Kodheli: Avionët e drogës nuk kapen pasi mungojnë radarët primarë (zë)

Intervistë e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara (Pjesa 5)

Bisedoi: Denion Ndrenika

Përse shkelin hapësirën ajrore të Shqipërisë, avionët e narkotrafikut?

-Përse ka gjithmonë vëmendje, pse jo edhe shqetësime për arritjen në kufirin 2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto në buxhetin e ushtrisë? Çfarë është gjetur në mënyrë përjashtimore si fonde që nuk i shkonin drejt përdrejt nevojave ushtarake. E plotësojmë ne këtë kufi me 0.1 % për çdo vit?

-Mimi Kodheli: “Shiko. Ajo çka është firmosur në Samitin e Uellsit është janë dy elementë.
E para: Buxheti në vitet në vazhdim të mos bjerë dhe e dyta: të tentohet në një moment të caktuar shpenzimet për mbrojtjen të përfaqësojnë 2% të GDP-së së çdo vendi.
Shqipëria nuk është as në fund as në fillim të listës së vendeve NATO, është diku në mes. Por, kjo nuk do të thotë pse jemi në mes duhet të jemi të kënaqur.
Nga ana tjetër ju rikujtoj që Shqipëria është një vend që ka akoma nevojë për invesime në infrastrukturë, që hanë pjesën më të madhe të buxhetit, akoma investime për spitale, për shkolla.
Dhe, niveli i të ardhurave i GDP-së që Shqipëria prodhon është jo atje ku ne duam dhe duhet të jetë. Ndaj dhe ne jemi shumë të kujdesshëm kur flitet për shpenzimet ushtarake.
Por, dua të ndaj me ju dy momente. E para niveli i shpenzimeve ushtarake, përpara se të hynim në NATO mund të ketë qenë edhe më i lartë, por varet se si u shpenzuan këto parà, varet ku u çuan. Pra nuk do të thotë asgjë shifra, do të thotë produkti që realizon me atë shifër që ke.
E dyta ne kemi mundur që në këto tre vitet e fundit t’i “shkëpusim” shtetit shqiptar një të ardhur, të cilën dikur Ministria e Mbrojtjes e derdhte të tërin në Buxhetin e Shtetit dhe pastaj ai rishpërndahej në një mënyrë tjetër, që të ardhurat dytësore i marrim komplet vetë.
Pra në këtë mënyrë që është një shifër e konsiderueshme. Me ligj është përcaktuar se ku këto të ardhura shkojnë. Duhet të shkojnë vetëm dhe ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, ndaj kjo është një ndihmesë shumë e madhe që na është dhënë nga qeveria shqiptare.
Kjo nuk futet në buxhet sepse janë të ardhura jashtëbuxhetore, por të mirëpërdorura nga ne dhe ndaj ne sot po realizojmë pothuajse 100 % pajisjen dhe armatimin e grup batalionit të dytë të këmbësorisë, i cili është grup batalioni që në dy vitet në vazhdim duhet të jetë i gatshëm për të qenë i dislokueshëm nga pika A në pikën B sa herë që ta kërkojë Aleanca.
Ne i kemi bërë pothuajse të gjitha detyrat e shtëpisë, na ka mbetur vetëm transporti strategjik, flitet për automjete të blinduara.
Ne kemi transport të lehtë strategjik, por besoj që do ta plotësojmë në dy vitet që vijnë me këtë buxhet që kemi, ndaj jemi të kënaqur me çfarë po shpenzojmë sot”.

-Të gjitha këto zonja ministre e bëjnë Shqipërinë një vend të sigurtë?

-Mimi Kodheli: “E bëjnë Shqipërinë një vend të sigurtë patjetër! Por, kjo nuk duhet të na bëjë të mendojmë që Shqipëria është e sigurtë pse ne e themi.
Ne punojmë përditë, ka njerëz që as nuk duken, as nuk dalin nëpër TV, as nuk flasin, as nuk i shikoni në lajme, as nuk i shikoni në media, as nuk janë nëpër facebook, as nuk janë nëpër tëitter-a, por që çdo ditë të jetës së tyre punojnë fort madje për ta pasur Shqipërinë më të sigurtë dhe këto janë pjestarët në uniformë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

-Si mund të jetë i sigurtë një vend kur hapësira ajrore i shkelet nga avionë të dyshuar për narkotrafik?

