të qenë më të mbrojtur gjatë dimrit, edhe në kushtet kur e gjitha bota është e shqetësuar për variantin e ri Omicron.

Pas marrjes së vaksinës, kryeministri Rama komunikoi me mediat e pranishme:

“Siç besoj e patë dhe ma ha mendja do ndihmoni që të shfaqet ashtu siç ndodhi, unë bëra sot vaksinën e tretë, një zgjedhje e rastësishme nga dy gazetarë që ndodheshin këtu, dhe mes të dyjave një zgjedhje tjetër e rastësishme sepse unë nuk e kuptoj dot sesi në shekullin e 21 nuk mund t’i besohet shkencës, nuk mund t’i besohet autoriteteve, por u besohet disa sharlatanëve, disa delirantëve në internet që shpërndajnë gjithfarë teorish konspiracioni.

Si ka mundësi që kjo të jetë lojë, në kurriz të gjithë planetit, dhe asnjë gazetë, asnjë televizion, asnjë kanal serioz informimi të mos flasë. Pra u është mbyllur goja të gjitha mediat e botës, nga Amerika, në Australi, në Islandë dhe u hapur goja atyre që nuk kanë asnjë lidhje me shkencën, nuk kanë asnjë lidhje me humanizmin, asnjë lidhje me shëndetin publik.

Po flasin për t’u vaksinuar të gjitha akademitë e botës dhe po flet kundër vaksinës një lumë konspiracioni nëpër FB, nëpër internet.

Kjo është skandaloze dhe e turpshme! Mbi të gjitha, është të fyesh inteligjencës tënde dhe në vend t’i besosh shkencës, në vend t’i besosh atyre që janë faktet para nesh që humbasin jetën njerëzit pse nuk vaksinohen, ndërkohë që ata që vaksinohen, edhe kur infektohen – sepse vaksina nuk të mbron nga infektimi, por nga vdekja, – e kalojnë me simptoma të lehta. Çfarë mund të thuhet tjetër sot, përveçse vaksinohuni?

Austria është mbyllur komplet, vende të tjera po marrim gjithfarëlloj masash. Ne kemi bërë çmos të mos ngarkojmë psikologjikisht dhe të mos stresojmë sektorët e jetës këtu në vendin tonë, por duhet të jemi të qartë për një gjë; ne nuk mundemi dot ta lëmë këtë situatë në rrjedhje të lirë, të dalë ku të dalë sepse mbajmë përgjegjësi, siç kemi mbajtur përgjegjësi deri më sot  do vazhdojmë ta mbajmë deri në fund.

U them të gjithë atyre, në radhë të parë që janë nëpunës të këtij shteti që të vaksinohet sepse mund të vijë momenti që t’u ndalohet të shkojnë në punë pa pasur kartelën e vaksinimit online. Po u ndalua të shkojnë në punë, nuk do paguhen nga taksat e qytetarëve sepse nuk duan të vaksinohen.

U them të gjithë atyre që kanë të bëjnë në veprimtarinë e tyre me hapësira publike, me hapësirat ku bëhen Pazar, hapësira të mbyllura, të vaksinohen, sepse mund të vijë momenti që nuk do lejohen të hyjnë nëpër merkato e nëpër dyqane të pavaksinuar.

U them të gjithë atyre që kanë dyqane të vaksinohen sepse mund t’u mbyllet dyqani nëse nuk janë të vaksinuar e kështu me radhë të gjithëve se nuk mund të rrezikojë pjesa më e madhe e popullsisë për shkak se një pjesë tjetër i bën karshillëk shkencës, shëndetit, shëndetit të vet dhe familjarëve të vet.

Unë nuk e kuptoj. Është shumë e qartë nga gjithë çfarë po ndodh pas vaksinimit. Aq më tepër sot që gjithë bota është e shqetësuar me versionin e ri. Po bëhen analiza, po bëhen studime etj, por prapë se prapë është e sigurt që vaksina mbron, vaksina të shpëton jetën.

Si mundet dot të mos jemi kaq të vëmendshëm minimalisht sa të shohim çfarë ndodh me ata që shkojnë në spital? Ata që janë të vaksinuar e kalojnë lehtë, ata që janë të pavaksinuar përfundojnë në kthetrat e vdekjes. E pastaj i bie kokës me grushta gjithë familja, larg qoftë për të gjithë.

Mesazhi është i qartë. Ne jemi duke ndjekur me shumë vëmendje të gjitha diskutimet me Komitetin përkatës dhe duke parë çfarë po ndodh rreth e rrotull. Është e qartë që, për më tepër mund të vijë dhe vendimi që kush do vijë në Shqipëri duhet tregojë që është i vaksinuar dhe nuk do lejohen të hyjnë të pavaksinuarit në Shqipëri për të bërë pushime këtu. Kështu që, të vaksinohen. 

– Vaksinimi do jetë me detyrim?

Kryeministri Edi Rama: Jo, vaksinimi nuk është me detyrim. Ky nuk është detyrim, kjo është ajo që po bën e gjithë bota. Shkoni në Itali dhe futuni në një hapësirë ku janë dhe të tjerët, pa treguar kartën e vaksinimit. Shkoni në Francë, shkoni në Austri, shkoni ku të doni. Jo, kush nuk do të vaksinohet është në lirinë e vetë që të mos vaksinohet, por nuk mund të kërcënojë të tjerët. Kështu që

– Po për universitetet

Kryeministri Edi Rama: Edhe në universitete po ju them që studentët të vaksinohen se do vijë dita që nuk do lejohen të hyjnë më të pa vaksinuar në auditorë.

