Rama: Kemi disa gjëra për Kosovën, por nuk nxitohem të flas përpara kohe

Kryeministri Edi Rama theksoi se në Këshillin e Sigurimit, Tirana do të shfytëzojë bashkëpenëmbajtjen me Uashingtonin për çështjen e Ukrainës, në të mirë të kombit dhe Ballkanit.

Knid Ndrenika

Kryeministri Edi Rama pohoi se Shqipëria anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka disa “gjëra” siç i quajti, lidhur me Kosovën, por nuk dha shjpjegime për shkak të qenies ende në proces.

Zoti Rama dha konferencë me gazetarët që e përcjellin në vizitën e tij katër ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

https://www.facebook.com/ediramaal/videos/481384746967331

Megjithatë kryeministri theksoi që dialogu Kosovë-Serbi të kete një fund siç e përkufizoi të një konflikti të pambarimtë.

“Nuk dua të nxitohem, as të flas përpara kohe për gjëra në proces. Po i përgatisim dhe me shumë kujdes do të shohim se si mund t’i vendosim në tryezë. Jemi shumë mbështetës, për thellimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës që të arrihet në një përfundim të shumëpritur të këtij konflikti të pambarimtë”-tha kryeministri Rama.

Zoti Rama shtoi se Sekretari i Shtetit, Entëni Blinken i ka thënë se Uashingtoni mbështet “Ballkanin e Hapur”:

“Administrata e re amerikane e ka përqafuar plotësisht, është 100 për qind në mbështetje të Ballkanit të Hapur. Në muajt në vijim do të kemi gjëra të reja në “Ballkanin e Hapur”.

Gjithashtu zoti Rama theksoi se në Këshillin e Sigurimit, Tirana do të shfytëzojë bashkëpenëmbajtjen me Uashingtonin për çështjen e Ukrainës, në të mirë të kombit dhe Ballkanit.

“Në rolin e bashkëpenëmbajtësit, ne kemi një avantazh të konsiderueshëm, për të shfrytëzuar hapësirën e re që na jep ky duet me Shtetet e Bashkuara dhe kemi dhe ne planet tona patjetër dhe do të mundohemi të jemi të vlefshëm për çështje me interes të drejtpërdrejtë po themi të vendit tonë, të kombit tonë, që është çështja e qëndrueshmërisë së paqes në rajon dhe e procesit të çuarjes përpara të punëve në rajonin tonë, jo se ne jemi jashtë fare çështjes së konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, se nuk kemi si të jemi jashtë, por çështja jonë e drejtpërdrejtë është çështja rajonale”-tha ai.

Brenda mandatit dyvjeçar deri në 2023 si anëtare jo e përhershme, në qershor 2022 Shqipëria merr Presidencën e Radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Deri në qershor ka kohë, sepse puna e Këshillit të Sigurimit është një punë intensive, e përditshme, dhe çdo ditë sjell gjëra të reja dhe ne në qershor do të rikthehemi këtu, se më saktë do të rikthehemi në Neë York për atë tjetër moment historik, kur Shqipëria do të ketë presidencën e Këshillit të Sigurimit. Shqipëria në Këshillin e Sigurimit është diçka që askush nuk kishte kurajën ta imagjinonte as në ëndrrën e vet më të guximshme, vetëm disa vite më parë. Sot Shqipëria është në Këshillin e Sigurimit, ashtu sikundër Shqipëria ishte në krye të OSBE-së”-tha zoti Rama.

Konferencë për Shtyp e Kryeministrit Edi Rama në SHBA me gazetarët shqiptarë që ndoqën vizitën

-A do ta quani të suksesshme këtë vizitë në  SHBA dhe a mendoni se është për meritën tuaj personale e gjithë kjo vëmendje e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë? Të gjithë qeveritë kanë qenë gjithmonë pro amerikane, por duket se tanimë vëmendja e qeverisë amerikane është në maksimum për Shqipërinë. Është për fakt të gjeostrategjisë apo është merita juaj personale?