-Mimi Kodheli: “Më lejoni t’ju shpjegoj çfarë ndodh me ajrin, me hapësirën ajrore.
Shqipëria nuk i ka kapacitetet për të ruajtur vetë hapësirën ajrore nga ata të ashtuquajturit ndërhyrës, apo keqbërës ose keqdashës të hapësirës ajrore.
Kjo ka bërë që Aleanca të vendosë që hapësira ajrore nga pikëpamja ushtarake flasim, të mund të mbrohet nga vetë forcat e Aleancës, nga partnerët tanë strategjikë.
Në fakt i është caktuar Italisë dhe Greqisë ta bëjnë këtë gjë, ata e bëjnë me rotacion, me turne.
Pra, nëse ka një problem me një avion civil që ka një terrorist në avion, larg qoftë, një avion që ka të fikura trasponderat apo një avion ushtarak që cënon hapësirën ajrore shqiptare, ju siguroj që në minuta që numërohen me gishtat e një dore një çift avionësh ushtarakë nisen nga baza më e afërt ajrore ushtarake në Itali ose në Greqi, për të zgjidhur këtë çështje.
Kjo përsa i përket shqetësimit ushtarak të hapësirës ajrore, apo një shqetësimi madhor që ka të bëjë me një akt terrorist.
Vijmë tek shqetësimi i ditës. Ky avion është nisur nga Italia, ky avioni “Piper” që ka ngecur në Ishëm.
Italia është një vend i NATO-s, vendi i 7-të më i zhvilluar në botë që ka radarë primarë, radarë sekondarë, civilë, ushtarakë, të detit, të tokës, të ajrit nga të gjitha llojet.
Nëqoftëse një objekt nuk ka transponder ose e fik atë, pra nuk ka shenjë dalluese se ku është duke shkuar dhe fluturon në lartësi të vogla, do të ketë gjithmonë ndërhyrje, sepse është njësoj si një avion sportiv, ka shumë njerëz që merren me këtë lloj sporti.
Është njësoj si licensa që jepet për të marrë një varkë të vogël për të shëtitur në det.
Nëqoftëse ju merrni një varkë të vogël për të shëtitur në det dhe nuk keni transponder, nuk keni GPS, nuk keni atë mjetin që ju identifikon që është një mjet lundrimi, ju dilni në plazh merrni një mjet, shëtisni, i kërkoni llogari dikujt, i jepni llogari dikujt?
Jo. E merrni mjetin paguani qiranë, shëtisni nëpër det dhe vini përsëri. E njëjta gjë ndodh dhe me avionin.
Vetëm se në rastin e avionit, qoftë ky i vogël apo i përmasave që nuk dëmtojnë avionët që fluturojnë mbi 3000 metra ka licencën, ka rrugën që duhet të përshkojë, ngrihet, përshkon rrugën, zbret atje ku ka për të shkuar dhe asnjë radar nuk mund ta kapë.
Asnjë radar nuk mund ta kapë! As edhe një, për aq kohë sa, A: Fluturon ulët dhe B: Ka transponder të fikur. Si puna e këtyre avionëve do të ketë dhe ka në botë përditë.
Ju e imagjinoni qiellin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se sa avionë të vegjël ka që fluturojnë, si mendoni që dalin të gjithë në radarë këta?
Jo. Ata vetë njoftojnë që po ngrihen nga pika A në pikën B, kaq sepse fluturojnë shumë ulët. Sigurisht që kanë linjën e tyre të fluturimit, sepse përndryshe në qiell duhet të ndodhte qameti.
Kaq, pra ai nga Italia nuk është kuptuar që është nisur! Nuk e kanë kapur radarët e grekut, nuk e kanë kapur radarët nga Italia, nuk e kanë kapur sipër të kroatëve. Nuk e ka kapur asnjë radar! Do të vazhdojë të ketë.
Si i bëhet? Me patrullim, me patrullim tokësor, prandaj egzistojnë struktura, prandaj ekziston policia, ushtria, prandaj ekziston Shërbimi Informativ, në mënyrë që keqbërësit, keqdashësit të mund të kapen. Kaq dhe është shumë e thjeshtë.
Unë vërej diçka. Ngrihen gjithfarësoj njerëzish, dalin të gjithë ekspertë të gjithçkaje.
Çdokush del dhe flet për çdo gjë, në një kohë që është shumë e thjeshtë të kuptohet që, nuk kanë për t’u kapur edhe sikur të kemi nesër radarë primarë që janë radarët që përdor ushtria.
Për aq kohë sa nuk ndez transponder nuk ka për t’u kapur asnjëherë! Por funksionojnë sisteme dhe struktura të tjera që mund të kapin keqbërësin, dashakeqësin, transportuesin, trafikantin”…

-Terroristin…

-Mimi Kodheli: “Terroristin, po patjetër! Sigurisht”!

-Më lejoni zonja ministre, në dijenitë e përgjithshme…

-Mimi Kodheli: “A, ju lutem! Më lejoni t’u them diçka. E di që u zgjata në këtë pikë”.