– Këto shtete që ju përmendët, njohin imunitetin natyror po aq sa vaksina. Green pass natyror, pra pasi kalon COVID njihet imuniteti natyror 6 muaj. Madje edhe qeveria juaj e njeh këtë vetëm për shtetasit në hyrje të doganave shqiptare. Pse nuk e njihni ju imunitetin natyror.

Kryeministri Edi Rama: Kjo është ajo që njeh gjithë BE-ja dhe kjo ka të bëjë me shërimin. Unë po flas për vaksinimin dhe unë po flas për pikërisht kartën e gjelbërit të vaksinimit. Kështu që mos ngatërro dynjanë të lutem.

-Përgjigjuni pyetjes..

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk kam ardhur të bëj debate me ju, kam ardhur t’i përgjigjem pyetjeve. Ju përgjigja pyetjes, nuk e përjashtova atë. Unë po flas për ata që janë të pa vaksinuar. Po flas për ata që janë të pa vaksinuar që të vaksinohen, pastaj çfarë përmban vendimi, është në vendim e nuk diskutohet. Zotëri, ti po ngatërron

– Ju po diskriminoni shtetasit shqiptar, nuk i pajisni me green pass pas kalimit të COVID. Ja njihni vetëm qytetarëve që vijnë dhe hyjnë në pikat doganore shqiptare. Ky është vendimi i lëshuar nga zonja, në 30 gusht.

Kryeministri Edi Rama: Ka ndonjë pyetje për vaksinimin?

– Kur do vijë momenti që dhe Shqipëria të bëhet si Italia, Franca apo shtetet e tjera që cituat ju, që do të thotë pa vaksinë nuk mund të hysh në universitet, në institucione publike, private qoftë dhe në lokal.

Kryeministri Rama: Këtë nuk e vendos unë, këtë nuk e vendos qeveria, këtë e vendos komiteti. Ajo që po përpiqem t’ju them është që mos bëni konfuzion sepse po flasim këtu për këtë. Prandaj zotëri mos bëj konfuzion. Nuk e përjashtoi njeri atë që thua ti sepse krijon konfuzion.

– Unë jam një person që e kam kaluar dy herë dhe nuk jam pajisur. Keni diskriminuar një qytetar shqiptar.

Kryeministri Edi Rama: Zotëri, edhe një herë tjetër, mos krijo konfuzion! Po flasim këtu për ata që duhet të vaksinohen. Për të tjerët është vendimi, është i qartë dhe këtë diskriminimin tënd, mund ta sqarojmë kollaj fare e nuk ka nevojë të krijosh konfuzion këtu për gjithë popullin, sepse kështu krijohet konfuzioni. Këtu jemi për vaksinimin e po flasim për vaksinimin, nuk po flasim për konfuzionin. Kur të flasim për çështje të tjera, urdhëro, fol nuk ka asnjë problem. Unë nuk e përjashtova. Unë thashë që në Shqipëri ne po përballemi me një kategori njerëzish që i besojnë pallavrave të internetit e që flasin për konspiracione botërore, flasin për skema shfarosjeje të pensionistëve, flasin për një forcë të errët që ka mbërthyer botën e budallëqe të kësaj natyre që janë të rrezikshme sepse këtu luhet me jetën. Prandaj zotëri, kur flasim për këto, të jemi bashkë. Kur flasim pastaj për zbatimin e detajuar të gjithë mekanizmave, bujrum fol, faleminderit bile që e ngre si problem, por jo këtu e jo tani. Këtu jemi për të bërë thirrje të gjithë bashkë për vaksinim. Je vaksinuar ti?

– Jo, e kam kaluar dy herë.

Kryeministri Edi Rama: Epo mirë, vaksinohu se nuk do hysh dot nëpër konferenca shtypi.

 – Nëna ime u vaksinua dhe u sëmur rëndë.

Kryeministri Edi Rama: Po si nuk të vjen zor që bën këtë debat këtu në syrin e të gjithëve. Ja kjo është injoranca e kjo është marrëzia, e cila bëhet propagandë.

– Zoti Rama nuk është injorancë se ka pasur dhe persona që kanë bërë vaksinën me dy doza dhe kanë humbur jetën apo që janë infektuar sërish. Nuk mund të quhet injorancë.

Kryeministri Edi Rama: Edhe një herë tjetër, kjo është injorancë e madhe sepse është e thënë dhe e stërthënë, vaksina nuk të mbron nga infektimi dhe ndërkohë ata që janë të sëmurë rëndë e që kanë sëmundje të tjera, sigurisht që vaksina mbase nuk arrin dot t’i shpëtojë jetën kur goditen në organizmin e tyre, por shikoni shifrat, shikoni përqindjet, sa janë këta. E sa janë ata që janë të vaksinuar e të cilët mbrohen në mënyrën më të mirë kur i merr COVID-i. Sa janë? Dhe është e turpshme kjo sepse këtu është fjala për jetën e njerëzve dhe pikërisht në këtë pikë, të gjithë ata që kanë një mikrofon, të gjithë ata që kanë një ekran, që kanë një zë, duhet të jenë të përgjegjshëm e nuk mund të bëjnë spektakël me jetën e njerëzve. Ky është thelbi. E kjo që bëni dhe ju këtu tani, kush ndërhyri në këtë formë, është skandaloze sepse këtu bëhet fjalë për jetën e njerëzve.

 

 

 

 

 

 

 

Comment

*