Kryeministri Edi Rama: Suksesi është fjalë e madhe dhe nuk e di ç’domethënë vizitë e suksesshme, të them të drejtën sepse normalisht vizitat e këtij niveli janë të parapërgatitura e nuk ka surpriza. Mund të ketë ndonjëherë ndonjë vizitë të pasuksesshme për shkak se gjërat mund të shkojnë mbrapsht, gjë që mua nuk më ka ndodhur deri më sot. Por ajo që është e rëndësishme është që ne kemi arritur atë që kemi dashur, kur jemi nisur, qoftë me organizimin e djeshëm kur ishim sëbashku në New York dhe ku faktikisht kemi pasur një audiencë goxha të gjerë për mesazhet tona, lidhur me Këshillin e Sigurimit dhe praninë tonë në Këshillin e Sigurimit, qoftë këtu, me takimin me Sekretarin e Shtetit me të cilin kemi rrokur të gjitha temat e paracaktuara për t’u diskutuar, që janë faktikisht të gjitha temat e bashkëpunimit tonë me Shtetet e Bashkuara. Për sa i përket nivelit, mendoj që ne kemi ditur në këto vite të ndërtojmë mbi bazën e mëparshme dhe ta çojmë politikën tonë të jashtme në një nivel tjetër, kjo nuk diskutohet. Sigurisht, kjo nuk është merita ime personale, kjo është merita e të gjithë atyre, që bashkë me mua, kanë kontribuuar në këtë përpjekje që faktikisht në arenën ndërkombëtare e ka vendosur Shqipërinë në një pozicion komplet tjetër nga ai që ka pasur deri dje.

– A keni ju lidhje personalisht dhe a u diskutua pikërisht kjo çështje dhe gjithë zhvillimet politike që pasuan në takimin me Sekretarin e Shtetit?

Kryeministri Edi Rama: Tani, shpallja non grata e Sali Berishës është meritë 100% e Sali Berishës, nuk ka diskutim. Shtetet e Bashkuara thjeshtë e kanë konfirmuar me vendimin e tyre, meritën e tij për të gjitha ato për të cilat ata e kanë shpallur non grata dhe të thuash që qeveria e Shteteve të Bashkuara mund të influencohet nga faktorë të jashtëm për vendime të kësaj natyre, do të thotë faktikisht të akuzosh Shtetet e Bashkuara se janë një shtet pa dinjitet, pa seriozitet, pa integritet dhe se kanë një qeveri që korruptohet për qëllime të të tretëve. Kjo është absolutisht diçka jashtë realitetit. Këto janë vendime, të cilat merren me procese të mirëpërcaktuara dhe nuk kanë asnjë lidhje me faktorë të jashtëm. Nëse Shtetet e Bashkuara do të loboheshin e do të influencoheshin kaq kollaj, atëherë, ato do të ishin sot prej vitesh peng i diktaturave dhe i regjimeve që kanë pasurira marramendëse, por kjo nuk ka ndodhur e nuk ka si të ndodhi se Shtetet e Bashkuara kanë komplet tjetër themel të ekzistencës së tyre, tjetër qasje, tjetër filozofi, tjetër mënyrë funksionimi. Kështu që është e gjitha një farsë për të ardhur keq, me thënë të drejtën, dhe akoma më për të ardhur keq janë ata që besojnë në të tilla marrëzira.

– A diskutuat zhvillimet politike në takim?

Kryeministri Edi Rama: Kjo është çështje që i përket të shkuarës, nuk është çështje e të tashmes e të ardhmes, çështja e Sali Berishës dhe vetë Sali Berisha. Janë çështje e të shkuarës nuk janë çështje e të tashmes dhe të të ardhmes.

– Zoti Kryeministër, prania e Shqipërisë, një vend anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit është një nga arritjet më të mëdhaja që ka patur vendi ynë në gjithë historinë e tij. Gjatë muajit qershor ne do të drejtojmë presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit. Cilat janë nismat konkrete që do të ndërmarrë Shqipëria gjatë muajit qershor dhe a do ta finalizojë në qershor rezolutën për Ukrainën ?

Kryeministri Edi Rama: Deri në qershor ka kohë, sepse puna e Këshillit të Sigurimit është një punë intensive, e përditshme, dhe çdo ditë sjell gjëra të reja dhe ne në qershor do të rikthehemi këtu, se më saktë do të rikthehemi në New York për atë tjetër moment historik, kur Shqipëria do të ketë presidencën e Këshillit të Sigurimit. Shqipëria në Këshillin e Sigurimit është diçka që askush nuk kishte kurajën ta imagjinonte as në ëndrrën e vet më të guximshme, vetëm disa vite më parë. Sot Shqipëria është në Këshillin e Sigurimit, ashtu sikundër Shqipëria ishte në krye të OSBE-së. Ne jemi një vend i vogël, nuk jemi një vend i madh. Ne nuk pretendojmë të luajmë role që nuk na takojnë, por ne kemi arritur që t’i japim vendit tonë një dinjitet dhe një respekt në sytë e të tjerëve që nuk e ka pasur deri dje. Dëgjohemi, respektohemi për aq sa jemi dhe për aq sa mundemi, por ama ajo për të cilën unë jam krenar është që në çdo tryezë ne sillemi si të barabartë dhe trajtohemi plotësisht si të barabartë nga kushdo qoftë.