-Jo, nuk ka problem. Përkundrazi…

-Mimi Kodheli: “Kjo është më spektakolarja! Dëgjoj disa media periferike, të cilat pastaj transformohen në qytetarë dixhitalë dhe vihen në faqen e parë të facebookut të ndokujt, që ushtria fik radarët.
Ushtria ka radarë vetëm për detin, nuk ka asnjë arsye pse t’i fikë radarët fare, asnjë arsye, pasi i shërben këtij atdheu me devotshmëri ushtria.
Ajo çka çështë më e rëndësishme pretendohet të hidhet tymuese dhe njerëzit e shkretë besojnë çfarë dëgjojnë, çfarë shikojnë, por nuk kanë idenë fare se çfarë është në fakt.
Ju sqaroj me dy fjalë dhe ju kërkoj ndjesë për çka them. Ka një radar (të ashtuquajtur radarë tashmë) diku në afërësi të Shkodrës”…

-Pranë Bushatit.

-Mimi Kodheli: “Po, i cili është falur nga rusët në vitin 1958 dhe është vënë në punë në vitin 1963 (sipas dokumentacionit).
Pra flasim për vitin 1958, përndaj bëjini vetë llogaritë përsa vite bëhet fjalë për këtë ngrehinë, për këtë karakatinë tashmë.
Pra është vënë në punë në vitin 1963. Në vitin 1996 është tentuar të vihet në gatishmëri (ju e imagjinoni se sa ka ecur teknologjia deri në këtë kohë, pra bëhet fjalë për kohën e qirit dhe të vajgurit).
Në vitin 1996 është menduar të përmirësohet (përdori: “update” v.j.), por nuk është vënë në funksionim, pasi është një teknologji tejet e vjetër.
Unë kam pyetur vazhdimisht, “pse nuk e nxjerrim jashtë përdorimit (për ta nxjerrë jashtë përdorimit është shumë e thjeshtë ngrihet një komision dhe e nxjerrin jashtë përdorimit)?
E di cila ka qenë përgjigja? Këtu jam shumë më e sinqertë se ç’duhet, sepse më kanë thënë “shefe, janë nja dy tre veta aty që punojnë dhe kështu pse t’i nxjerrim pa punë”…
Me këtë merren mediat periferike. Dhe qytetari dixhital. Ky nuk është radar. Kjo është një karakatinë e vitit 1958 që për atë kohë mund të ishte shumë moderne. Mund të ketë parë shumë armiq, armiqtë e fanarit të vetëm në botë, që ishte Shqipëria, por sot nuk shikon asnjë gjë”.

-Pyetja ime zonja ministre nuk lidhej saktësisht me mbajtjen ndezur ose jo të të radarit…

-Mimi Kodheli: “E kisha merak ta sqaroja”.

-Nuk ka asgjë, ju thashë disa herë që nëse keni për të folur për këtë, padyshim!

-Mimi Kodheli: “Denion, unë radarët i kam gjetur të gjithë të fikur kur kam ardhur ministre! Të detit! Nuk punonte asgjë! Fare! Zero! Të gjithë të fikur!
Nuk e di se çfarë kanë bërë në det njerëzit në atë kohë, por radarët kanë qenë të gjithë të fikur sot janë të gjithë të ndezur! Kaq mund t’u them”!

-Jo pyetja ishte që avionët e vegjël nuk fluturojnë më poshtë se sa 25 metra sipërfaqja e detit apo e tokës. Praktikisht, një lartësi që radari primar i ushtrisë, pra parësori e kap.

-Mimi Kodheli: “Ne e nuk kemi”.

-Pra, ne nuk kemi radar parësor.

-Mimi Kodheli: “Nuk kemi radar parësor”.

-Pra radari i Bushatit që është jashtë përdorimit, quhet radari ynë parësor?

-Mimi Kodheli: “Nëse doni ta quani të tillë e quajmë të tillë. Ky i 58-ës flasim”.

-Po ky i 58-ës. Pra, të gjitha këto nuk është se bëjnë Shqipërinë një vend shumë të sigurtë”

-Mimi Kodheli: “Shiko, e para duket sikur ky radar parësor ka shumë vlerë.
E para duhet të dihet se radarët parësorë sot duhet të jenë me sisteme të integruara, përndryshe ata nuk prodhojnë asgjë.
Shqipëria nuk e ka një radar parësor. Madje dhe radarët parësor nëqoftëse do të vijë një ditë që do t’i blej, janë të disa formave dhe funksioneve të ndryshme.
Ka parësor fiks, ka të lëvizshëm. Ju keni parasysh se territori nuk është vizë, nuk është fletë”…

-Padyshim është reliev.