– Gjatë mbrëmjes së djeshme, pritjes që organizuat ju, ishte dhe zëvendës ambasadori rus. A patët mundësi të takoheshit me të?

Kryeministri Edi Rama: I kam takuar të gjithë pothuajse që ishin aty dhe nuk e kam parasysh tani konkretisht, por ne nuk kemi absolutisht asnjë problem tonin me Rusinë. Rusia nuk është një vend armik, nuk është një vend kundërshtar – dhe unë këtë e kam thënë në çdo instancë, – jo i joni, por as edhe i gjithë Aleancës sonë. Është një vend rival, konkurrent, për arsye të njohura, të gjeopolitikës dhe edhe gjatë kohës kur ne drejtonim OSBE-në, unë jam takuar me ambasadorin rus, kemi pasur një marrëdhënie absolutisht pozitive, natyrisht duke pasur qëndrime të ndryshme dhe unë besoj që çdo mundësi, çdo rast, çdo shans për komunikim, për dialog, për bisedime, duhet shfrytëzuar maksimalisht. Kështu që ne jemi këtu për të bërë tonën, por ne e thashë, nuk marrim përsipër role që nuk na takojnë dhe ne jemi të pozicionuar shumë qartë dhe pa asnjë ekuivok në krah të Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve tanë të tjerë në anën perëndimore të Europës. Ndërkohë që, sigurisht kur na kërkohet mendimi, ne e japim mendimin tonë e kur flasim, flasim atë që mendojmë në të gjitha instancat dhe për këtë arsye dëgjohemi me respekt besoj unë.

– Zoti Kryeministër, në rast se përshkallëzohet situata në Ukrainë, a ka një plan qeveria shqiptare për shtetasit shqiptarë në këtë vend?

Kryeministri Edi Rama: Ne nuk kemi probleme të kësaj natyre. Ne, Ministria e Jashtme, i ka marrë të gjitha masat. Kemi disa qytetarë shqiptarë që kontribuojnë në misionin e monitorimit të OSBE-së dhe ata do të qëndrojnë atje sepse ky është roli i misionit të monitorimit. E përsëris edhe një herë tjetër, që ne jemi shumë të nderuar dhe njëkohësisht edhe shumë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e pozicionit të ri që kemi marrë arenën ndërkombëtare, falë pranisë sonë në Këshillin e Sigurimit, gjë që e ndiejmë edhe nga rritja marramendëse e intensitetit të kontakteve të të tjerëve me ne, por nga ana tjetër, ne e dimë shumë mirë vendin tonë, pozitën tonë, pozicionin tonë, qëndrimin tonë. Për të gjitha ato që kemi për të thënë, nuk përtojmë t’i themi kur jemi në kushtet e diskutimeve të brendshme, ndërkohë që në qëndrimet tona publike, ne jemi të njehsuar plotësisht me Shtetet e Bashkuara në gjithë këtë proces dhe si bashkëpenëmbajtës, në Këshillin e Sigurimit, që është një nder shumë i madh për ne, që jemi ftuar nga Shtetet e Bashkuara të luajmë këtë rol bashkë me ta, ne sigurisht jemi edhe më të vetëdijshëm për pozicionin dhe për rolin që duhet të luajmë.

– Zoti Kryeministër, përtej situatës së tensionuar mes Ukrainës dhe Rusisë, a do të ndërmarrë Shqipëria një nismë për rritjen e stabilitetit dhe paqes në rajonin e Ballkanit?

Kryeministri Edi Rama: Sigurisht që në rolin e bashkëpenëmbajtësit, ne kemi një avantazh të konsiderueshëm, për të shfrytëzuar hapësirën e re që na jep ky duet me Shtetet e Bashkuara dhe kemi dhe ne planet tona patjetër dhe do të mundohemi të jemi të vlefshëm për çështje me interes të drejtpërdrejtë po themi të vendit tonë, të kombit tonë, që është çështja e qëndrueshmërisë së paqes në rajon dhe e procesit të çuarjes përpara të punëve në rajonin tonë, jo se ne jemi jashtë fare çështjes së konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, se nuk kemi si të jemi jashtë, por çështja jonë e drejtpërdrejtë është çështja rajonale.

– Pozicioni i ri që ka marrë Shqipëria si anëtare e Këshillit të Sigurimit, mendoni se e favorizon Shqipërinë në Bruksel për thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri – BE?

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka lidhje me Brukselin çështja e konferencës ndërqeveritare, ka lidhje me Bullgarinë. Ne e dimë shumë mirë këtë gjë. Është një çështje e absurdit procedural dhe politik dhe ne e kemi shtruar në pyetësorin e Këshillimit Kombëtar. Duam të dëgjojmë mendimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe në rast se mendimi i qytetarëve shqiptarë në shumicë do të anojë nga një vendimmarrje e re, strategjike për qasjen tonë, atëherë dhe ne do të ecim të siguritë në një drejtim që kemi dilemën tonë për ta ndërmarrë, që është ndarja nga Maqedonia e Veriut nëse edhe pas presidencës franceze nuk do të realizohet hapja e konferencës, se është e pakuptimtë që ne të presim në pafundësi që Bullgaria të lirojë pengun e vet, – meqë jemi në një kohë kur flitet për pengje, – Maqedoninë e Veriut, që është realisht peng dhe kjo mund të vazhdojë pafund, gjë që është komplet e padrejtë për Shqipërinë që i ka plotësuar detyrat prej vitesh tanimë.

– Nëse ju do të plotësonit pyetësorin e Këshillimit Kombëtar, kësaj pyetjeje si do i përgjigjenit?

Kryeministri Edi Rama: Kjo nuk është një pyetje që mund t’i përgjigjem për shkak se nuk dua të ushtroj asnjë influencë të drejtpërdrejtë mbi qytetarët sepse duam realisht të marrim mendimin genuin të qytetarëve sepse janë vendimmarrje të qeverisë, pra, se ka shumë interpretime të gabuara ose të painformuar po themi mbi këshillimin Kombëtar. Këshillimi Kombëtar nuk lidhet me çështje që janë përtej vendimmarrjes sonë, janë vendimmarrjet tona për të cilat kemi dilema që mund të shkohet edhe në një drejtim, edhe në një drejtim tjetër. Sigurisht që, nga një vendim do ta merrnim ose do ta marrim edhe sikur të mos jetë Këshillimi Kombëtar, por Këshillimi Kombëtar na ndihmon që ne të shkojmë në një drejtim ku kemi një bazë shumë më inkurajuese që është vendimi i shumicës së njerëzve dhe unë besoj shumë që shumica e shqiptarëve nuk gabojnë, këtë e kam bindje.

– Ditën e djeshme gjatë ceremonisë që organizuat në Neë York, ishte i pranishëm edhe kryebashhkiaku i Neë York dhe e pamë që zhvilluat një takim me të. Ishte një takim në kuadër të ceremonisë apo një diskutim tjetër?

Kryeministri Edi Rama: Jo, jemi miq me kryetarin e bashkisë së New York përpara se të zgjidhej. Jemi takuar edhe më parë, jemi takuar kur ai ende nuk ishte kandidat, jemi takuar kur ishte kandidat dhe e lajmërova që ne kishim këtë event dhe do ishim të lumtur që ai të na begeniste. Ishte në një takim tjetër që ishte përvjetori i 80-të në mos gabohem i Michael Bloomberg, ish kryetarit të Bashkisë dhe u shkëput dhe erdhi për të na nderuar. Është një njeri shumë i veçantë që është bërë edhe mik i shqiptarëve edhe për shkak se është mik i disa shqiptarëve të spikatur në Neë York, përmes të cilëve unë e kam njohur atë.

– Edhe diçka për Këshillimin Kombëtar, meqenëse e prekëm paksa. Deri në këto momente në çfarë faze është?