-Mimi Kodheli: “Po është reliev. Pra imagjinoni një radar që shikon mbrapa malit, që shikon mbrapa qafës, mbrapa qoshes.
Po flasim për një teknologji për një profesion, të mirëpërcaktuar dhe po ju them edhe njëherë: A doli nga Italia ky “Piperi”, ky avion? Nuk u kap. Mendoni se janë të fikur të gjithë radarët e Italisë, në çdo qoshe që të mos kapet ky piloti 70-vjeçar që po fluturonte”?

-Jo unë mendoj se ai i bie që të ketë fluturuar më poshtë se 25 metra…

-Mimi Kodheli: “Po mund të ketë fluturuar, nuk e di teknikisht se nuk jam eksperte e kësaj fushe.
Ju thërrisni një ekspert dhe pyeteni. Ju lë në dispozicion një ekspert të ushtrisë dhe do ju thonë se si nuk mund të kapet nëqoftëse fik tansporderin. Asnjëherë! Nëse njeri do ta fikë transporderin, ose do të udhëtojë pa transponder nuk kapet nga radari.
Kapet me vëzhgim human, me dylbi, me kulla vrojtimi, me sy, etj., por nuk ka për t’u kapur asnjëherë nga radarët.
Kjo kështu ka për të vazhduar si problem. Është identik si puna e detit. Ju merrni një mjet një nga këto skixhet, njoftoni dikë që po ecni me skixhet? Jo.
E dini se mund të kaloni dhe ujërat ndërkombëtare dhe mund të dilni më tej? Nëse nuk ka një mjet elektronik që e indetifikon nuk mund të indetifikohet.
Plus që trafiku sot (ne na ngeli mendja te trafiku që është fjalë shumë e keqe, por në këtë rast lëvizja) do të vazhdoje të shtohet, do të ketë njerëz që do të kenë më shumë para, do të kenë qejf që sot të blejnë barka, nesër të blejnë avionë sportivë.
Pra kjo është një gjë që do të shtohet si lëvizje, por investimi i primarit dhe i radarëve sekondarë të tjerë është më shumë se sa i nevojshëm për Shqipërinë.
Sepse, në fund të fundit, Shqipëria sa më shumë ta vëzhgojë hapësirën ajrore, aq më shumë e sigurtë është.
Pavarësisht se, ne duke kaluar mbi 3000 metra vëzhgohemi nga strukturat e vendosura në Torrehon (Spanjë. v,j.) të cilat verifikojnë se sa i sigurt është ajri shqiptar dhe verifikojnë nisjen e dy çifteve të avionëve nga Italia apo nga Greqia sa herë që ka një problem.
Ju kujtohet një “Bum” zanor”…

-Në Adriatik…

-Mimi Kodheli: “Në Adriatik. Sepse një avion gjerman i ardhur nga Londra”…

-Një pilot gjerman…

-Mimi Kodheli: “Po, ai, kishte fikur transponderin (puna e tij se çfarë i kishte ndodhur), këta nuk përgjigjeshin, po fluturonte mbi Shqipëri. Këta, u nisën nga Aviano dy avionë “F-16” italianë, që e detyruan atë të ndizte transporderin.
Kjo verifikon se zona shqiptare në qiell është më shumë se sa e sigurtë. Nëqoftëse flasim nën 3000 metra dhe diskutojmë këtë që diskutuam sot, ne sigurisht duhet të avancojmë me investimet tona.
Është një investim i konsiderueshëm, pasi vetëm një radar primar kushton mbi 20 milionë euro. Por Shqipëria nuk ka nevojë për një primar por ka nevojë për disa të tillë.
Një studim që ekziston në Ministrinë e Mbrojtjes, ka vërtetuar se duhet të vendosen disa. Pra, investimi është i konsiderueshëm ndaj dhe ne e mendojmë mirë përpara se të themi që këto parà do t’i harxhojmë pikërisht për këtë gjë, kur Shqipëria sot ka nevojë për disa emergjenca të tjera”.

-Për të mos thënë, t’i lutemi Zotit të mos ndodhin gjëra të tilla për këto gjëra që thoni ju, pyetja tjetër është se a mund t’i diskutoni të gjitha këto kërkesa që ka Shqipëria për radar parësorë ose dytësorë, të të gjitha karakteristikave në Komitetin Kombëtar të Sigurisë Ajrore, ku mund të jenë përfaqësues sipas ligjit të Autoritetit të Aviacionit Civil, të “AlbKontrollit” (ish-Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror. v.j.)?

-Mimi Kodheli: “I kemi diskutuar”.

-Dhe, ata nuk i japin zgjidhje?

-Mimi Kodheli: “Jo, po primari është vetëm ushtaraku, për qëllime ushtarake. Nuk i ndihmon ata. I ndihmon shumë pak ata. Ata kanë problemet e tyre, por kanë radarët sekondarë u duhet. Aviacioni Civil i disponon këto për aq kohë sa funksionon. Avionët hynë dhe dalin përditë nga Shqipëria”.

Comment

*