Kryeministri Edi Rama: Dje kanë kaluar 300.000 pyetësorë të plotësuar në postë ose online, është një shifër shumë domethënëse. Ne do vazhdojmë të presim dhe praktikisht shpërndarja e plotë kryhet në datën 22 shkurt, sipas atyre që na ka thënë Posta dhe ndërkohë kemi filluar procesimin sepse është dhe procesimi një histori më vete. Nëse procesimi i pyetësorëve online bëhet thjeshtë sepse bëhet në mënyrë kompjuterike, procesimi i pyetësorëve me postë është pak më i vështirë sepse kërkon më shumë kohë, por jam shumë i kënaqur sepse reagimi ka qenë pozitiv.  Sigurisht që është hera e parë, ka plot gjëra që me siguri do t’i bënim më mirë ose më ndryshe nëse do t’i shikonim me sytë e vitit të ardhshëm ose të dy viteve më pas. Duam ta bëjmë çdo vit këtë proces. Kemi marrë ndërkohë edhe mendime, vërejtje si mund ta bëjmë më mirë vitin e ardhshëm, por duam që ta përfshimë opinionin në vendimmarrjet e qeverisë gjithmonë e më shumë dhe realisht, sepse nuk kemi asnjë arsye të humbasim kohë, të humbasim energji për të bërë një proces për vendime që i kemi vetë në dorë, pra nuk është se ne po u themi njerëzve “hajde jepni opinion ju, që ta përdorim opinionin tuaj për të vendosur në pozitë të vështirë të tjerët politikisht”. Këto janë vendimet që ne i kemi në dorë t’i marrim, por duam t’i marrim sa më të bindur për vendimin, për kahjen, e për këtë na ndihmon opinioni. Se e thashë, unë kam bindjen që shqiptarët janë politikisht më të formuarit mes popujve sepse e kanë politikën sport kombëtar, kështu që si shumicë, asnjëherë nuk gabojnë kur i marrin vendimet e tyre.

– Në lidhje me Kosovën, çfarë roli mund të bëjë Shqipëria brenda Këshillit të Sigurimit?

Kryeministri Edi Rama: Nuk dua të nxitohem, as të flas përpara kohe për gjëra që janë në proces. Ne po i përgatisim dhe me shumë kujdes do të shohim se si mund t’i vendosim në tryezë. Natyrisht dihet qëndrimi ynë. Ne jemi shumë mbështetës të dialogut, këtë e kemi diskutuar edhe me Sekretarin, nevojën për thellimin e dialogut, mes Serbisë dhe Kosovës dhe domosdoshmërinë që me dialog të arrihet në një përfundim të shumëpritur të këtij konflikti të pambarimtë. Nga ana tjetër, jam shumë i kënaqur që administrata e re amerikane e ka përqafuar plotësisht Ballkanin e Hapur, është 100% në mbështetje të Ballkanit të Hapur dhe jam i bindur që në muajt në vijim do të kemi gjëra të reja në Ballkanin e Hapur.

– U konfirmua në takimin me Blinken?

Kryeministri Edi Rama: Kemi folur për Ballkanin e Hapur dhe mbështetja është 100%.

-Duke qenë se në Tiranë vëmendjen më të madhe të vizitës e ka marrë takimi me Blinken. Tre temat kryesore u bënë publike tashmë, 100 vjetori i marrëdhënieve, refugjatët afganë dhe fakti që jemi bashkëpenëmbajtës me SHBA-të. Cila është e ardhmja që u diskutua përveç faktit që ka dhënë një mbështetje për Open Balkan. Ç’gjë konkrete u diskutua për Shqipërinë?

Kryeministri Edi Rama: Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës  kemi dy korsi bashkëpunimi, në të cilat ka një intensifikim të madh në raport me disa vite më parë. Njëra korsi është korsia e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, në fushën ushtarake. Ka patur gjëra të reja në vijimësi. Jemi duke bashkëpunuar dhe kemi folur për ngritjen e Akademisë Rajonale të Mbrojtjes në Tiranë, mbi bazën e Akademisë sonë ushtarake dhe në ndërkohë “Defender 21” ka qenë një histori suksesi që do të përsëritet në vijimësi. Po ashtu, investimet në fushën e mbrojtjes do të vazhdojnë.

Korsia tjetër është korsia e bashkëpunimit ekonomik, ku ne kemi një nxitje nga Ëashingtoni, të kompanive amerikane për t’u futur në Shqipëri. Këto që kemi në proces janë si të thuash ato dallëndyshet e para. Kemi folur me Sekretarin për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ka një interes të shtuar nga ana e palës amerikane për të rritur prezencën ekonomike në Shqipëri dhe patjetër boshti i bashkëpunimit është ai që ka qenë, është dhe do të jetë. Kështu që, këto janë dy korsi të reja të bashkëpunimit bilateral për të cilat kemi folur.

-Zoti Rama, nuk e di, por për shkak se keni qenë telepatik apo keni bërë kalkulimet tuaja keni qëlluar në shenjë kur keni ditur që Sali Berisha nuk do të udhëtonte për të ardhur këtu dhe se Lulzim Bashën do ta “rrihnin” të vetët. Keni një telepati ose një kalkulim se çfarë do të ndodhi me Ilir Metën në rast se Gjykata Kushtetuese  do ta shkarkojë? Do të ketë fatin e Sali Berishës?

Kryeministri Edi Rama: Nuk janë telepati. Janë analiza që nuk janë të vështira për t’u bërë, mendoj unë, kur ndjek me kujdes dinamikën. Por, duke qenë se Ilir Meta është në gjykim nga Gjykata Kushtetuese, unë nuk do të doja të hyja në këtë “grackë” që ma ngrite me shumë buzeqeshje, sepse mendoj se është koha që t’i lihet Gjykatës Kushtetuese fjala dhe mundësia që të vendosi në vend nderin e nëpërkëmbur të Kushtetutës.

-Keni ju një opinion sa i takon le të themi ristrukturimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të mënyrës sesi funksionon, duke patur parasysh se në Këshillin e Sigurimit, vende shumë të fuqishme nuk janë vende anëtare të përhershme, sikurse janë ato ekzistueset. A mendoni ju se mos ka nevojë për t’u riparë? Një opinion tuajin.

Kryeministri Edi Rama: Përpara se të kem opinione të këtyre përmasave, unë kam dy fakte. Njëri fakt është që vërtetë jam Kryeministri më i gjatë, por drejtoj një vend të vogël dhe fakti që jam më i gjatë nuk do të thotë që kam kapacitetin që t’i jap mend dhe të shpreh opinione për gjëra që janë shumë përtej përmasave të vendit që kam nderin të drejtoj. Kështu që, me vetëdije të plotë për rolin që kam, për rolin që kemi, unë mendoj se këto janë tema për të cilat mund të kemi opinione kur flasim në tavolina për qejfin tonë, por nuk mund të kemi opinione për t’i shprehur në publik. Natyrisht, unë e thashë, kur na kërkohet opinion në tryezat e përbashkëta, ne e japim opinionin tonë. Kemi dashur qysh në krye të herës kur kemi ndërtuar skeletin e politikës sonë të jashtme si qasje, jo si destinacion – sepse destinacioni ka qenë i fiksuar për hir të së vërtetës qysh në momentin e parë të ndryshimit demokratik, – kemi patur qëllimin që të sillemi si të barabartë dhe të trajtohemi si të barabartë.

Për sa kohë e kemi  arritur këtë, ne nuk duhet të ngatërrojmë vendin që kemi me rolin që kemi sepse pastaj do t’i bënim dëm vetes, do t’i bënim dëm gjithë punës që e kemi ndërtuar me shumë mund dhe me shumë kujdes.

-Janë zgjedhjet lokale në datën 6 mars. Keni telepati që Lulzim Basha mund të fitojë ndonjë bashki?

Kryeministri Edi Rama: Ti do me çdo kusht telepati të miat. Lulzim Basha nuk fiton. Lulzim Basha nuk fiton dot asgjë, asnjëherë, në asnjë rast. Kështu që siç ka humbur gjithmonë do t’i qëndrojë besnik profilit të vet që është të humbasë përsëri. Kjo nuk diskutohet.

-Për ta përfunduar, ju ndoshta e shihni si potencial të mundshëm aleancën mes zotit Berisha dhe zotit Meta?

Kryeministri Edi Rama: Aleanca mes atyre të dyve nuk është potenciale, është reale, është në veprim dhe do të intensifikohet në vijim sa më shumë që të përkufizohet ngjashmëria e tyre, në raport me planetin.

-Meqënëse ju thatë se do nisen dallëndyshet e para në fushën e biznesit dhe do të ketë një prezencë të shtuar amerikane në Shqipëri, sipas jush si do ta gjejnë amerikanët drejtësinë shqiptare?

Kryeministri Edi Rama: Ajo çka Sekretari ka nënvizuar sot, është pikërisht kjo, që rritja e interesit të kompanive amerikane si rezultat edhe i nxitjes së qeverisë amerikane për të parë Shqipërinë si destinacion edhe për rritjen e prezencës ekonomike, lidhet drejtëpërdrejtë me rritjen e besimit tek sistemi shtetëror në Shqipëri dhe natyrisht dhe tek sistemi i drejtësisë në Shqipëri që është ende në kantier, por që sigurisht është në një proces transformimi, kështu që patjetër që dhe ky është një avantazh.

 

 

Comment

*